Banesat e Astirit — Demokrati Rama përballë autokratit Alijev

Nga Arjan Balla
Banesat e Astirit  — Demokrati Rama përballë autokratit Alijev

Në Baku, kryeqyteti i Azerbajxhanit, qeveria e presidentit autoritar Ilham Alijev ka nisur të shembë qindra shtëpi të ndërtuara pa leje në lagjen “Shangai”, për t’i hapur rrugë ndërtimit të një rruge dhe të një ure. Banorët e Shangait kanë pak të ardhura. Ata i kanë ndërtuar shtëpitë pa leje me gjithfarë materialesh – baltë, qerpiç, mbetje të ngurta, tulla, mbetje plastike. Banorët kanë paguar për shërbimet e qeverisë si energjia elektrike, uji dhe taksat e tjera. Qeveria nuk ka hapur proces legalizimi për shtëpitë pa leje.

Në Tiranë, kyeqyteti i Shqipërisë, qeveria e kryeministrit Edi Rama nisi të shembë qindra shtëpi pa leje në lagjen “Astir”, për t’i hapur rrugë ndërtimit të një rruge me mbikalime. Banorët e Astirit kanë pak të ardhura. Shumë prej tyre i kanë ndërtuar shtëpitë pa leje, por me materiale normale. Banorët kanë paguar për shërbimet e qeverisë si energjia elektrike, uji dhe taksat e tjera. Banorët i kanë paraqitur qeverisë kërkesat dhe dokumentet për t’i legalizuar shtëpitë e tyre. Ata kanë paguar taksat për shërbimin e qeverisë për t’u legalizuar shtëpitë. Qeveria ka vendosur ta ndalojë procesin e legalizimit të shtëpive të tyre dhe t’ua shembë shtëpitë.

Në Baku, lagjja Shanghai u popullua në vitet ’60 dhe në vitet ’90. Lagjen e çajnë mespërmes shinat e trenit, i cili kalon rregullisht çdo ditë. Hekurudha është e rrezikshme për banorët. Shtëpitë në të dy anët e hekurudhës janë aq afër, saqë shumë fëmijë kanë humbur jetën të shtypur nga treni. Të dhënat dhe pamje të lagjes tregojnë se banorët e saj jetojnë në varfëri.

 

Në Tiranë, lagja Astir është populluar pas viteve ’90. Zona e lagjes ku ndodhen shtëpitë nuk është më e rrezikshme se çdo zonë e ngjashme në kryeqytet. Zona ku ndodhen shtëpitë që do të prishen ka dyqane, që ofrojnë shërbime të ndryshme. Pamje të kësaj lagjeje tregojnë se kjo është si të gjitha lagjet e tjera të reja në Tiranën e pas viteve ’90.

Në lagjen Shangai, nëpunës të qeverisë u paraqitën tek banorët, lajmëruan se shtëpitë e tyre do të shembeshin dhe se banorët do të kompensoheshin me 600 dollarë amerikanë për metër katror. Presidenti Alijev tha se kompensimi, në fakt, u bë me 880 dollarë amerikanë për metër katror. 476 shtëpi pa leje u prishën dhe banorët u kompensuan për çdo metër katror. Deri tani, 32 shtëpi nuk janë shembur, pasi banorët me shtëpi pa leje mendojnë se kompensimi që u jep qeveria nuk është i mjaftueshëm. Qeveria ende nuk ua ka shembur shtëpitë e tyre, megjithëse shembjet kanë nisur përpara një viti.

Në lagjen Astir, nëpunës të qeverisë erdhën në lagje, shënuan kryqe në dyert e shtëpive dhe, vetëm kur banorët i pyetën se ç’po ndodhte, ata u përgjigjën se shtëpitë e tyre do të shembeshin pas pak ditësh. Banorët nisën një protestë. Kryetari i Bashkisë Tiranë Erion Veliaj i quajti ata “shpellarë”.

Pushteti në Azerbajxhan është krejtësisht i përqendruar në një dorë të vetme – atë të Presidentit Alijev. Regjimi i Alijevit është një regjim autoritar. Familja e tij përfiton shuma të mëdha nga pronat dhe punët publike në vend. Ndaj mund të supozohet lehtësisht se edhe projekti i qeverisë azere në lagjen Shangai do t’i sjellë përfitime Alijevit, të drejtpërdrejta ose të tërthorta.

Pushteti në Shqipëri është në duart e Kryeministrit Edi Rama prej gjashtë vitesh. Shqipëria është një vend me demokraci hibride. Qeverisja e Kryeministrit Edi Rama është akuzuar për një shkallë të lartë korrupsioni me tenderat publike. Tenderi për ndërtimin e rrugës në lagjen Astir u vërtetua se ishte një tender krejtësisht korruptiv. Njëra ndër kompanitë fituese të tenderit u vërtetua se ishte kompani fantazmë, me dokumente të falsifikuara amerikane. Pavarësisht kësaj, qeveria e Kryeministrit Edi Rama i dha kësaj kompanie dy tendera me vlerë 30 milionë euro. Me plasjen e skandalit dhe nën frikën e përfshirjes së autoriteteve amerikane në hetim, qeveria i pushoi shembjet dhe anuloi vetëm një pjesë të tenderit.

Banorët e Shangait, që ende kundërshtojnë shembjen, thonë edhe se nëpunësit e qeverisë janë sjellë keq me ta:

Banore e moshuar [1]: U thashë nëpunësve: “Do hedh vajguri e do i vë flakën vetes”. “Vërja,” – më thanë.

Banore e moshuar [2]: Më thanë: “Po ti plakaruqe je, ç’të duhet shtëpia?” Po pse, një plakaruqe nuk e paska hak shtëpinë? Nuk u dashka të jetojë si njeri? Sikur hiç, kam rritur fëmijë unë. Është ushtar djali tani. Meqë jam plakur, ça, duhet të më hedhin tutje tani?!

Banorët e Astirit janë të revoltuar për trajtimin nga qeveria, përbuzjen e kryebashkiakut, sharjet, veshin e shurdhër dhe korrupsionin e qeverisë. Megjithatë, hallin ata e kanë se do të humbasin gjithë kursimet e jetës të derdhura tek shtëpia:

Banore e moshuar [1]: Shih, ku jetojmë. Unë vdiqa nga i ftohti, akull jam. Du ndihmë. Pa dru, pa zjarr… Nuk e di. Nuk di si do bëhet halli […] Është e kotë.

Banore e moshuar [2]: Vinim te ALUIZNI dhe na thoshte që s’është mbaruar dosja. Kemi 14 vjet që na sorollasin. Ne për këtë shtëpi kemi punuar. Duam që në këtë shtëpi që kemi kokën… Këtë shtëpi që kam këtu t’ma japin, nuk duam shumë, se s’kam mundësi që të bëj tjetër. Është e mundur të rrimë mes xhadesë, në këtë moshë që jam unë?

Qeveria e Presidentit Alijev, megjithëse i ka kompensuar me një vlerë të lartë banorët për shtëpitë e tyre pa leje, sërish nuk i ka nxjerrë me forcë jashtë shtëpive familjet që nuk janë dakord me vlerën e kompensimit. Është e kuptueshme që autoritarizmi i tij nuk e ka për gjë t’i nxjerrë edhe me dhunë, edhe të mos i kompensojë fare banorët e shtëpive pa leje. Por, fakti është që Alijevi nuk i ndërmori këto veprime. Qeveria e Alijevit vazhdon të diskutojë me 32 familjet të cilat nuk bien dakord me vlerën e kompensimit, pavarësisht se 476 familje janë larguar tashmë.

Qeveria e Kryeministrit Edi Rama është e prerë në lidhje me kompensimin. Kryeministri Rama dhe Kryetari i Bashkisë Veliaj thanë se ata nuk do t’i kompensojnë banorët. Madje, qeveria ndërpreu edhe procesin e legalizimit për shtëpitë e tyre, pasi u kishte pranuar aplikimin dhe u kishte marrë pagesat përkatëse. Qeveria arrestoi disa herë disa banorë të Astirit, të cilët vazhdojnë të protestojnë kundër shembjes së shtëpive të tyre. Ajo u ndërpreu energjinë elektrike gjatë dimrit për t’i detyruar të largoheshin. Gjithashtu, qeveria i përbuzi ata, duke folur me nënkuptim për prejardhjen e tyre, duke i quajtur “shpellarë”, duke trilluar takime me banorë që shfaqeshin shumë të kënaqur nga qeveria, madje edhe skena me banorë që gjoja me vullnetin dhe shpenzimet e veta i prishnin vetë shtëpitë e tyre, pa marrë kompensim nga qeveria.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme