Putin dhe Vuçiç bisedojnë për Kosovën në Beograd

Presidenti rus Vladimir Putin po viziton sot Beogradin, në një kohë kur SHBA dhe BE po inkurajojnë Serbinë dhe Kosovën për një marrëveshje përfundimtare mes tyre.

Përpara vizitës së tij në Beograd, Presidenti Putin, kritikoi “ndërhyrjen e perëndimit” në Ballkan. Ai përmendi anëtarësimin e Malit të Zi në NATO dhe Marrëveshjen e Prespës mes Maqedonisë dhe Greqisë si raste të ndikuara nga “perëndimi”, në mungesë të mbështetjes së popujve përkatës, sipas tij.

Vizita e Putinit në Serbi është pritur me entuziazëm nga elita politike, media dhe populli serb.

Dy vendet priten të nënshkruajnë një sërë marrëvëshjesh sot. Ku më të rëndësishmet konsiderohen ato në fushën e energjisë dhe të mbrojtjes. Beogradi pritet të blejë nga Moska armë të rënda, përfshi tanke dhe raketa.

Një ndër temat më të rëndësishme për diskutim midis presidentëve, Putin dhe Vuçiç, do të jetë Kosova. Ndërkohë  SHBA dhe BE po inkurajojnë palët për një marrëveshje përfundimtare. Sipas disa burimeve, brenda vitit 2019, Serbia ka kërkuar disa herë përfshirjen e Rusisë në Dialog, në rast se SHBA merr një rol më aktiv në të.

Serbia është aleatja më e madhe e Rusisë në rajonin e Ballkanit. Rusia mbështet anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian, si dhe mos-anëtarësimin në NATO.