Indeksi i Demokracisë: Shqipëria mes autokracisë dhe demokracisë

Indeksi i Demokracisë: Shqipëria mes autokracisë dhe demokracisë

Sistemi politik në Shqipëri, është një sistem mes autokracisë dhe demokracisë dhe prej vitesh nuk ka bërë asnjë përmirësim drejt demokracisë. Ky është vlerësimi i revistës prestigjioze britanike The Economist, e cila në Indeksin e Demokracisë 2018 e rendit Shqipërinë ndër vendet e fundit në Evropë.

Indeksi i Demokracisë së Njësisë së Inteligjencës së The Economist vëzhgon 165 shtete të pavarura dhe dy territore, në pesë kategori: procesi zgjedhor dhe pluralizmi; liritë civile; funksionimin e qeverisë; pjesëmarrja politike; dhe kulturën politike.

Bazuar në rezultatet e secilës kategori, vendet me pas kategorizohen në katër lloje regjimesh: demokraci e plotë, demokraci me probleme, regjim hibrid – mes autokracisë e demokracisë, dhe regjim autoritar.

Mes këtyre treguesve, vlerësimin më të ulët Shqipëria e merr për funksionimin e qeverisë me notën 4,71 (në një sistem vlerësimi nga 0-10), ndërsa me notën më të lartë 7,65 vlerësohen të drejtat cilive. Procesi zgjedhor dhe pluralizmi në Shqipëri për vitin 2018 është vlerësuar me notën 7, pjesëmarrja politike vlerësohet me 5,56, ndërsa kultura politike vlerësohet me notën 5. Rezultati i përgjithshëm për Shqipërinë është 5,98.

Ky rezultat është i njëjtë me atë të një viti më parë. Në vitin 2015, 2016 dhe 2017, po ashtu, funksionimi i qeverisë është kategoria e vlerësuar më dobët.

Cilësimi si vend me një regjim hibrid vjen si pasojë e mosfunksionimit të mirë të qeverisë, parregullsitë në zgjedhje, përhapja e korrupsionit, sundimi i dobët i ligjit apo mospasja e një sistemi gjyqësor të pavarur.

Në raport, vihet theksi tek mosmarrëveshjet mes partive kryesore në vend, që bëhen shkak për stanjacionin e demokracisë.

Në rang ndërkombëtar, Norvegjia renditet e para si shteti me vlerësimin më të lartë në të gjithë treguesit e vëzhguar. Më pas renditen Islanda dhe Suedia. Në vend të katërt është Zelanda e Re, ndërsa në vend të pestë Danimarka. Në fund të klasifikimit vazhdon të mbetet Koreja e Veriut me një vlerësim prej 1.08 nga 10 pikë në total.

Kosta Rika është i vetmi shtet që u ngjit në një kategori më të mirë sistemi gjatë vitit 2018: ajo kaloi nga vend me “demokraci me probleme”, në një vend me “demokraci të plotë”.

Raporti thekson se gjatë gjithë dekadës së fundit, mes 60 treguesve që vlerëson indeksi në total, përmirësimi më i ndjeshëm ka ndodhur në pjesëmarrjen e grave në politikë. Ky përparim mund të ilustrohet lehtësisht me me përqindjen e grave në Kongresin Amerikan, e cila këtë vit arriti në nivelin më të lartë deri më tani, në 20,3 për qind.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme