Donika Prela konfirmohet, pavarësisht problemeve me pasurinë

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) konfirmoi sot në detyrë drejtuesen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela.Valbona Sanxhaktari dhe Olsi Komici votuan pro, ndërsa Roland Ilia votoi kundra. Sipas trupës gjykuese, në përfundim të verifikimeve, nuk kishte asnjë pasaktësi në deklarimet e pasurisë së prokurores dhe bashkëshortit të saj. Exit.al e paralajmëroi konfirmimin e zonjës Prela në detyrë në një artikull të djeshëm. Më poshtë po rendisim të gjitha problemet me pasurinë e prokurores.

  1. Blerje apartamenti me burime të pajustifikuara financiare

Në vitin 2007, Donika Prela ka blerë një apartament në Durrës me sipërfaqe 97,5 metra katrorë, me vlerë 32 mijë euro, shumë e paguar për brenda vitit.

Për blerjen e apartamentit, çifti Prela, ka deklaruar se ka marrë një hua prej 15 mijë euro, për tre vjet, nga një i afërm, Skënder Gjergj Prela – pa dokument noterial dhe pa kontratë të shkruar. Në deklarata nuk jepet burimi i 17 mijë euro-ve të tjera për blerjen e apartamentit.

Në fillim të vitit 2006, çifti Prela, nuk ka patur kursime të deklaruara, ndërsa të ardhurat për periudhën 2006-2007 nga rrogat e punës – përkatësisht në prokurorinë Durrës dhe Bashkinë Tiranë – kanë qenë në total rreth 2,8 milionë lekë, ose rreth 20 mijë euro.

I njejti dyshim për paratë e këtij transaksioni lind edhe për vitin pasardhës, pra vitin 2008, gjatë të cilit, çifti Prela, pretendon se ka shlyer gjysmën e borxhit, pra 7500 euro. Në këtë vit, të ardhurat e deklaruara të çiftit janë 1,9 milionë lekë, ndërsa shpenzimet rreth 1,5 milionë lekë. Si rezultat, bashkëshortëve Prela bashkë me vajzën e tyre, kanë harxhuar mesatarisht rreth 30 mijë lekë në muaj, ose afërsisht 216 euro.

Kjo do të thotë që për dy vite rrjesht 2006-2008, familja Prela, ka jetuar në varfëri, sipas standardit zyrtar të Kombeve të Bashkuara.

  1. Blerja e një trualli me vlerë 10 herë më të ulët se çmimi i referencës zyrtare

Në vitin 2013, Donika dhe Vangjel Prela, kanë blerë 1000 metra katrorë tokë në Petrelë të Tiranës, me çmim 350 mijë lekë, ose 2500 euro, ose rreth 2,5 euro për metër katror.

Sipas tabelës së çmimeve të referencës së qeverisë, për vitin 2013, çmimi dysheme referencë i tokës në zonë ka qenë mesatarisht 3560 lekë, ose 25 euro për metër katror.

Zona në të cilën ndodhet toka, është një zonë e preferuar për ndërtimin e komplekseve rezidenciale të banimit apo të shërbimeve të ndryshme si restorant e hoteleri. Çmimi i tregut ka qenë rreth 40 euro për metër kator.

Pra, çmimi i deklaruar nga çifti Prela në deklaratat e pasurisë është të paktën 10 herë më i ulët se sa çmimi i referencës qeveritare dhe rreth 16 herë më i ulët se çmimi mesatar i tregut.

  1. Apartament i blerë lirë dhe shitur menjëherë disa herë më shtrenjtë

Sipas deklarimit të pasurisë, në shkurt 2014, Donika Prela bleu një apartament tjetër në plazhin e Durrësit, me sipërfaqe 59.2 m2 dhe çmim 1,4 milionë lekë ose rreth 10 mijë euro, pra rreth 169 euro për metër katror, nga kompania Bruçi shpk. Çmimi i blerjes është disa herë më i ulët se sa çmimi i tregut në atë zonë, por çfarë është më e rëndësishmja, është edhe disa herë më i ulët se sa çmimi për të njejtin lloj apartamenti – të shitur në të njejtin moment – nga i njëjti ndërtues për qytetarë të tjerë.

Një tjetër problem i këtij transaksioni, është fakti se pagesa për blerjen e apartamentit është kryer nga bashkëshortët Prela tek shitësi jashtë zyrës noteriale dhe qysh përpara hartimit të kontratës së shit-blerjes.

  1. Bashkëshorit ka përftuar rreth 50 mijë euro në mënyrë të paligjshme

Bashkëshorti i prokurores Prela ka përftuar 50 mijë euro në shkelje të ligjit. Çifti Prela nuk paraqiti asnjë dokument për të vërtetuar nëse paratë janë përftuar në të vërtetë apo janë deklarime fiktive vetëm për të justifikuar shpenzimet e bëra nga familja Prela.

Vangjel Prela ka përftuar pagesa në dorë nga firma e ndërtimit Bruçi shpk, për rreth 8 vite, nga janari 2003 deri në dhjetor 2009, dhe nga shtatori deri në dhjetor 2011. Në fakt, punësimi i tij pranë kësaj firme duket të ketë qenë i padeklaruar ligjërisht, pasi jo vetëm nuk janë paguar taksa mbi të ardhurat e rrogës, por nuk janë paguar as sigurimet e detyrueshme shoqërore, që do të thotë se Zoti Prela ka qenë i punësuar krejtësisht në të zezë.

Sipas informacionit të dhënë në deklaratat e pasurisë së Zonjës Prela, bashkëshorti i saj nuk ka deklaruar të ketë paguar taksa as për pagesat e përftuara nga dhënia në përdorim e licencës së tij teknike ndaj palëve të tjera

  1. Deklarime të pazakonta

Deklarimet financiare të Zonjës Prela janë plot me hyrje që ngjallin dyshime, dhe për të cilat është e vështirë të gjykohet.

Në vitin 2016, Zonja Prela, deklaron se ka marrë këstin e dytë dhe të fundit prej 300 mijë lekë të një huaje që i ka dhënë një qytetareje me emrin Afroditi Mamoli, por këtë hua ajo nuk e ka deklaruar në vitin 2015 , kur pretendon se ajo është lidhur. Huaja, shuma e të cilës është e paqartë, nuk është deklaruar si shpenzim në vitin parardhës.

Ndonëse e parëndësishme në dukje, në vitin 2008 , Zonja Prela deklaron se ka shitur për 300 mijë lekë një veturë tip benz të blerë të përdorur, katër vjet më parë në vitin 2004 ,për një shumë më të vogël 250 mijë lekë. Është një rast i pazakontë që një makinë e blerë në gjendje shumë të përdorur, pasi u përdorur për shumë vjet, i rritet vlera e shitjes.