Deputeti i PE-së pyet Mogherini-n për ligjshmërinë e Air Albania-s dhe Aeroportit të Vlorës

Deputeti i PE-së pyet Mogherini-n për ligjshmërinë e Air Albania-s dhe Aeroportit të Vlorës

Deputeti austriak i Parlamentit Evropian (PE), Paul Rübig, i ka kërkuar sqarime drejtueses së politikës së jashtme dhe sigurisë së BE-së, Federica Mogherini, në lidhje me shkeljet e mundshme ligjore nga ana e qeverisë shqiptare, për krijimin e kompanisë “Air Albania” dhe për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës.

Deputeti i PE-së e ka pyetur Mogherini-n edhe se çfarë masash do të marrë Komisioni Evropian ndaj Shqipërisë, nëse në këto dy raste janë shkelur rregullat e prokurimit, të konkurrencës së lirë dhe nëse është shkelur Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit (MSA) dhe normat e Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT).

Bazuar në raportimet në shtyp, deputeti Paul Rübig konstaton se qeveria shqiptare mund t’i ketë kryer të gjitha këto shkelje në rastin e krijimit të kompanisë ajrore dhe të ndërtimit të aeroportit në fjalë dhe se organet mbikëqyrëse shqiptare kanë dështuar në rolin e tyre.

Në letrën e djeshme, deputeti i shtron këto dy pyetje Mogherini-it:

– A përputhet opinion ligjor i Komisionit Evropian me vlerësimet ligjore të raportimeve mediatike, për shkelje ligjore në fushën e prokurimeve dhe konkurrencës nga Qeveria e Shqipërisë?

– Në rast se po, cilat janë veprimet konkrete të Komisionit Europian në dy rastet e sipërpërmendura, si dhe në përgjithësi në të ardhmen, në mënyrë që në Shqipëri të zbatohen rregullat e prokurimit e të konkurrencës dhe të respektohen detyrimet, që rrjedhin nga Marreveshja e Stabilizim Asociimit, si dhe normat e Organizatës Botërore të Tregtisë?

Javën e shkuar, këto dy projekte u diskutuan edhe në parlamentin holandez. Deputeti Pieter Omtzigt i kërkoi qeverisë holandeze një sërë sqarimesh në lidhje me këto dy projekte. Në përgjigje ndaj deputetit, Ministri i Punëve të Jashtme të Holandës, Stef Blok konfirmoi se Komisioni Evropian do ta trajtojë shkeljen e mundshme të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit nga qeveria shqiptare.

Ndërkohë, “Air Albania” nuk arriti kurrë të nisë punën dhe tashmë duket se praktikisht nuk ekziston. Ajo u përdor vetëm në pak raste nga Kryeministri Rama për fluturime në Stamboll me të ftuar të tij. Publiku nuk e ka mësuar ende se si u përballuan shpenzimet për fluturimet e Kryeministrit.

Mesa duket edhe ndërtimi i Aeroportit të Vlorës ka ngecur plotësisht. Një vit më parë, Kryeministri Rama njoftoi se ndërtimin e aeroportit do ta bënte një kompani turke, pa tender, pas propozimit të pakërkuar që ajo i kishte paraqitur qeverisë.

Për të dyja këto projekte, Kryeministri Rama duket krejtësisht i ftohtë tashmë, sidomos pas takimit të fundit privat që pati në Stamboll me Presidentin Erdogan. Sipas fjalës së Ramës, të dyja këto projekte ishin bërë të mundura falë mbështetjes personale të Erdoganit, por nuk është e qartë se çfarë ka çuar në dështimin në dukje të tyre.

Ndërkohë, përveç denoncimit të vazhdueshëm nga disa media në Shqipëri për këto dy projekte, tashmë edhe deputetë evropianë po kërkojnë sqarime nga qeveritë e vendeve të tyre dhe nga Komisioni Evropian.

2 komente

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Komentet:

    Lajme te ngjashme