Nga Alice Elizabeth Taylor
Dhunë, vandalizëm dhe shumë propagandë

Duke parë se si po shpalosen ngjarjet e protestës së ditës së shtunë, më duhet të them se jam e shokuar dhe e zhgënjyer më tepër nga ato çfarë ndodhën më pas. Ndërkohë që BE, OSBE dhe ambasada të ndryshme predikuan për demokracinë dhe sundimin e ligjit, përpara, gjatë dhe menjëherë pas protestës, ato nuk thanë asgjë mbi arrestimet arbitrare dhe mbajtjen në burg të personave të dyshuar si dhunues.

Ndoshta dikush mund të më ndriçojë dhe të më thotë se si qenka në përputhje me zbatimin e ligjit t’i hysh qytetarit me forcë në shtëpi, ta rrahësh në sytë e fëmijëve dhe bashkëshortes, dhe më pas ta marrësh, pa i thënë më parë se për çfarë është fajtor?

Ndoshta dikush mund të më shpjegojë se si qenka në përputhje me demokracinë t’i ndalosh qytetarit të bëjë një telefonatë ose të kontaktojë avokatin? Do të isha e interesuar të dija edhe se si qenka në përputhje me ligjin t’i ngacmosh prindërit e moshuar të një protestuesi dhe t’u hysh në shtëpi me dhunë dhe pa mandate për të kryer kërkim?

Një qytetar protestues më tha se pasi vëllanë ia kishin tërhequr zvarrë me dhunë dhe pa asnjë akuzë nga shtëpia, kur ky kishte arritur në shtëpi e kishte gjetur kunatën (bashkëshorten e vëllait) dhe dy fëmijët e tij të rrethuar nga tetë oficerë policie, të cilët po i flisnin asaj në një mënyrë abuzive dhe ngacmuese. Duke njohur të drejtat e tij, ai u kërkoi policëve të largoheshin dhe, pasi mbylli derën, bërtiti “Të q… Edi Ramën”. Policia që nga ai moment e ka shpallur në kërkim, me të vetmin faj se ai ushtroi të drejtën e tij për fjalën e lirë – duke thënë “Të q… Edi Ramën”, që nuk është e paligjshme dhe nuk i jep policisë të drejtën për ta kërkuar për ta arrestuar.

Shefi i propagandës së Ramës, Endri Fuga, i njohur ndryshe edhe si Shefi i Komunikimit i Kryeministrit Rama, shumë shpejt e lavdëroi punën e policisë, duke komentuar nën një postim në twitter të Ambasadorit Austriak.

“Unë mendoj se ne duhet të duartrokasim policinë për sjelljen e tyre jashtëzakonisht profesionale (sic). Asnjë përplasje të vetme midis forcave të policisë dhe protestuesve, pavarësisht se gurët dhe flakadanët fluturuan disa herë drejt ndërtesës së qeverisë. Por Shqipëria është ndryshe dhe nuk është ajo që pamë dje “, shkruan Endri Fuga në Twitter.

Gjithashtu, edhe unë komentova dhe e pyeta se si ai [Fuga] e quante sulmin ndaj atyre që ishin ndaluar si “profesional”. Ai e fshiu komentin e tij, bashkë me komentin tim.

Fatmirësisht e vura re këtë përpjekje për censurë dhe e ripostova komentin tim, duke kërkuar të dija nëse sulmi ndaj atyre që ishin në paraburgim, ngacmimi i anëtarëve të familjes dhe arrestimi në mënyrë arbitrare i qytetarëve ishte diçka për t’u lavdëruar.

Ai iu përgjigj pyetjes time përmes postimit të një videoje të një anëtari të PD-së, i cili gjuante një polic me grusht në komisariatin e policies, dhe shtoi se “policia jonë ndjek dhe zbaton vetëm atë që vendos Prokurori. Por askush nuk u ndalua vetëm se protestoi dhe ushtroi të drejtën e tij. Vetëm ata që janë dokumentuar nga Prokurori për kryerjen e veprave të paligjshme dhe të dhunshme”, duke mos adresuar asnjë nga faktet e cituara nga unë.

Vlen gjithashtu të theksohet se besimi i tij ndaj prokurorëve dhe sistemit ligjor është pak i gabuar, pasi i gjithë sistemi i drejtësisë po i nënshtrohet reformës dhe shumë prokurorë po largohen për shkak të mosrespektimit të ligjit, pjesëmarrjes në korrupsion dhe kriminalitet.

Ajo që pamë të shtunën nuk ishte dhunë dhe trazira- ishte vandalizëm i kryer nga një numër i vogël i protestuesve në mesin e mijëra, mijëra individëve paqësorë. Unë kam qenë në protesta në Bristol dhe në Londër, ku turmat e armatosura kanë vërshuar në rrugë, policët janë sulmuar dhe ndërtesat janë plaçkitur dhe iu është vënë flaka. Unë kam parë banda që sulmojnë oficerët me shufra hekuri, dhe po njësoj kam parë forca policie, duke manipuluar dhe rrahur turma e kalimtarë të pafajshëm, thjesht sepse ata ishin në vendin e gabuar në kohën e gabuar.

Ajo që ndodhi të shtunën nuk ishte një trazirë, nuk ishte as dhunë, si e shfaqën të dukej një pjesë e mirë e mediave. Në rastin më të rëndë, ndoshta mund të thuhet se ishte vandalizëm me pak sjellje kriminale në momente të caktuara, kryer nga pak njerëz, që sidoqoftë nuk e justifikon histerinë masive që pasoi.

Unë nuk e justifikoj dhunën për hir të dhunës, por gjithashtu nuk justifikoj as lejimin pa asnjë rezistencë nga ana e policisë të protestuesve drejt derës së Kryeministrisë, dhe më pas hedhjene gazit lotsjellës, duke prekur në radhë të pare ato që ishin në krye të detyrës, policët dhe gazetarët.

Ajo çfarë unë pashë ishte një përpjekje e qeverisë për të tërhequr një grusht njerëzish të mërzitur në vende ku ato e kishin të lehtë të kryenin vandalizëm ndaj zyrës së qeverisë, në këtë mënyrë situata do të përshkallëzohej dhe kjo do të mundësonte përdorimin e gazit lotsjellës.

Kryeministri Rama e dinte se çfarë donte të arrinte me protestën e ditës së shtunë — të heshtte zërin e mijërave protestuesve shqiptarë, të cilët prej muajsh tashmë protestojnë kundër regjimit të tij.

Mënyra për ta arritur këtë ishte krijimi i një klime frike, e ndezur nga deklaratat e kryera ditën përpara protestës nga policia, nga ambasadat dhe nga media, dhe më pas nxitja e trazirave. Ai u përpoq të frikësonte qytetarët që të mos protestonin më, duke urdhëruar arrestime arbitrare të qytetarëve të pranishëm në protestë.

E gjitha kjo u paketua mirë, u zbukurua, u redaktua me kujdes dhe u shty përmes disa burimeve mediatike përfshirë Twitter-in dhe median ndërkombëtare.

Nuk ka nevojë të jesh shqiptar për të kuptuar dhunimin e të drejtave të njeriut apo të zbatimit të ligjit, nuk ka as nevojë të jesh ekspert i dinamikave të ndërlikuara të politikës shqiptare për të kuptuar korrupsionin. Madje, të denoncosh abuzimin e administratës Rama nuk do të thotë se po mbron sjelljen e pakicës në protestën e ditës së shtunë.

Përgjigjia me kundërakuzë nuk është një përgjigje për faktet e paraqitura; të thuash “po çfarë bëri Sali Berisha 10 vjet/15 vjet /20 vjet më parë”, apo të tregosh një video ku goditet me grusht një polic, nuk justifikon padrejtësitë që po ndodhin në këtë moment dhe pa asnjë ndëshkim.