Sheshi Skënderbej kandidat për një tjetër çmim

Nga Vincent Van Gerven Oei
Sheshi Skënderbej kandidat për një tjetër çmim

Rikonstruksioni i Sheshit Skënderbej, projektuar nga firma belge e arkitekturës 51N4E dhe artisti shqiptar Anri Sala, zbatuar nga kompania Fusha, është përzgjedhur kandidate për të fituar çmimin “Mies van der Rohe”.

Çmimi “Mies van der Rohe”, jepet dy herë në vit për projektin më të mirë të arkitekturës evropiane të realizuar në dy vitet e fundit nga një arkitekt evropian. Nga 383 kandidatura, juria e përbërë nga shtatë anëtarë përzgjodhi 40 projekte.

Rikonstruksioni i sheshit Skënderbej u nis gjatë mandatit të parë të Edi Ramës si kryebashkiak i Tiranës. Punimet për të nisën në vitin 2010, por u ndaluan në vitin 2011 nga kryebashkiaku i ri Lulzim Basha. Më pas projekti u vazhdua nga pasardhësi i Bashës, Erion Veliaj, pas zgjedhjeve të vitit 2015, kur tashmë dhe Edi Rama ishte kryeministër.

Projekti për Sheshin Skënderbej

Projekti shkaktoi debate në publik. Në vitin 2015, qeveria e Rajonit federal të Flamandisë në Belgjikë shkarkoi nga detyra kryearkitektin Peter Swinnen, një prej themeluesve të firmës 51N4E, pas zbulimit të një skandali korrupsioni mes kompanisë 51N4E dhe qeverisë shqiptare, përfshirë dhe rikonstruksionin e Sheshit Skënderbej e kullën TID (sot Hotel Plaza).

Ndërtimi i sheshit u krye nga kompania Fusha shpk, kompani e afërt me qeverinë. Kjo kompani ka përfituar disa tendera shumë-milionësh nga qeveria, pa asnjë konkurencë dhe gjithnjë me ofertën më të lartë.

Në total, Fusha shpk ka përfituar 17 milionë euro nga Bashkia Tiranë, pa konkurrencë dhe garë, për ndërtimin e Sheshit Skëndërbej (15 milionë euro) dhe parkimit nëntokësor (2 milionë euro). Kështu, sheshi Skënderbej është kthyer në një prej projekteve urbane më të kushtueshme në Tiranë.
Karakteristika e Sheshit Skënderbej, e promovuar më së shumti nga arkitektët, është ekzistenca e burimeve të shumta me “ujë që rrjedh duke zbuluar sipërfaqen me shumë ngjyra të sheshit dhe duke treguar bukurinë e tij”.

Por, në të vërtetë cilësia e dobët e materialeve të përdorura për të ulur shpenzimet, si për shembull mos veshja e pllakave me një shtresë të vecantë dhe avullimi i lartë i ujit në stinën e verës, ka shkaktuar dëmtimin e tyre nga burimet e ujit dhe krijimin e një shtrese papastërtish dhe mbetjesh të dukshme mbi to.

Për më shumë, punimet për pedonalizimin e Sheshit Skëndërbej dhe për ndërtimin e parkimit nëntokësor kanë prishur nivelin e vendosjes së pusetave që mbledhin ujin e sheshit, duke krijuar kështu mundësi për përmbytje të vazhdueshme të godinave përqark sheshit.

Gjatë rreshjeve të viti të kaluar, doli në pah se sistemi i kullimit të ujërave të Sheshit Skenderbej nuk funksionon siç duhet. Për pasojë, ujërat e shumta të shiut përmbytën godinën e Bibliotekës Kombëtare dhe atë të Bashkisë Tiranë.

1 koment

    Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

    Lajme te ngjashme