Kompania Fusha merr 850 mijë euro të tjera për Sheshin Skënderbej

Kompania Fusha merr 850 mijë euro të tjera për Sheshin Skënderbej

Kompania Fusha do të përfitojë edhe 856 mijë euro të tjera për punimet në Sheshin Skënderbej, që duket se po i kushton qytetarëve gjithnjë e më tepër para.

Më 26 dhjetor, Bashkia Tiranë njoftoi një shtesë kontrate, pa bërë asnjë sqarim, për kompaninë Fusha me objekt “Rikualifikimin urban të Sheshit Skënderbej, faza e parë”.

Kjo shtesë kontrate e çon në 17 milionë euro shumën e parave që kompania Fusha ka përfituar nga Bashkia Tiranë, pa konkurrencë dhe garë, për ndërtimin e Sheshit Skëndërbej (15 milionë euro) dhe parkimit nëntokësor (2 milionë euro):

Për fazën e parë të punimeve në shesh, Fusha fitoi 5,5 milionë euro, në korrik 2016.

Në janar 2017, Fusha fitoi 7,1 milionë euro për fazën e dytë të punimeve të Sheshit Skënderbej. Kompania Fusha ishte e vetmja ofertuese në këtë tender dhe oferta e saj ishte sa 99,9 për qind e fondit maksimal të vënë në dispozicion.

Më pas në shtator 2018, Fusha mori një shtesë kontratë për fazën e dytë, me vlerë 1,56 milionë euro. Tani, vetëm 3 muaj më vonë, në fund të dhjetorit, Fusha ka përfituar një tjetër shtesë kontrate.

Për tenderin për ndërtimin e parkimit nëntokësor tek Sheshi Skënderbej, kontrata e parë mes Bashkisë Tiranë dhe Fushës u lidh në shtator 2016 me vlerë rreth 1,64 milionë euro.

Në maj 2018, Bashkia Tiranë bëri një shtesë kontrate në vlerën 330 mijë euro, pa dhënë argumentim për këtë shtesë, duke e çuar vlerën totale të parkimit në rreth 2 milionë euro.

Sheshi Skënderbej është kthyer tashmë në një nga ndërhyrjet më të kushtueshme arkitektonike në qytet. Kjo ka ndodhur dhe për faktin se kompania është shpallur fituese në të gjithë tenderët, si për sheshin, ashtu dhe për parkimin, duke paraqitur oferta pothuaj të njëjta me fondin maksimal të vënë nga buxheti i shtetit.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme