Vendimi i qeverisë për vlerësimin e stafit akademik është antiligjor

Nga Megi Ndregjoni
Vendimi i qeverisë për vlerësimin e stafit akademik është antiligjor

Vetingu i pedagogëve ishte një nga kërkesat e studentëve që vazhdojnë ende të protestojnë ndaj qeverisë. Kjo kërkesë, krejtësisht e pazakontë dhe e dyshimtë, ka gjetur menjëherë mbështetjen e qeverisë Rama.

Më 26 dhjetor, me një vendim të posaçëm, qeveria ka vendosur të kryejë vlerësimin e personelit akademik të shkollave të larta publike. Për këtë qëllim qeveria ka ngarkuar Agjencinë për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ASCAL), e cila është në varësi direkte të Kryeministrit Rama. Kjo agjenci e cila është e ngarkuar me ligj për mbikqyrjen e procesit të akreditimit të shkollave të larta, tani do të ketë kompetencë edhe vlerësimin e cilësisë së punës së pedagogëve të shkollave publike.

Por vendimi i qeverisë është antiligjor, pasi është synuar që me një akt nënligjor t’i jepen ASCAL-it  kompetenca që kapërcejnë statusin dhe pëgjegjësitë e saj të vendosura ma ligj.

Më poshtë, Exit.al shpjegon më në detaje.

Neni 118 i Kushtetutës parashikon se “aktet nënligjore nxirren në bazë dhe për zbatim të ligjeve nga organet e parashikuara në Kushtetutë” dhe se për këtë qëllim këto akte duhet të autorizohen në mënyrë të qartë nga ligji, i cili gjithashtu duhet të përcaktojë edhe “organin kompetent, çështjet që duhen rregulluar, si dhe parimet në bazë të të cilave nxirren këto akte.”

Ligji i Arsimit të Lartë (neni 14) parashikon se Këshilli i Ministrave mund të nxjerri VKM, vetëm për organizimin dhe funksionimin e ASCAL-it, por jo për të ndryshuar përgjegjësitë dhe objektin e veprimtarisë të ASCAL-it. Vendimi i para dy javëve nuk ka të bëjë fare me organizimin dhe funksionimin e agjencisë por rreket që me vendim qeverie të zgjerojë kompetencat e saj jashtë përcaktimeve ligjore. Ky zgjerim mund të bëhet vetëm duke ndryshuar ligjin, dhe çdo akt nënligjor me këtë qëllim është i paligjshëm dhe duhet të konsiderohet nul.

Por vendimi i qeverisë ka edhe një problem tjetër thelbësor: ai cënon autonominë universitare, parim i parashikuar nga Kushtetuta dhe Ligji për Arsimin e Lartë.

Duke qenë se ASCAL-i  është në varësi të drejpërdrejtë të Kryeministrit, praktikisht vlerësimi i stafit akademik do të bëhet nën ndikimin e qeverisë  dhe jo nga universitetet apo studentët, ashtu siç kanë kërkuar këta të fundit.

Pika 5 e VKM-së, parashikon se ASCAL-i ja dorëzon raportin përfundimtar të hartuar nga ai, Ministrisë së Arsimit dhe Universitetit përkatës. Kështu në procesin e vlerësimit futet automatikisht Ministria duke bërë që të cënohet autonomia universitare. Pedagogët sipas Ligjit të Arsimit të Lartë kanë kontratë me Rektoratin dhe jo me Ministrinë.

Vendimi krijon gjithashtu një strukturë, Sondazhi Kombëtar i Studentëve,  që  po ashtu do të bëjë vlerësimin e performancës së pedagogëve.

Ndërkohë nuk ka asnjë të dhënë si do të ngrihet dhe do të funksionojë kjo strukturë dhe cili do të jetë efekti i rezultateve të tij.

Kështu përsëri jo vetëm që Kryeministri Rama nuk ka  plotësuar kërkesën e studentëve, por ky vendim i miratuar është antiligjor dhe shkel Kushtetutën.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme