Presidenti nuk dekreton Cakajn si ministër të Jashtëm: Qëndrimet e tij publike, të papranueshme

Presidenti nuk dekreton Cakajn si ministër të Jashtëm: Qëndrimet e tij publike, të papranueshme

Presidenti Ilir Meta refuzoi sot emërimin e Zotit Gent Cakaj si ministër i Evropës dhe Punëve të Jashtme, për të zëvendësuar Ditmir Bushatin.

Në faqen zyrtare të presidencës u publikua letra me anë të së cilës presidenti lajmëron Kryeministrin Rama për refuzimin e propozimit të tij.

Në letër, Presidenti Meta shprehet qartë dhe me argumente se kandidatura e Gent Cakajt nuk i plotëson kushtet e nevojshme për të mbajtur postin e ministrit të Jashtëm, ka shkelur ligjin gjatë kohës që ka mbajtur postin e zëvendësministrit të Jashtëm dhe se procesi që Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klafisikuar (DSIK) ka ndjekur për të pajisur Cakajn me certifikatat e sigurisë është bërë në shkelje të ligjit.

Argumentet që Presidenti Meta ka dhënë për refuzimin e Zotit Cakaj janë:

“Gjatë ushtrimit të  detyrës së tij si zëvendësministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Gent Cakaj ka dëshmuar me të dhëna, me fakte e qëndrime se jo vetëm që i mungon përvoja e sprovuar në fushën e politikës së jashtme, por se qëndrimet e tij publike lidhur me çështje thelbësore të politikës rajonale janë të papranueshme.

Qëndrimet e tij publike në kontekstin e debatit për të ashtuquajturin korrigjim të kufijve të Kosovës e Serbisë, por edhe të Ballkanit Perëndimor janë në kundërshtim të plotë me programin e qeverisë aktuale për politikën e jashtme dhe shtjellimin e saj nga Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë.

Deklaratat e rrezikshme të z. Gent Cakaj, me pasoja të paparashikueshme në rajon dhe më gjerë, në planin dypalësh dhe më tej, janë në kundërshtim të hapur me politikën rajonale të shtetit shqiptar, të NATO-s dhe të vetë Bashkimit Evropian.

Genc Cakaj ka qenë i detyruar me ligj për tu pajisur me certifikatë sigurie nga DSIK që në qershor 2018, kur u emërua Zëvendës-Ministër në MEPJ. Zoti Cakaj nuk e ka kryer këtë detyrim dhe ka qëndruar në postin e tij për mëse shtatë muaj pa certifikatat e domosdoshme të sigurisë, në shkelje të ligjit.

DSIK e ka lëshuar certifikatën e sigurisë për Gent Cakajn brenda 24 orësh nga aplikimi i tij, kohë kjo shumë e shkurtër për të bërë një vlerësim të plotë të figurës dhe për të mbledhur informacione nga Kosova, Hungaria dhe Belgjika, vende ku Cakaj ka jetuar për kohë të gjata.”

Një ditë më parë, Presidenti Meta njoftoi dekretimin në krye të katë ministrive,  ministrat e rinj Anila Denaj, Besa Shahini, Elva Margariti dhe Belinda Balluku, ndërsa ministria e Jashtme do të vazhdojë të drejtohet nga Ditmir Bushati.

Emrat e Cakajt, Denajt, Shahinit, Margaritit dhe Ballukut u prezantuan nga Kryeministri Rama më 28 dhjetor, kur dhe shkarkoi ministrat Bushati, Ahmetaj, Nikolla, Kumbaro dhe Gjiknuri.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme