Qeveria ngrin koncesionet për HEC-et, por nuk anulon ato në zonat e mbrojtura

Nga Erblin Vukaj
Qeveria ngrin koncesionet për HEC-et, por nuk anulon ato në zonat e mbrojtura Kanioni i Holtës

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjitikës (MIE) shpalli javën e shkuar “pezullimin e të gjitha kontratatave jo-operative… për të ekuilibruar zhvillimin në raport me resurset natyrore”. Një vit pas miratimit të Strategjisë Kombëtare të Energjisë 2018-2030, e cila ka ruajtur si prioritet zhvillimin e kapaciteteve të hidrocentraleve të vogla, Qeveria u shpreh se “është koha për të bërë një ndalesë dhe për të gjykuar për vazhdimësinë”.

Për këtë qëllim, ajo lajmëroi fillimin e një procesi “skanimi fizik” e dokumentimi të çdo hidrocentrali, pasi “duhet një ekuilibër perfekt mes zhvillimit ekonomik dhe mbrojtjes se pasurive natyrore”. Nuk është e qartë se sa do të zgjasë ky proces “ngrirjeje”, çfarë do të bëhet pas “skanimit” dhe se do trajtohen kontratat e nënshkruara.

Por ajo që duket është se, pavarësisht ngjyrimeve mjedisore në pohimet e Ministrisë, vendimi synon zhbllokimin e sektorit, duke qenë se rreth 60 për qind e lejeve të koncensioneve të dhëna ndër vite nuk kanë filluar të zbatohen fare. Sipas MIE , janë 182 kontrata koncesionare për ndërtimin e 440 hidrocentraleve, nga të cilat janë zbatuar vetëm 73 kontrata për ndërtimin e 96 hidrocentraleve.

MIE, së bashku me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit (MTM), është përpjekur ta paraqesë vendimin e fundit si ndryshim politikash në qasjen ndaj mjedisit, por përvojat e mëparshme e bëjnë këtë pretendim të paragjykueshëm.

Disa raste të anulimeve të lejeve për hidrocentraleve në zona me potencial turistik, tregojnë se Qeveria nuk hoqi dorë nga “shfrytëzimi” hidroenergjitik edhe pas anulimeve, por thjesht rihapi procedurat nga e para për të ndryshuar koncesionarin. “Ngrirja” e fundit mund të ketë të njejtin qëllim, pra thjesht ndryshimin e kompanive që do të shfrytëzojnë burimet natyrore për ndërtim hidrocentralesh.

Rastet e anulimeve të koncesioneve

Në fillim të vitit 2014, MIE, nën drejtimin e Damian Gjiknurit shpallin nisjen e një proces kontrolli të kontratave koncesionare dhe në korrik njoftoi prishjen e 14 kontratave, që përfsinin ndërtimin e 30 hidrocentraleve. Dy shkaqet kryesore të dhëna për prishjen, ishin “vonesat” në krijimin dhe regjistrimin e shoqërive koncensionare për zbatimin e lejeve, dhe vonesat në paraqitjen e projekteve të zbatimit. Në disa raste, prishja erdhi për shkak të “amendimeve të shpeshta të kontratave” dhe “transferimit të kuotave pa miratimin e Autoritetit Kontraktor”.

Në njoftimin e vendimit për anulimin e këtyre kontratave, u tha se procesi i kontrollit të lejeve koncesionare do të vazhdonte, por u desh të kalonin dy vite që, në tetor 2016, ministria të anulonte një tjetër kontratë, atë të ndërtimit të 6 hidrocentraleve në Lumin Shalë të Thethit. Argumenti kësaj here ishte se “kompania nuk kishte plotësuar dokumentacionin e kërkuar”.

Por një vit më vonë, Qeveria vendosi të rihapë procedurën e shfrytëzimit të Lumit të Shalës në Theth, duke i dhënë lejen e ndërtimit në të njëjtën zonë të 3 hidrocentraleve me fuqi total 83,5 MegaWat.

Në të vërtetë, deri më sot, Qeveria nuk ka anuluar asnjë kontratë për arsye të ndikimit në mjedis, apo për arsye të ndikimit negativ në turizëm. Madje edhe anulimi në vitin 2018 i hidrocentralit në Bigas-Veleshnjë, në kanionet e Osumit u bë me argumentin se “kompania kishte manipuluar koordinatat në lejen mjedisore”.

Kur ky rast mori vëmendje publike për dëmin që hidrocentrali do t’i sillte një nga perlave të antyrës shqiptare, Qeveria, fillimisht, u justifikua se koncesioni ishte dhënë nga Qeveria Berisha, por mediat zbuluan se Ministria e Energjisë kishte miratuar në vitin 2016 rritjen e fuqisë së hidrocentralit të licensuar nga qeveria Berisha nga 0,5 MW në 1.2 MW. Po ashtu, u zbulua se qeveria ishte njoftuar qysh në mars 2017 për manipulimin e koordinatave nga koncesionari, por nuk ndërhyri për më shumë se një vit.

Dëmi i hidrocentraleve në zonat e mbrojtura

Hidrocentralet nuk duhet të ndërtohen në zona të mbrojtura. Ligji për Zonat e Mbrojtura shprehet se “territoret shpallen zona të mbrojtura, për të përmbushur si objektiva të përgjithshme ndalimin e ndërtimit të zonave urbane, si autostradë, hekurudhë, linja të tensionit të lartë, vepra të mëdha hidrike dhe sisteme të naftës e të gazit me shtrirje të gjatë”. Gjithashtu, një nga objektivat që kanë zonat e mbrojtura është “ndalimi i ndryshimit të gjendjes natyrore të rezervave ujore, burimeve, liqeneve dhe sistemeve të zonave të lagura”. Nga ana tjetër, hidrocentralet ndalohen me po të njëjtin ligj, specifikisht, në zonat e shpallura “parqe kombëtare”.

Por, pavarësisht, ndalimeve të qarta ligjore, kompanitë nuk e kanë pasur të vështirë të marrin leje për hidrocentrale në zonat e mbrojtura.

Në vetëm 12 zona të mbrojtura të Shqipërisë janë planifikuar dhe licensuar 60 hidrocentrale, nga të cilat 33 tashmë janë ndërtuar dhe po shfrytëzohen (5 prej tyre gjatë regjimit komunist).

Edhe pse ka deklaruar “ngrirjen” e të gjitha kontratave jo-operative, për rishqyrtim, MIE nuk ka përmendur asnjë nga hidrocentralet që janë licensuar në këto 12 zona të mbrojtura. Nëse argumenti kryesor për nisjen e procesit të hetimit të tyre ka qenë shqyrtimi i ndikimit në mjedis dhe ruajtja e balancave të zhvillimit ekonomik, Ministria mund dhe duhet ta kishte nisur që në fillim me këto hidrocentrale, të cilat janë të provuar dhe kontestuar si ndërtime në zona të mbrojtura.

Batërdi dhe kaos koncesionesh

Në shpalljen e procesit të “skanimit”, Ministrja Balluku u shpreh se janë 182 kontrata koncesionare për ndërtimin e 440 hidrocentraleve, nga të cialt janë zbatuar vetëm 73, duke vënë në punë 96 hidrocentrale. Por, Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore (AKBN) referon të tjera shifra rreth situatës së sektorit hidroenergjitik. Sipas AKBN-së, duke filluar nga viti 2002 deri më sot, janë firmosur 183 kontrata koncesionare për ndërtimin e 524 hidrocentraleve. Nga ky numër, 117 janë ndërtuar dhe janë vënë në prodhim, 43 janë në ndërtim, ndërsa 364 të tjerë nuk kanë filluar ende ndërtimet.

Ndërkohë, një vendim qeverie i marsit 2018, i cili miratoi Planin Kombëtar të veprimit për burimet e rinovueshme të energjisë, jep të tjera shifra. Vendimi pohon se është licensuar ndërtimi i 540 hidrocentrale me koncesion, nga të cilat, tashmë 147 janë në prodhim, 109 janë në ndërtim dhe 284 të tjerë nuk kanë filluar ende ndërtimin.

Këto shifra dhe mospërputhje shifrash tregojnë jo vetëm politikën shkatërruese mjedisore të shfrytëzimit, thuajse të çdo lumi dhe përroi për ndërtime hidrocentralesh, por edhe kaosin në licensimin dhe mbikëqyrjen e këtyre koncesioneve, çfarë u ka lënë dorë të lirë abuzimeve. Mbi të gjithë, ky numër kaq i madh hidrocentralesh të licensuara, dëshmon se qeveria ka mundësi që të ndalojë të gjitha ato në zonat e mbrojtura dhe me potencial turistik, duke mos patur ndonjë ndikim të ndjeshëm në potencialin e prodhimit të energjisë nga uji.

Harta e HEC-eve në zonat e mbrojtura

3 komente

    Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

    Lajme te ngjashme