Si e përdori qeveria administratorin e UT-së për të justifikuar dhunën e policisë ndaj studentëve Skerdi Dafa gjatë fushatës elektorale të Partisë Socialiste

Administrimi i universiteteve publike është nën kontrollin e plotë të qeverisë, dhe tani që studentët protestojnë kundër qeverisë, administratorët dhe policia po përdoren nga qeveria kundër studentëve.

Që prej 9 janarit, ditë kur studentët kanë nisur bllokimin dhe ngujimin brenda fakulteteve, forca të shumta nga policia e shtetit kanë hyrë në ambientet universitare, kanë ushtruar presion dhe dhunë mbi studentët.

Fillimisht policia ka hyrë në ambientet universitare para dy ditësh, më 9 janar dhe mëngjesin e djeshëm, më 10 janar, veprim i cili është në shkelje të ligjit, pasi ligji ndalon futjen e tyre në këto mjedise, veçse me kërkesë të drejtuesve të universitetit.

Pas reagimeve të ashpra të studentëve dhe shkrimeve në media se prania e policëve në mjediset universitare është e paligjshme, në rast se nuk ka kërkesë nga drejtuesit e universitetit, qeveria vendosi të përdorë administratorët e universiteteve dhe të tregojë se policia ka ndërhyrë me kërkesë dhe leje nga universiteti.

Për këtë arsye, sot u bë publike në media kërkesa e Skerdi Dafës, administratorit të UT-së, universitetit më të rëndësishëm të arsimit në Shqipëri. Në kërkesë Zoti Dafa shkruan “kërkohet ndihma dhe asistenca e forcave të rendit dhe të sigurisë publike të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me kompaninë private të sigurisë fizike, për të shmangur çdo dëmtim të ambienteve apo rëndim të panevojshëm të situatës.”

Por me një vëzhgim të thjeshtë të fletë-kërkesës duket qartë se ajo është bërë në datë 10 janar, rreth orën 14:00 në mesditë, ndërkohë që policia ka hyrë në fakultetet ku studentët po ngujoheshin që në datën 9 janar. Pra, qartësisht veprimet e policisë së shtetit, në bashkëpunim me kompanitë private të sigurisë fizike dhe drejtuesit e fakulteteve, që nuk kanë bërë asgjë për t’i ndaluar ata, janë bërë në shkelje të ligjit. Vetëm pasi veprimet e tyre u denoncuan në media, administratori i UT-së Skerdi Dafa ka hartuar kërkesën siç e parashikon ligji.

Situata rëndohet edhe më shumë pas denoncimit të disa mediave se Skerdi Dafa, administratori i përdorur për të “legjitimuar” ndërhyrjen e policisë, është një militant dhe funksionar socialist i shpërblyer me poste publike nga Partia Socialiste pas ardhjes në pushtet.

Zoti Dafa ka qenë Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i Postës Shqiptare dhe drejtor i Drejtorisë Rajonale të Tatimeve të Elbasanit deri në vitin 2017, kur u emërua Administrator i Universitetit të Tiranës.

Emërimi i Dafës u bë nga Bordi i Administrimit të Universitetit të Tiranës, katër prej shtatë anëtarëve të të cilit janë përfaqësues të Ministrisë së Arsimit. Zoti Dafa ka qenë aktiv dhe në fushatat elektorale të Partisë Socialiste.