Qeveria do të shumëfishojë koncesionet në 2019-ën

Vlera e koncesioneve që qeveria Rama ka planifikuar të japë në vitin 2019, është mbi 15 përqind e prodhimit të vendit, ose mbi 1,65 miliardë euro. Këtë pohim ka bërë Fondi Monetar Ndërkombëtar në raportin e fundit mbi Shqipërinë dhe që bazohet mbi informacionet e marra nga qeveria.

Kjo do të thotë se brenda një viti, qeveria Rama ka planifikuar të japë koncesione me vlerë të paktën 2 herë më të madhe se të gjithë koncesionet dhe PPP-të që ajo ka dhënë që pas ardhjes në pushtet. Nëse ky plan do të bëhet realitet, vlera totale e të gjitha koncesioneve të dhëna, do të arrijë në mbi 46 përqind të prodhimit të vendit, ose mbi 5 miliardë euro.

Në raportin e FMN-së pohoet se vlera e tanishme e koncesioneve është 31 për qind e prodhimit të vendit, nga të cilat—vlera e koncesioneve në energji (kryesisht në prodhimin e energjisë nga uji, era, dielli dhe karburanti) është rreth 23 për qind e prodhimit vendas, ndërsa koncesionet në fushat e tjera (shëndetësi, rrugë, menaxhimi i mbetjeve , etj.), të dhëna thuajse të gjitha nga qeveria Rama, arrin në rreth 8 për qind të prodhimit të vendit.

Kjo rritje e jashtëzakonshme e parashikuar e projekteve PPP, të cilat, në thelb janë borxh publik afatgjatë, ka shqetësuar FMN-në për rreziqet e mëdha për buxhetin dhe ekonominë e vendit. Në raport, FMN shprehet:

“Rritja e varësisë, në projektet përmes kontratave PPP, ka sjellë rritjen e detyrimeve potenciale [ndaj kompanive private] dhe FMN rekomandon marrjen e hapave të mëtejshëm për t’i kontrolluar ato.”

Në mënyrë të veçantë, FMN është i shqetësuar për faktin se, deri më tani, qeveria nuk i ka plotësuar rekomandimet e mëparshme të FMN-së, për të përmirësuar administrimin e PPP-ve. Për këtë arsye, FMN ka ripërsëritur të njejtat këshilla:

— Qeveria duhet të sigurohet se kontratat PPP justifikojnë paratë e investuara dhe jepen përmes garës dhe proceseve me oferta konkurruese.

— Qeveria duhet të ndalojë pranimin e popozimeve të pakërkuara nga kompanitë private.

— Qeveria duhet përmirësojë analizën e rrezikut dhe të forcojë procesin e vendimmarrjes lidhur me investimet publike, që do të jepen si kontrata PPP-je.