Komisioneri Publik: Kontrata mes prokurorit Cani dhe kompanisë Kastrati, konflikt interesi

Komisioneri Publik: Kontrata mes prokurorit Cani dhe kompanisë Kastrati, konflikt interesi

Komisioneri Publik (KP) ankimoi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) për prokurorin dhe anëtarin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), Besnik Canin.

Më herët, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM) kishte kërkuar që KP ta apelonte vendimin e KPK-së. Sipas ONM-së, trupa e KPK-së, Olsi Komici, Lulzim Hamitaj dhe Brunilda Bekteshi e konfirmuan në detyrë prokurorin pavarësisht problemeve me pasurinë, konfliktin e interest, aftësinë profesionale dhe etike.

ONM shprehet se prokurori Cani ka dy raste të qarta të konfliktit të interesit:

Kontrata mes prokurorit Cani dhe kompanisë Kastrati

Në janar 2016, prokurori Cani ka lidhur një kontratë me kompaninë Kastrati. Objekti i kontratës është dhënia me qira e një trualli me sipërfaqe një mijë metra katrorë, dy godina, një lavazh dhe një kafene.

Sipas kontratës, prokurori përfiton gjysmën e qerasë dhe gjysma tjetër shkon për ndërtimin e një pike karburanti nga kompania Kastrati. Pas ndërtimit të karburantit, prokurori Cani ka përfituar 5 lekë për çdo litër karburanti të shitur.

Në 6 shkurt 2017, kontrata mes Zotit Cani dhe kompanisë Kastratit ndryshoi — lavazhi dhe kafeneja kaluan nën menaxhimin e prokurorit Cani, përmes një kontrate ndërmjet kompanisë Kastrati dhe kompanisë së djalit 18-vjeçar të prokurorit, i cili kishte mbushur 18 vjeç vetëm pak kohë më parë, më datë 6 shkurt 2017. Nga kjo kompani prokurori ka deklaruar një fitim prej rreth 10 mijë euro. Ndërsa, nga shitja e karburantit ka përfituar 18 mijë euro në vitin 2017 dhe 8 mijë euro në periudhën janar-qershor 2018.

Ndërkohë, KPK ka gjetur se dy fëmijët e prokurorit jetojnë në Vjenë, prej muajit qershor 2017.

Përfitimi i një banese me kredi të butë

Bashkëshortja e prokurorit Cani ka aplikuar për të përfituar një kredi të butë si  familje e pastrehë nga Bashkia Fier, në një kohë kur, prokuroria kishte në hetim ish-kryebashkiakun e Fierit për shkelje në dhënien e kredive të buta. Prokurori Cani, në atë kohë, ishte prokuror në Fier. Prokurori u justifikua se aplikimi ishte bërë nga bashkëshortja, pa dijeninë e tij.

ONM ka theksuar problemet me pasurinë e prokurorit, të tilla si:

Banesë private e ndërtuar me çmimi disa herë më të ulët se tregu

Prokurori Cani ka deklaruar në deklaratën e pasurisë se ka një truall me sipërfaqe 633 metra katrorë dhe mbi të ka ndërtuar një shtëpi me sipërfaqe 100 metra katrorë, në Paskuqan. Ndërtesa dhe trualli janë blerë me kursimet nga puna në emigracion, në vitet 1993-1994. Cani e deklaron këtë pasuri në deklaratën e pasurisë së vitit 2008, pavarësisht se ndërtimi i shtëpisë është bërë vite më parë. Sipas tij, kostoja e ndërtimit të banesës ka qenë rreth 700 mijë lekë, rreth 5 mijë euro.

Sipas KPK-së, në rastin e ndërtimit të banesës, ai nuk ka “provuar me dokumente as shpenzimet e kryera dhe as burimin e tyre”. Gjithashtu, sipërfaqja e tokës dhe e shtëpisë tek deklarimi për Aluizn-in ndryshon nga sipërfaqja e deklaruar në deklaratën e pasurisë.

Banesë e blerë me burime të pajustifikuara

Prokurori ka blerë një apartament në vitin 2005, në Tiranë, me vlerë 69 mijë euro. Prokurori ka kryer një parapagesë me vlerë 21 mijë euro, për të cilën ka deklaruar se ka përdorur kursimet prej 3500 dollarë, të krijuara nga pagat në vitin 2004. Por këto kursime ai nuk i ka deklaruar në deklaratën e pasurisë për vitin 2004.

Po ashtu, gjatë 5 viteve deklarime, prokurori Cani ka shpenzuar më shumë para nga sa ka pasur të ardhura.

Probleme me aftësitë profesionale

Sipas hetimit të KPK-së, prokurori ka pushuar hetimet për tenderat në Spitalin Psikiatrik të Elbasanit, kur ka qenë drejtues i prokurorisë në këtë qytet.

Por, pavarësisht se të gjitha këto shkelje janë identifikuar nga vetë KPK-ja, ato nuk kanë qënë të mjaftueshme për ta shkarkuar prokurorin nga detyra.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme