Hapja e negociatave, Ministri gjerman Roth — Shqipëria duhet të plotësojë pesë kushtet

Hapja e negociatave, Ministri gjerman Roth — Shqipëria duhet të plotësojë pesë kushtet

Shqipëria duhet të vazhdojë me reformat në administratën publike, në gjyqësor, me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, për të hapur bisedimet me BE-në. Kështu u shpreh Ministri i Brendshëm gjerman, Michael Roth në një intervistë për Deutche Welle(DW), pas takimit me Kryetarin e Kuvendit Gramoz Ruçi dhe Kreun e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla. Shqipëria  duhet të përmbush pesë kushtet kryesore për të marrë përgjigje pozitive nga Bundestagu dhe nga qeveria gjermane për hapjen e bisedimeve në qershor 2019.

Ministri theksoi rëndësinë e reformës në drejtësi, duke thënë se  “megjithë vështirësitë e mëdha që ka, kjo reformë gjyqësore është shembullore”. Roth kërkoi edhe miratimin e reformës zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE-ODIHR, si të vetmen mundësi për të shmangur ngjarje, si ato të denoncuara nga Zëri i Amerikës, pak ditë më parë. Ndërsa, i pyetur nga DW për protestat e opozitës, ministri gjerman u shpreh se :

“Parlamenti është vendi  ku opozita dhe mazhoranca duhet të debatojnë dhe jo rruga.”

Ministri Roth u shpreh kundra shkëmbimit të territorit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe kritikoi ashpër qendrimin e qeverisë shqiptare. Ai tha se:

“Integriteti territorial i vendeve të Ballkanit Perëndimor është i rëndësishëm për ne. Përpjekja për zhvendosje kufijsh, ka shkaktuar vuajtje të pafundme në të kaluarën. Prandaj, sipas meje, këto përsiatje, jo vetëm që nuk premtojnë shumë sukses, por janë edhe tejet të rrezikshme.

Nga Shqipëria  ne presim që kjo ta përdorë në mënyrë konstruktive ndikimin e saj politik dhe të vazhdojë të angazhohet në mënyrë konstruktive për stabilitet në të gjithë rajonin. Kjo vlen, veçanërisht, për çështjet që kanë të bëjnë me normalizimin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Mund të jetë vetëm në interes të Shqipërisë, si pjesë e rajonit, që të parandalojë me çdo kusht një destabilizim të ri të Ballkanit Perëndimor, gjë që detyrimisht do të vijonte nga ndryshimi i kufijve.”

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme