Zhvendosja e juridikut tek “Petro Nini” është e paligjshme dhe rrezikon sigurinë e gjimnazistëve

Zhvendosja e juridikut tek “Petro Nini” është e paligjshme dhe rrezikon sigurinë e gjimnazistëve

Për të thyer protestën e studentëve që kanë pushtuar ndërtesën e Fakultetit të Drejtësisë, Dekani Artan Hoxha i kërkoi Ministrisë së Arsimit t’i ofronte mjedise shkollash ku të zhvilloheshin mësimet për ata studentë që duan të bëjnë mësim. Ministria i Arsimit vendosi të transferojë mësimin e Fakultetit në mjediset e gjimnazit Petro Nini Luarasi të Tiranës.

Por, ky vendim i Ministrisë dhe Dekanit është në shkelje të ligjit. Neni 32 i Ligjit për Arsimin Parauniversitar shprehet:

Institucioni arsimor u ofron nxënësve, mjediset dhe pajisjet për veprimtari sportive, kulturore e zbavitëse edhe pas orëve mësimore, si dhe në ditët e pushimit.”

Kjo do të thotë, se mjediset e gjimnazit “Petro Nini” u pëkasin nxënësve të tij, të cilët kanë të drejtën t’i përdorin mjediset për mbas orëve zyrtare të mësimit, për çfarëdo aktivitet passhkollor, qoftë për të luajtur në mjediset sportive.

Vendimi i marrë nga Ministrja Shahini dhe Dekani Hoxha përcakton se gjatë mbasditeve, klasat dhe mjediset e tjera të gjimnazit do të mbushen me studentë të moshave nga 18 deri 23-24 vjeç, pa përjashtuar mosha më të mëdha të përfshira në studimet master.

Përveçse pushtimit të paligjshëm të mjediseve shkollore, përzjerja e nxënësve adoleshentë më të rinj dhe të rritur është një veprim që mund të cënojë sigurinë dhe mirëqenien e nxënësve.

Ndarja mes fëmijëve adoleshentë dhe të rriturve e mjediseve mësimore, banjove, dhe mjediseve të tjera të shkollës është veprim krejt i papërgjegjshëm dhe shumë shqetësues.

Në përgjithësi, mund të thuhet se mjediset e shkollës së mesme janë krejt të papërshtatshme për të zhvilluar mësimdhënie të nivelit universitar.

Veprimi i Dekanit Hoxha, në vend që të zgjidhin situatën, po e përkeqëson atë dhe minon përpjekjen për plotësimin e kërkesave të studentëve. Fillimi i pjesshëm i mësimeve në mjedise të tjera, jo vetëm që nuk do të zgjidhë asgjë, por do të çojë në situata problematike duke diktuar ecurinë e njejtë të studentëve në mbarëvajtjen shkollore.

Vendimi i Dekanit Artan Hoxha duket edhe më i pakuptueshëm në kushtet kur shumica e pedagogëve në Fakultetin e Drejtësisë mbështet kërkesat e studentëve dhe ka firmosur një deklaratë në mbështetje të këtyre kërkesave të studentëve.

Të premten e shkuar, shumica e pedagogëve nga Fakulteti i Drejtësisë morën një hap tjetër duke lëshuar një deklaratë të përbashkët, me anë të së cilës, kërkonin shfuqizimin e Ligjit të Arsimit të Lartë, duke i lënë afat deri më 1 shkurt qeverisë për këtë gjë. Në deklaratë ata kanë kërcënuar se, në rast të kundërt, do të hyjnë në grevë.

Në këto kushte, duket se veprimi i Dekanit Hoxha ka për qëllim t’i shërbejë qeverisë dhe jo studentëve dhe ka gjasa që nëse zbatohet, të krijojë konflikte dhe acarime të mëtejshme mes studentëve dhe dekanatit.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme