Udhëtim në Krishtlindje

Nga Arta Rama
Udhëtim në Krishtlindje

Në vendin tonë 2018-ta ishte viti i sulmeve, kërcenimeve ndaj gazetarëve dhe lirisë së shprehjes. Sipas Unionit të Gazetarëve të Shqipërisë (UGSH) më shumë se 45 gazetarë të mediave të ndryshme kanë kërkuar azil në SHBA dhe BE për shkak të kërcënimeve që kanë marrë gjatë punës së tyre. Për të risjellë në vemendjen këtë fenomen po publikojmë edhe një herë artikullin e gazetarit Arta Rama, “Udhëtim në Krishtlindje”.

***

Kur makina mbërriti në kufi, jashtë nuk kishte zbardhur ende. Nga brenda sportelit lëvizi një kokë e përgjumur dhe nëpunësi i veshur me uniformë i përshëndeti pa fjalë. Dokumentat ndodheshin në një kuletë me ngjyrë të çelët që burri i dorëzoi pa dalë nga kabina. Ata ishin tre dhe pritën në heshtje. Prej dritës së zbehtë nga pika e kontrollit, në sediljen e pasme, shquhej fytyra e butë e një fëmije që flinte.

Vendimi për t’u larguar kishte qënë i shpejtë dhe gruaja kishte kërkuar të shmangej Rinasi. “Ndoshta, më mirë të ikim nëpërmjet tokës”, kishte thënë ajo. “Kështu nuk na pikasin dot”. Ai e kuptoi nga toni e jo nga fjalët, se nuk kishte vend për diskutime. Ajo filloi menjëherë të paketonte. Në mbrëmje, gjithçka ishte gati.

Kur u larguan, qyteti kishte rënë në gjumë. Djali u ul mbrapa dhe ajo e mbuloi me një xhaketë. Udhëtimi kaloi në heshtje dhe rruga deri në kufi ishte pothuajse e zbrazët.

Dhe ja, tani gjendeshin në kalimin doganor, në kufirin verior të vendit. Zbukurimet e Krishtlindjes të vendosura mbi sportel, në pikën e kontrollit, sikur e theksonin më shumë largësinë dhe të panjohurën drejt së cilës ata po drejtoheshin. Procedurat e kontrollit nuk zgjatën më shumë se dhjetë minuta. Sporteli u mbyll dhe makina lëvizi përpara. Pa kaluar as pesëqind metra, u kthyen në të djathtë dhe morën drejtimin e Shkupit. Ajo u përpoq të orientohej dhe vështroi jashtë. Mbështeti ballin mbi xhamin e ftohtë dhe mendimet sikur iu freskuan…

Shtatëmbëdhjetë vjet më parë, kur ajo ishte një reportere e re, i kishte pritur emigrantët e luftës në këtë vend. Edhe atëherë kishte qënë errësirë, si tani. Me mijëra kishin zbarkuar në fushë. Të ardhur nga lufta, krahas plaçkave mbi kerre, ata mbartnin dramën e një konflikti etnik. Në sytë e tyre shihej përulje dhe frikë. Me qindra çadra u ngritën brenda orëve të para. Kampi u pushtua nga gratë dhe të qarat e fëmijëve. Kishin kaluar shtatëmbëdhjetë vjet dhe shumë gjëra ishin harruar.

Makina po i afrohej Shkupit, ndërsa manteli i natës po zhbëhej me shpejtësi. Në sedilje, i vogli u shtriq dhe më pas u rrotullua lehtë. Ajo i foli ëmbël e me zë të hollë, por ai nuk u zgjua. Nëse do të hapte sytë për të parë vetëm një çast do të fiksonte fytyrën e bardhë të një gruaje me sy të zinj të mëdhenj përpara tij. Ajo e mbuloi nga këmbët, pastaj ktheu vështrimin nga i shoqi, në timon, por ishte ai që foli i pari. –Po mbërrijmë, – i tha, pa e shkëputur vështrimin nga rruga. Ajo mori frymë thellë dhe u mbështet në sedilje. Ishte një udhëtim pa fjalë, ose një ikje që po merrte me vete diçka më të thellë, më të dhimbshme, ndonëse në heshtje.

Kur mbërritën, aeroporti ishte lagur nga shiu. Makinën e lanë në hyrje, pranë një hoteli, ku deri në mbrëmje, sipas porosisë, dikush do ta kthente mbrapsht.

Duke mbajtur në duar vetëm dy valixhe, ata kaluan kontrollin dhe u drejtuan në një korridor të ngushtë me tavan të ulët. Stjuardesa po i priste me një buzëqeshje të lehtë që sa vinte e zmadhohej, ose ndoshta iu dukej për shkak se ishin ata që po afroheshin drejt saj. Ajo u mori biletat me llustër të kuqe dhe më pas e përkëdheli djalin në kokë. I hodhi një vështrim gruas dhe i ftoi brenda. Kaluan hyrjen dhe pasi përshkruan trupin e avionit si të ngrirë u sistemuan ngadalë. Pas njëzetë minutash, avioni u ngrit. Një zhurmë e shkurtër përshkoi pistën dhe sakaq avioni humbi në ajër. Për një çast u duk vetëm një pikë e zezë e cila më pas u tret në re. Zhurma e motorrëve e vuri në gjumë.

Kur u zgjua, vështroi nga dritarja dhe u përpoq të shquante horizontin. Përtej reve shtrihej një vijë e turbullt me ngjyrë të kuqe të lehtë. Mori frymë dhe preku djalin. Kishte ende rrugë, por megjithatë ishin larguar mjaft. Mendja i shkoi përsëri te të ikurit. Ata kishin mbërritur të gjithë brenda një nate ose dy! Banorët i kishin ndihmuar me ç’kishin mundur. Po mundohej të freskonte kujtesën duke i mbajtur sytë e hapur e të palëvizur. E shkuara po lëviste ngadalë e me vështirësi…

Pas pak ndjeu shijen e një keqardhjeje. Shtrëngoi dorën dhe u përtyp. Atë nuk e priste askush! Ndoshta askush nuk do të raportonte për të. Kjo ishte një ikje e fshehtë, në heshtje, në errësirë. Ditët e fundit, ankthi e kishte paralizuar të tërën. Ndaj dhe një ditë më parë, kur në celular i mbërriti një mesazh kërcënues, frika me të cilën po jetonte u shndërrua në panik. Vendimi ishte i menjëhershëm. Thirri të shoqin e i tha: – “Merr djalin në shkollë! Shko tani!”. Dhe ai nuk hezitoi.

Në mbrëmje, kur të gjitha u bënë gati, u mbështet në divan dhe priti mesnatën. Bashkë me shtëpinë ajo po linte pas një karrierë njëzetë vjeçare. Po linte nënën, motrën e të afërmit. Gjithçka!

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme