400 të rinj diplomohen për marketing dixhital

Rreth 400 të rinj u diplomuan më 7 shkurt nga Akademia Link, si ekspertë në marketingun dixhital.

Në ceremoninë e diplomimit morën pjesë edhe përfaqësues të kompanive globale në fushën dixhitale, të marketingut dhe të teknologjisë së informacionint, si Google e Microsoft.

Duke u përqendruar tek teknologjia e informacionit dhe tek aftësimi i të rinjve për të punuar në të ardhmen, në marketingun dixhital, Tomaso Uliana, partner-menaxher në Google dhe ekspert i fushës, theksoi nevojën për të tilla akademi. Ai u shpreh se, duke qenë se tregu lëviz shumë më shpejt se sa kurrikulat e universiteteve, rrjedhimisht krijon hendeqe në njohuri, të cilat në afatshkurtër mund të plotësohen vetëm nga nisma të tilla si akademia në fjalë.

Ndërsa themeluesi i Akademisë Link, Agron Shehaj u shpreh:

“Mund të hedhim hapat e para në fushën e marketingut dixhital dhe të informatikës dhe të bëjmë të mundur që të kemi 30 mijë të rinj shqiptarë që punojnë në marketingun dixhital.

Avantazhet e këtij sektori janë sepse tregu është gjigand. Është e gjithë bota, ku ne mund ta eksportojmë këtë shërbim.

Avantazh tjetër është që ky treg po rritet. Ka një kërkesë të jashtëzakonshme dhe, nëse kemi burimet njerëzore të formuara, atëherë kompanitë e huaja vijnë për këta njerëz, sepse procesi i transformimit dixhital prek gjithçka.”

Sokol Vladi, Drejtori Ekzekutiv i Microsoft-it në Shqipëri, u shpreh përpara të sapodilpomuarve se transforimi dixhital është sfida e re për ekonominë shqiptare:

“Marketingu dixhital është shërbim për të gjitha bizneset. Këtu është një potencial i madh. Edukimi për teknologjitë e reja është themelor për t’i aplikuar më pas në industritë që sot kemi.”

Kushtrim Shala, ekspert i fushës, po ashtu theksoi se do të ketë ndryshime të mëdha në fushën e marketingut dixhital:

 “Të rinjve u them që të mos dekurajohen, por të besojnë shumë, sepse marketingu dixhital është një avantazh i madh, është një universitet në vetvete.”

Akademia Link do të vazhdojë të ofrojë trajnime falas një dhe gjashtëmujore, në sektorë të teknologjisë së informacionit, si marketing dixhital, menaxhim, design, reklamim dhe ndërtim faqesh.