Rama e ka humbur besimin tek arti

Nga Vincent W.J. van Gerven Oei
Rama e ka humbur besimin tek arti

Një nga marifetet e zakonshme të Ramës në vitet e para si kryeministër ishte të ndërthurte udhëtimet zyrtare jashtë vendit me çeljen e ekspozitave me punimet e tij artistike. Në nëntor 2015, ai çeli ekspozitën “Burbuqe Kalendari” në Akademinë Jao Tsung-I, gjatë një vizite zyrtare në Hong Kong për të takuar Guvernatorin Leung Chun-Ying, dhe për të marrë pjesë në Forumin e Tregtisë dhe Investimeve Hong Kong-Shqipëri. Në nëntor 2016, çeli një ekspozitë në Galerinë Marian Goodman në Nju Jork, e cila për fat përkoi me zhvillimin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së po aty.

Megjithatë, së fundmi ekspozitat e artit nuk përfaqësojnë më mundësi të mira për të fuqizuar imazhin publik siç ishin dikur për kryeministrin rishtar. Së fundmi, duket se ekspozitat po i japin atij përherë e më shumë mundësinë të arratiset nga politika, pa pasur ndonjë prapavijë politike. Ekspozitat tashmë janë kthyer thjesht në shfaqje të një artisti në mes të karrierës, të cilit, ashtu rastësisht, i ka rënë të jetë edhe politikan në një vend periferik evropian. E tillë ishte ekspozita e tij më e fundit në galerinë Calier | Gebauer në Berlin, para pak javësh.

Një intervistë miqësore nga gazeta gjermane Die Zeit na jep mundësinë të shikojmë si ka ndryshuar qëndrimi i Ramës ndaj artit, vitet e fundit.

Sa për ta freskuar kujtesën: në vitin 2014, në një leksion të rëndësishëm në Samitin Creative Times (Kohët Krijuese) në Stokholm, Rama e përshkroi projektin për lyerjen e fasadave të ndërtesave në Tiranë, projekt (ende) përcaktues për të gjithë profilin e tij artistik, si më poshtë:

 “Ishte viti 1998, dhe zgjodha këtë jetë të re. Atëherë mendova se e kisha varrosur piktorin brenda vetes. Por pas dy vitesh kandidova për kryetar bashkie në Tiranë. Fitova dhe pashë se qyteti përballej me sfida të shumta. U përballa me pritmëritë e larta që kishte krijuar fushata ime. Ishte atëherë kur ndieva impulsin politik brenda vetes, dëshirën për t’u dhënë njerëzve një të ardhme më të mirë, të shkrihej me impulsin tim artistik. Unë udhëhoqa një plan për të hedhur bojra të ndezura mbi ndërtesat e zymta dhe pa karakter në rrugët kryesore hyrëse të qytetit. Për mua ky ishte veprim politik me ngjyra. Jo me fjalë, as me ligje. […] Këto ngjyra i bënë [qytetarët] të ndihen më mirë për vendin ku jetonin, dhe i bënë të shihnin mundësi në një hapësirë ku dukej se nuk kishte hapësirë. Kjo i bëri të kuptonin se ndryshimi mund të vijë në forma të ndryshme, pavarësisht buxhetit të qytetit, që ishte zero presje diçka.”

Me fjalë të tjera, argumenti i Ramës në vitin 2014 ishte se “arti i tij lulëzoi nga një ‘impuls politik’ për të krijuar një “aksion politik me ngjyra”. Siç thotë më tej në intervistë, arti edhe politika, të dyja, kërkojnë “ta bëjnë botën një vend më të mirë”:

“Por ishte gjatë viteve si kryetar bashkie që e kam kuptuar—dhe gjë për të cilën jam bindur edhe me vonë si kryetar partie dhe kryeministër—se politika në nivelin e saj më të mirë është aktivitet i dobishëm dhe kuptimplotë, që botën e bën një vend më të mirë. Arti, gjithashtu, bën të njëjtën gjë, paçka se në mënyra të tjera. Kam qenë shumë i kënaqur që kam qenë në një pozitë nga ku kam mundur t’i bëj të dyja bashkë.”

Qëndrimi pozitiv, në mos naiv, i Ramës ndaj fuqisë së artit e ngazëlleu audiencën e magjepsur nga artisti tashmë Kryeministër.

Por, tani le ta shkojmë pesë vjet përpara në kohë dhe të mbërrijmë tek intervista e para pak ditëve e e Ramës për gazetën Die Zeit. Gazetarja Sëantje Karich, mbase me shpresën për t’i shkëputur një imazh po aq të këndshëm sa i mësipërmi, e pyet: “Si kryetar bashkie, ju i lyet ndërtesat gri me ngjyra të shumëllojshme për t’u dhënë shpresë njerëzve. Nga shumë larg, ne krijuam përshtypjen e rrallë se arti mund ta ndryshojë shoqërinë, ta përmirësojë madje. A e besoni ende ju këtë? A është vërtet artisti politikani më i mirë?”

Përgjigja e Ramës ishte e prerë:

“Arti nuk mund të ndryshojë shumë. Madje mund të shkoja deri atje sa të thoja: [arti nuk ndryshon] asgjë fare.”

Kur gazetarja Karich ia kthen me habi, Rama tërhiqet disi nga ajo që tha, por sërish thelbi mbetet i njëjtë: Arti nuk mund të ndryshojë kurrgjë. Ky është një kthesë rrënjësore nga imazhet pozitiv që projektonte Rama para pesë vitesh, të cilat ende hijeshojnë deklaratat e tij për shtyp, dhe që përfshijnë citime nga papa i estetikës relacionale Hans Ulrich Obrist: “Në kendvështrimin [e Ramës] arti nuk është i ndarë nga politika, por ato të dyja janë zgjatime të njëra-tjetrës.” Nën dritën e intervistës së fundit të Ramës, të gjitha këto pretendime tani janë thjesht të pakuptimta. Arti nuk mund të ndryshojë kurrgjë.

Kjo ngre pyetjen e menjëhershme se përse, atëherë, Rama vazhdon të prodhojë art; apo, për më tepër, përse vazhdon të pohojë se do ta lërë politikën një ditë për t’iu përkushtuar artit (siç e ka thënë së fundmi edhe në intervistën me “kllounin e oborrit” Ermal Mamaqi)? Përse ai bën një zgjedhje të tillë, kur premisa mbi të cilën ai prodhoi veprën e parë dhe përcaktuese për karrierën e tij artistike dilka të qenkësh e rreme?

Karich e pyet prapë: “Pra, a kanë funksion shoqëror-politik veprat e artit?” – që është një pyetje e arsyeshme për dikë që ka thënë se arti është “aktivitet kuptimplotë, që e bën botën një vend më të mirë.” Por Rama vazhdon sërish:

“Jo. Artistët vetëm sa ofrojnë një botë tjetër, me të tjera kushte, ku përjetohet lehtësim. Të krijosh art do të thotë të jetosh në një botë dhe në të njëjtën kohë të kesh edhe mundësinë për të udhëtuar tek tjetra, pa lëvizur fare.”

Kjo përgjigje e bën të qartë se, në këtë pikë të karrierës së tij, Rama e do artin të jetë sido që të jetë, mjaft të mos jetë politik. Ai do që arti i tij të mos i ndotet me politikë, sepse, nëse arti paska ndikim shoqëro-politik, atëhere si mund të tërhiqej ai nga politika për në studion-bunker prej betoni? Duket se ai e ndien se karriera e tij politike, kështu siç ajo është zhytur në korrupsion, nepotizëm dhe krim, po ia vë në rrezik “zanatin e tij të vërtetë”.

Karich e pyet më pas, krejt arsyeshëm, nëse, atëherë, arti është një formë “arratisjeje e shëndetshme.” Rama vetë e kishte përshkruar pikërisht kështu pikëpamjen e tij për artin: “të jetosh në një botë dhe në të njëjtën kohë të kesh edhe mundsinë për të udhëtuar tek tjetra, pa lëvizur fare.” Rama e riformulon idenë e tij:

“S’ka të bëjë fare me arritjen kjo, se nuk zhdukesh, nuk ia mbath. Ikën për pak kohë dhe kthehesh si qenie njerëzore më e pasur – me përvoja, ndjenja.”

Kjo është mënyra si njerëzit përshkruajnë përjetimet e marrjes së drogës. Këto mbase nuk janë “arratisje” në kuptimin e plotë të fjalës, por janë ama, pa dyshim, mënyra për të provuar një realitet tjetër. Metafora për artin si drogë na lejon të kuptojmë prodhimin përsëritës, të fiksuar të punëve gjithmonë të ngjashme të artit nga Rama, që nuk sjellin asnjë vështrim, ide apo zhvillimi të ri—të njejtat skica, qindra, mijëra të tilla.

Eksperimenti madhor i Ramës me artin me ndikim shoqëroro-politik, projekti i tij me fasadat, paska rezultuar një dështim, sipas vlerësimit vetë tij. Botës së artit i mbeten veç produktet e politikanit, që vazhdojnë të ekspozohen me shpresën e kotë se Shqipëria edhe pak dhe do të bëhet një “vend i drejtuar nga artisti”; të një politikani që, në kuptimin më të plotë të fjalës, është fizikisht i fiksuar pas artit të vet, pasi ai i shërben për të ruajtur dukjen e një njeriu të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm.

Pikërisht ashtu siç Rama përshkruan veten në tekstin e ftesës së ekspozitës së tij në Berlin:

“Nisa të kuptoj se të pavetëdijshmen po ma ndihmonte apo po ma ushqente dora ime, që të rrinte urtë, ndërsa e vetëdijshmja duhej të përqendrohej në tema të lodhshme, dhe të më ndihmonte të shmangia gabimet prej keqgjykimit, si rezultat i përqendrimit të sipërfaqshëm. […] Duke e ditur këtë, më vonë vendosa t’i jap vetes kohë për të qenë vetëm, dhe për të vizatuar kur kisha për të marrë vendime politike të vështira; qetësia që duart e mia kishin për t’i mësuar kokës ishte jetësore.”

Ky nuk është as art, as arratisje – kjo është terapi arti. Nuk ka asgjë të keqe terapia e artit, madje për shumëkënd mund të jetë e dobishme. Jam i sigurt që edhe për Kryeministrin është e dobishme.

Pyetja për botën e artit ama është kjo: sa produkte nga seancat e terapisë së artit gjenden në fakt në galeri dhe muzeume? Shumë pak, vërtet. Nuk ka dyshim që arti mund të jetë terapeutik—por nëse është vetëm kaq, nëse ai nuk reflekton mbi kuadrin e tij shoqëror, politik dhe kulturor, a mund të ketë ai kuptim për tjetërkënd veç krijuesit? Përgjigjja, është, pa asnjë mëdyshje, jo.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme