Parlamenti Evropian dënon përdorimin e gazit lotsjellës ndaj protestuesve

Parlamenti Evropian dënon përdorimin e gazit lotsjellës ndaj protestuesve

Parlamenti Evropian (PE) dënoi përdorimin nga policia të gazit lotsjellës dhe të plumbave të gomës ndaj protestuesve.

Gazeta franceze Le Monde njofton se deputetët e PE-së votuan një rezolutë në datën 14 shkurt, e cila dënon përdorimin e tepërt të forcës nga ana e policisë ndaj protestueve, veçanërisht përdorimin e gazit lotsjellës dhe të plumbave të gomës.

Rezoluta “Mbi të drejtën për protesta paqësore dhe përdorimin e përpjesëtuar të forcës” dënon në mënyrë të veçantë “përdorimin e disa llojeve të armëve nga ana e policisë kundër protestuesve paqësorë, si ato me plumba me goditje kinetike [plumba gome] dhe të gazit lotsjellës,” si dhe “ndërhyrjet e dhunshme dhe të shpërpjesëtuara nga ana e autoriteteve publike gjatë protestave dhe demonstratave paqësore.”

Rezoluta mori 438 vota pro, 78 kundër dhe 87 abstenime. 165 deputetët e majtë dhe të gjelbërt që nuk votuan pro, e bënë këtë pasi mendonin se rezoluta duhet të dënonte më ashpër përdorimin e dhunës dhe të gazit lotsjellës nga ana e policisë.

Rezoluta i bën thirrje qeverive të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian që të përdorin forcën ndaj protestuesve vetëm kur është e domosdoshme, ta përdorin atë sa më pak të jetë e mundur, dhe të ruajnë jetën dhe shëndetin e protestuesve.

“[Qeveritë] të sigurojnë që përdorimi i forcës nga agjencitë ligjzbatuese të jetë gjithnjë ligjor, proporcional dhe vetëm kur është i nevojshëm, si dhe të ushtrohet vetëm me qëllimin për të ruajtur jetët dhe integritetin fizik të personave.”

Më tej rezoluta thotë se “përdorimi pa dallim i forcës ndaj turmës shkon kundër parimit të proporcionalitetit.”

Rezoluta mbështet edhe policinë, e cila “ka pasur shumë viktima në radhët e saj, punon në kushte të vështira, sidomos kur përballet me dhunën e disa demonstruesve të caktuar, dhe është e mbingarkuar me punë.”

PE i bëri thirrje qeverive që të mbledhin “prova për keqpërdorimin, […] lëndimet dhe shkaqet e lëndimeve” për rastet kur policia ka përdorur armë si gazi lotsjellës dhe plumbat e gomës, ndërkohë që ka pasur mundësi të përdorte forma të tjera më pak të dhunshme.

Kërkesa fillestare për hartimin e rezolutës u bë nga deputetë të majtë dhe të gjelbër të Parlamentit Evropian, të cilët në fund votuan kundër ose abstenuan, pasi sipas tyre teksti përfundimtar nuk e dënonte mjaftueshëm policinë për përdorimin e gazit lotsjellës dhe plumbave të gomës ndaj protestuesve.

Këto dy armë kanë shkaktuar lëndime serioze tek protestuesit në Francë, Poloni, Spanjë dhe Greqi. Në diskutimin përpara votimit në PE, deputetë francezë dënuan përdorimin e këtyre armëve gjatë protestave të “jelekverdhëve” në Francë. Të ashtuquajturit “jelekverdhë”, për shkak se veshin jelekë fosforeshentë në protesta, nisën të protestonin kundër qeverisë franceze kur çmimi i naftës në vend u rrit me 8 lekë për litër dhe ai i benzinës me 3 lekë për litër. Protesa u shtri në të gjithë Francën dhe ende vazhdon prej javësh.

3 komente

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme