Deputetët e PE-së nuk pranojnë të takojnë Alencën për Mbrojtjen e Teatrit

Deputetët e PE-së nuk pranojnë të takojnë Alencën për Mbrojtjen e Teatrit

Aleanca për Mbrotjen e Teatrit i kërkoi deputetëve të Parlamentit Evropian (PE) që ta ftonin edhe Aleancën në takimin e tyre të sotëm me një grup organizatash të shoqërisë civile. Deputetët e PE-së nuk e pranuan kërkesën e Aleancës.

Aleanca ka kundërshtuar shembjen e Teatrit Kombëtar për më tepër se një vit. Artistë dhe qytetarë kanë protestuar përditë, pa pushim, kundër përpjekjes antidemokratike dhe antiligjore të qeverisë për të shembur teatrin. Aleanca ka organizuar protestën më të gjatë dhe më të qëndrueshme të bërë ndonjëherë nga shoqëria civile në Shqipëri. Megjithatë, deputetët e PE-së nuk e pranuan Aleancën në takimin me shoqërinë civile.

Në vijim, Exit sjell të përkthyer deklaratën për shtyp të Aleancës me këtë rast:

Të dashur Deputetë të Parlamentit Evropian,

U ndiemë të zhgënjyer nga mospranimi juaj i kërkesës sonë për të na përfshirë në takimin e mbajtur me organizata të “shoqërisë civile”. Për mëse një vit, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, një grup artistësh dhe qytetarësh të shqetësuar [për teatrin], ka arritur t’i rezistojë përpjekjes për të shembur ndërtesën e Teatrit Kombëtar në saje të protestave të përditshme, që ende vazhdojnë. Veprimtaria jonë për të komunikuar me të interesuarit përfshiu edhe Komisionin Evropian dhe deputetët e Parlamentit Evropian, të cilët ndërhynë me një listë pyetjesh drejtuar qeverisë shqiptare, si dhe me një kërkesë që kjo e fundit të vepronte në përputhje me standardet e MSA-së [Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit] në lidhje me këtë çështje.

Si e tillë, kjo ka qenë e vetmja kauzë e shoqërisë civile shqiptare që ka arritur [të tërheqë] vëmendjen në të tillë nivel të BE-së dhe të tjera institucioneve ndërkombëtare. Ç’është edhe më rëndësishme, kjo është arritur pa kërkuar dhe pa marrë asnjë lloj fondi për asnjërin nga aktivitetet tona.

Forcimi dhe promovimi i “shoqërisë civile”, me synimin për të qenë mburojë ndaj vendimeve abusive të qeverisë, ka qenë prej kohësh qëllim i BE-së. Shuma të mëdha parash të taksapaguesve evropianë janë përdorur për të çuar përpara këtë agjendë [të BE-së] në thuajse të gjitha [vendet] e Evropës Lindore. Synimi i kësaj ndërmarrjeje ka qenë organizimi i grupeve të qytetarëve për t’i vënë qeveritë përpara përgjegjësisë, për të ngritur zërin për sundimin e ligjit dhe për të kërkuar standarde demokratike. Siç mund ta dini shumë mirë edhe ju, rezultatet nuk kanë qenë gjithnjë të suksesshme. Me gjithë përpjekjet dhe fondet [në dispozicion], rezultatet e prekshme janë ende të kufizuara, përfshirja e qytetarëve në vendimmmarrje mbetet e kufizuar dhe e izoluar, ndërsa progresi i përgjithshëm demokratik në rajon ka ngecur në vend ose ka bërë mbrapa. Për fat të mirë, Aleanca ia ka arritur të bëjë pikërisht atë që ëndërruan baballarët e zgjerimit të BE-së. Aleanca ka mbrojtur vlerat, të drejtat ligjore, parimet demokratike, duke forcuar kështu besimin te qytetarët shqiptarë për t’u organizuar dhe për t’u shprehur.

Prandaj edhe vendimi juaj për të mbajtur një takim me organizata të “shoqërisë civile”, pa praninë e Aleancës, është shumë i çuditshëm për ne dhe e kemi të vështirë ta kuptojmë tani. Ndërkohë që shpresojmë me sinqeritet që takimet tuaja dje dhe sot të kenë mundur t’ju japin një pamje të plotë dhe të paanshme të ngjarjeve aktuale në Shqipëri, ne ende mendojmë se vendimi juaj për të lënë jashtë këtij takimi zëra dhe pikëpamje të rëndësishme ishte një vendim për të ardhur keq.

Me sinqeritet,

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme