Nga Alice Elizabeth Taylor
BE duhet t’i dëgjojë thirrjet e vendeve të Ballkanit për demokraci Maja Kocijancic

Të martën opozita organizoi protestën e tretë brenda 10 ditëve në Tiranë. Mijëra protestues u thirrën në pak orë për t’u mbledhur jashtë Parlamentit, ku Kryetari Gramoz Ruçi kishte thirrur papritur një seancë, duke anashkaluar rregullin për t’i njoftuar anëtarët e Konferëncës së Kryetarëve 48 orë përpara.

Në protestë pati disa herë tensione, përplasje të vogla dhe vandalizëm, ndërsa policia u përgjigj duke hedhur gaz lotsjellës mbi protestuesit. Një protestues shpjegoi se si iu desh mbulonte fytyrën e vajzës së mitur me një shall, në përpjekje për ta shpëtuar atë nga retë e mëdha të gazit që u kishte lëshuar policia.

Pas disa javë turbullirash në të gjithë rajonin, me protesta dhe bojkote parlamentare në Mal të Zi dhe Serbi, zëdhënësja e Komisionit Europian Maja Kocijancic u bëri thirrje partive të opozitës të kthehen në vendet e tyre në parlament. Këtë javë, zëdhënësit e opozitës në këto tre vende thanë se nuk do të ktheheshin në parlament.

Kocijancic foli në një konferencë për shtyp të hënën, ku deklaroi se “vendi për diskutim është parlamenti” dhe se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet t’i kushtonin vëmendje këtij fakti. Një gazetare e pranishme e sfidoi menjëherë zëdhënësen, duke e pyetur se pse KE vazhdon t’i mbështesë dhe lavdërojë qeveritë në rajon, pavarësisht shkeljes së të drejtave themelore të njeriut dhe të sundimit të ligjit.

Pjesa më e madhe e deputetëve të opozitës në Malin e Zi e bojkotoi parlamentin pas zgjedhjeve të vitit 2016, ndaj të cilave pati shumë akuza për shkelje në votim. Koalicioni opozitar Fronti Demokratik u kthye në parlament në vitin 2018, por disa parti më të vogla e vazhduan bojkotin.

Dritan Abazociv, kreu i lëvizjes malazeze URA deklaroi se BE nuk arriti ta shihte situatën nga perspektiva e Ballkanit Perëndimor, sepse “Brukseli dhe vendet e zhvilluara të BE nuk kanë probleme me demokracinë”. Ai përmendi mashtrimin në zgjedhje, kërcënimin e votuesve dhe dështimet në fushën e medias si arsye për vazhdimin e bojkotit.

Në Serbi, partia opozitare Aleanca e Serbisë ka vendosur të largohet nga parlamenti për shkak të një liste të gjatë abuzimesh nga partia në pushtet, Partia Progresiste Serbe e Presidentit Aleksandar Vuçiç.

Deputeti serb i opozitës Marinika Tepiç tha se “Znj. Kocijancic do të bënte të njëjtën gjë si ne, nëse do të mendonte mirë dhe nëse do të kishte qenë në vendin tonë”.

Në Shqipëri, ish-deputetja e Partisë Demokratike Izmira Ulqinaku e kritikoi BE-në se nuk ka folur kundër korrupsionit dhe krimit në vend.

“Për shumë kohë, figura të larta të institucioneve të BE-së kanë heshtur për korrupsionin, kapjen e shtetit nga interesat kriminale dhe sundimin autokratik të Zotit Rama”, u shpreh ajo për BIRN.

Ajo shtoi se mediat perëndimore kanë publikuar prova të rëndësishme të bashkëpunimit qeveritar me bandat kriminale për të blerë votat në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2017, megjithatë Komisioni Evropian ende nuk ka reaguar.