Shkatërrohet Kanioni i Holtës, një nga pikat kryesore të turizmit

Shkatërrohet Kanioni i Holtës, një nga pikat kryesore të turizmit Kanioni i Holtës

Dy hidrocentrale do të ndërtohen pranë Kanionit të Holtës, një bukuri e rrallë e natyrës dhe zonë turistike në lumin Devoll, në afërsi të Gramshit. Në prill të 2018-ës, qeveria Rama miratoi lejen për ndërtimin e hidrocentralit Strori, ndërsa në shtator të 2018 ajo miratoi lejen për ndërtimin e hidrocentralit të Binelës. Hidrocentralet do të kenë secili një kapacitet 2 MW.

Kanioni i Holtës është kthyer kohët e fundit në një nga tërheqjet kryesore natyrore të vendit, i cili vizitohet çdo vit nga mijëra turistë vendas dhe të huaj. Për këtë arsye, lajmi për ndërtimin e hidrocentraleve ka ngjallur reagime qytetare në media dhe në rrjetet sociale. Kjo për shkak se, ndërtimet do të ndikojnë në mjedisin pranë kanionit dhe do dobësojnë tërheqjen turistike të zonës. Ndërsa, vlera e hidrocentraleve në lidhje me furnizimin me energji të vendit është e papërfillshme, dëmi natyror dhe në zhvillimin turistik të zonës është i madh.

Shqetësimi për këtë çështje bëhet edhe më i madh nisur nga procedurat krejtësisht jo transparente për dhënien e koncesioneve.

Lejet koncesionare për të dy hidrocentralet i janë dhënë kompanisë Era Hydro. Kompania është krijuar në vitin 2016, me ortak të vetëm, Nertil Gjatën  dhe nuk ka asnjë përvojë as në ndërtim hidrocentralesh dhe në asnjë fushë tjetër.

Për ndërtimin e hidrocentralit Strori, Era Hydro ka kontraktuar firmën Klaudia Konstruksion, e cila është krijuar në 15 mars 2016 dhe nuk ka asnjë përvojë në ndërtime hidrocentralesh apo fushë tjetër.

Analiza e vlerësimit të ndikimit në mjedis, për të dy ndërtimet është kryer nga firma AM-RES, e cila është krijuar në gusht 2016, dhe nuk ka përvojë në fushën e vlerësimeve në mjedis.

Vlerësimi arkeologjik i zonës, i domosdoshëm për marrjen e lejes së ndërtimit, është kryer nga Taulant Rama, person fizik i regjistruar në mars të 2017-ës, i cili e ka kryer vlerësimin menjëherë pas regjistrimit. Kjo pasi, Ministria e Kulturës e ka miratuar atë në dhjetor të 2017-ës.

Në mënyrë të dyshimtë, pas marrjes së liçensave koncesionare, në nëntor 2018, ortaku i vetëm i kompanisë Era Hydro, e ka shitur kompaninë e tij tek Miranda dhe Bardhyl Sali.  Ky i fundit – bashkëpronar i kompanisë Sali Elektrik –me seli në Durrës, e njohur në fushën e shitjeve të materialeve elektrike. Kompania u shit për shumën 100 mijë lekë, afërsisht 800 euro.

Kohët e fundit janë rritur shumë dhëniet e lejeve për hidrocentralet e vogla. Kjo ndodhi pasi qeveria vendosi në vitin 2015 (VKM numër 822 datë 14.10.2015) që lejet koncesionare për hidrocentralet me kapacitet deri në 2 MW – sikurse janë dy hidrocentralet e lartpërmendura – të jepen pa procedurë tenderi, por vetëm me miratimin e Ministrit të Energjisë. Lehtësimet në ligj kanë bërë që të rriten numri i hidrocentraleve të vogla në kanione apo në përrenjtë e vendit.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme