Ambasadori Soreca ndërhyn në sistemin e “pavarur” gjyqësor të Shqipërisë

Nga Vincent W.J. van Gerven Oei
Ambasadori Soreca ndërhyn në sistemin e “pavarur” gjyqësor të Shqipërisë

Në nëntor 2018, një grup përfaqësuesish nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit u takua me Ambasadorin e BE-së Luigi Soreca, për të diskutuar mbi antikushtetueshmërinë e Ligjit Special, të miratuar nga Parlamenti, për t’i dhënë kompanisë Fusha tokën publike të Teatrit Kombëtar pa asnjë procedurë prokurimi publik.

Gjatë takimit, ambasadori Soreca deklaroi se reforma në drejtësisë, e cila e ka lënë vendin pa Gjykatë Kushtetuese ka qenë nisëm e institucioneve shqiptare, pa pasur ndërhyrjen e ndërkombëtare. Ai tha se BE-ja kishte luajtur rol lehtësues, duke mbështetur qeverinë dhe gjyqësorin përmes misionit të ndihmës teknike EURALIUS dhe Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM), i cili ndihmon në procesin e vetingut.

Me fjalë të tjera, Soreca mori një qëndrim që të paktën në sipërfaqe është në përputhje me politikën e BE-së, pra të mos ndërhyjë hapur në punët e shteteve të tjera. Natyrisht, ishte e pavend që Soreca nuk e pranoi faktin se kriza kushtetuese, në të cilën Shqipëria vazhdon të jetë, është pjesërisht përgjegjësia e atyre zyrtarëve të BE-së që kanë patur vetëm rol “lehtësues” dhe të cilët shfaqën paaftësi të theksuar tek ndihmonin qeverinë të ndërhynte në sistemin e drejtësisë apo të gjymtonte pjesë thelbësore të gjyqësorit – po nejse.

Tani, kur një ambasador bën një pohim të tillë parimor, me të drejtë njerëzit do të prisnin që ai ta mbante fjalën. Por, ditën e hënë, Soreca postoi një mesazh në Twitter, ku i kërkoi Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGj) të shqyrtojë vendimin e Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda, për të ulur dënimin e Dritan Dajtit –  i cili ka vrarë katër oficerë policie – nga dënim me vdekje në dënim me 25 vjet burg. 

Ambasadori Soreca shkroi:

“Vendimi i Gjykatës së Apelit për uljen e dënimit të të pandehurit të dënuar për vrasjen e 4 policëve, bën thirrje për vlerësim urgjent nga KLGJ dhe Prokurori i Përgjithshëm. Reforma në drejtësi është e pakthyeshme dhe do të mbulojë të gjithë nivelet e sistemit gjyqësor.”

Por, pse vallë ambasadori i BE-së, i cili refuzoi pak kohë më parë të ndërhyjë në veprimet e qeverisë haptazi në shkelje të Kushtetutën dhe të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me BE-në, papritmas ndërhyri në një çështje gjyqësore, e cila nuk ka lidhje drejtpërsëdrejti me BE-në?

Përgjigja për këtë gjendet në artikullin që Soreca ka botuar bashkë me mesazhin e tij në Twitter. Artikulli nga gazeta “Shqiptarja” citon ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj dhe ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, të cilët me zë të lartë hedhin poshtë vendimin e Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda, duke e quajtur atë “tronditës” dhe “të paprecedent”.

Me sa duket, ambasadori i BE-së ndërhyn vetëm në çështjet ku qeveria sulmon sistemin e drejtësisë. Në këtë rast ai e bashkon më dëshirë zërin e tij me atë të qeverisë dhe kërkon “vlerësim urgjent”. Por kur ka raste ku qeveria shkel Kushtetutën dhe gjykatat janë të paralizuara, Soreca tërhiqet në jastëkët e rehatshëm të dekorit diplomatik.

Rezultati i vërshimit të postimeve më të fundit në median sociale të Soreca-s është se nëse KLGj vendosë të hetojë vendimin ndaj Dritan Dajtit, do të duket se e bëri këtë me këmbënguljen e qeverisë dhe BE-së. Kjo do të politizonte më tej një institucion të projektuar për të qenë i paanshëm. Nëse KLGj nuk vepron, kjo do të “tregojë” se e tërë reforma e drejtësisë ka qenë pa vlerë, sepse pavarësisht nga institucionet e reja qeverisëse, korrupsioni vazhdon të jetë i pranishëm brenda gjykatave.

Të dy rezultatet janë njësoj të padëshirueshme dhe me postimet e tij Soreca vetëm sa e ka përkeqësuar situatën.

0 komente

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme