Një ditë “ngujimi” në Fakultetin e Drejtësisë

Nga Marash Logu
Një ditë “ngujimi” në Fakultetin e Drejtësisë

Mëngjes. Disa studentë që kanë qëndruar aty gjithë natën, duken të lodhur. Të tjerët, ashtu si unë, që kanë ardhur gjatë ditës janë më aktivë dhe të zëshëm. Sjellin lajme nga jashtë, angazhohen në biseda, flasin për zgjidhje, përcjellin tek njëri-tjetri ato çfarë kanë parë në rrjetet sociale, çfarë u diskutua te ky apo ai emision i mbrëmjes. Kush analist dhe kush gazetar tha çfarë, cila media po e pasqyron siç duhet ngujimin e studentëve e kush bën propagandë.

Në fytyrat e studentëve ka një lloj pasigurie, por për një gjë duken të sigurtë. Për t’i shkuar deri në fund betejës që filluan në ditët e para të Dhjetorit. Por, cili është fundi? Fundi është pranimi nga ana e Kryeministrit Rama të 9 kërkesave të studentëve. Kryekërkesa e të cilave është shfuqizimi i ligjit për arsimin e lartë. Dhe aty, në Fakultetin e Drejtësisë, juristët e rinj, efektet e këtij ligji i kanë ndjerë kohë më parë se të dinin çfarë është ligji.

Ndërkohë që koha kalon, studentë të tjerë, kryesisht nga Fakulteti i Drejtësisë, vazhdojnë të vijnë. Disa të tjerë largohen për të pushuar a bërë një sy gjumë gjatë ditës dhe për t’u kthyer sërish në mbrëmje. Të ardhurit duket sikur i japin energji ambientit dhe forcë atyre që gjenden aty. Pasi takojnë miqtë dhe të njohurit e tyre, fillojnë bisedat me të njëjtin ritëm si ato më lart.

Në fakt, në këtë ambient të gjithë ngjajnë miq dhe të njohur me njëri-tjetrin. Është i çuditshëm solidariteti që është krijuar mes studentëve këto ditë që kanë qenë së bashku në ngujim. Ata ndjehen sikur njihen qysh kur dhe mund të përfshihen në biseda të çfarëdoshme me njëri-tjetrin me lehtësinë të madhe.

Tek dritarja e sallës, që shërben edhe si portë hyrëse, takoj dy shoqe të miat, të cilat ju kërkojnë atyre që bëjnë “roje” te dritarja të më lënë të futem. Në korridor, takoj disa nga miqtë e mi, që kanë qenë aty që nga fillimi i protestës, Marlinin, Agredin, Mikaelin, Xhoin, Esmeraldën (të gjithë studentë me mesatare mbi 9.5 dhe jo-ngelësa siç i pëlqen kryeministrit të na quajë).

Përshëndetemi, bisedojmë, më pyesin dhe i pyes ç’bëhet dhe çfarë mendojnë se do të ndodhë në vijim. Ngjis shkallët dhe drejtohem drejt sallës 202. Brenda, të tjerë të njohur. Në dërrasën e zezë, e shkruar me shkronja kapital fjala “BOJKOT”. Te katedra, disa studentë të ulur rreth tryezës së pedagogut bisedojnë me zë. Ulem me ta dhe përfshihem në bisedë.

Drekë. Disa prindër të studentëve kanë sjellë ushqim nga jashtë.Të tjera ushqime janë sjellë nga qytetarë të ndryshëm. Ushqimi i sjellë nga jashtë, nga qytetarë të thjeshtë, u jep zemër studentëve, sepse kjo për ta do të thotë që njerëzit i mbështesin dhe ata kanë aq shumë nevojë për këtë.

Diku më vonë, arrijnë disa studentë nga Universiteti Bujqësor i Tiranës. Kanë ardhur për të vizituar studentët e drejtësisë, për të ditur si është gjendja dhe për t’iu ofruar mbështetje. Në duar mbajnë qese me fruta. Ata sjellin lajme nga universiteti i tyre. Janë duke e menduar që së shpejti edhe ata të ngujohen. Bisedat vazhdojnë më tej.

Ndërkohë, kryeministri ka bërë një postim në Instagram ku thotë se kërkesat janë plotësuar dhe  pak studentë po e mbajnë akoma të bllokuar mësimin.

Studentët i përbuzin, i tallin dhe i hedhin poshtë postimet e kryeministrit. Ndonjë student bën ndonjë batutë e ndonjë tjetër i vjen një ide për të bërë një meme tallëse me statusin e fundit të Ramës.

Pasdite. Doriani, një ndër studentët më aktivë të protestës, sjell një qese të mbushur plot me çokollata dhe ëmbëlsira. Thotë se ka takuar një të moshuar në rrugë dhe e kishte pyetur çfarë kanë dëshirë studentët t’iu sjell për të ngrënë. I kish thënë që studentët janë disi të helmuar nga gjithë lajmet e pavërteta që qarkullojnë për ta dhe të blinte diçka për t’i ëmbëlsuar sadopak.

Më pas, i moshuari ishte shfaqur para Fakultetit me qesen e ëmbëlsirave.Të prekur nga ky gjest, Dona, një nga shoqet e mia të kurseve, më tregon se para disa ditësh një i moshuar kishte sjellë në Fakultet një ibrik çaji të ngrohtë dhe një byrek të bërë nga ai vetë.

Histori të tilla prekësë kishin qenë jo të pakta dhe duket që kishin ndikuar fort te studentët. Diku më vonë, një student shfaqet tek dera me disa kuti ushqimi. Këto i ka sjellë profesor Bislim Ahmetaj. Studentët janë mirënjohës e të lumtur, që edhe një pedagog e mbështet protestën e tyre.

Agredi më flet për librin e kujtimeve të protestës, në përmbajtje të cilit gjenden të shkruara kujtimet e një pjesë të mirë të studentëve të ngujuar në Fakultetin e Drejtësisë. E pëlqej shumë idenë e këtij libri dhe gëzohem kur më pyet nëse do të kisha dëshirë të shkruaja edhe unë disa rreshta. “Me shumë kënaqësi”, – i përgjigjem dhe filloj të mendoj se çfarë do të shkruaj.

Ulem në një nga bankat e Fakultetit dhe pasi iu hedh një sy shkrimeve të mëparshme, filloj të shkruaj. E gjej me vend një krahasim të Dhjetorit 1990 me Dhjetorin 2018 dhe shkruaj disa fjalë rreth kësaj.

Më pas shpreh bindjen se studentët do t’ia dalin dhe e mbyll me shprehjen që më është dukur më domethënësja nga fillimi i kësaj proteste, “studentët e bashkuar kanë për të fituar”. E nënshkruaj në fund dhe ndjehem mirë që edhe unë jam bërë pjesë e asaj dëshmie të gjallë, e cila kushedi çfarë fati do të ketë pas disa kohësh.

Darkë. Një student thotë se ka një informacion të sigurt se policia do të ndërhyjë gjatë natës. Dikush tjetër thotë se kishte parë prani të shtuar të policisë rreth shkollës. Unë, në fakt, kur shkova te kafja përballë për të pirë një çaj, vura re se kishte disa oficerë policie civilë që vëzhgonin situatën.

Madje njëri prej tyre, në momentin që erdhi roja i shkollës aty, iu drejtua “s’na solle ndonjë informacion sa ka aty brenda”. “S’di të them, – iu përgjigj roja, – aty hyjnë dhe dalin studentë pa pushim”. Lajmi se policia mund të ndërhynte nuk shkakton panik, megjithatë, studentët shqetësohen se si do të reagojnë dhe vendosin të bëjnë një mbledhje.

Një prej studentëve ngrihet dhe kërkon se kush janë “burimet e sigurta”. Një tjetër thotë se ka informacione të sigurta që policia nuk do të hyjë. Mbledhja duket sikur mbyllet pa ndonjë konkluzion.

Grupet që mendojnë ndryshe bisedojnë të ndarë nga njëra-tjetra. Më pas, disa goca na kërkojnë që të lëmë sallën 202 sepse do të pastrojnë. Habitem jo pak. Vajzat mbledhin mbeturinat e hedhura gjatë ditës, fshijnë sallën e korridorin e më pas edhe i lajnë. Kur kthehemi në sallë, gjithçka duket e rregullt dhe e pastër. Nuk mund të mos e admirosh rregullin që është vendosur aty.

Më pas mbrëmja vazhdon me biseda, të cilat shpesh përqendrohen edhe në tema të tjera larg protestës. Dikush flet për qytetin e tij, për pamundësinë për të gjetur një punë atje, për emigracionin, për vendet ku ka qenë apo i pëlqen të shkojë, për libra… Kështu duket se i shtyjnë ditët dhe orët studentët e ngujuar, me shpresën se sakrifica dhe beteja e tyre do të triumfojë.

 Studentët do ia dalin të shfuqizojnë ligjin për arsimin e lartë dhe të realizojnë të nëntë kërkesat e tyre. Rreth orës dhjetë, disa studentë fillojnë të largohen. Kanë qëndruar aty gjithë ditën ose edhe nga nata e mbrëmshme. Përshëndeten me miqtë e tyre, zbresin shkallët ngadalë, kalojnë korridorin e hyrjes, e cila është zënë nga bankat e karriget, futen në sallën 101, dhe nga dritarja e asaj salle dalin jashtë.

Përshëndetem edhe unë me miqtë, të njohur, të sapo njohur apo edhe të panjohur. Zbres shkallët dhe largohem, por ajo ditë ngujimi, aty me kolegët e mi të Fakultetit të Drejtësisë nuk do të më shqitet kurrë nga mendja.

Të mësuar me klishe-në se të rinjtë e sotëm janë rinia e “Facebook-ut”, i do gjërat gati dhe pa bërë asnjë sakrificë, tashmë e di. E di dhe gëzohem. Studentët kanë fituar. Ata kanë fituar respektin dhe nderimin e një shoqërie të tërë dhe janë shndërruar në model për brezat e ardhshëm.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme