Prokuroria e Apelit e Krimeve të Rënda vetëm me një prokuror

Prokuroria e Apelit e Krimeve të Rënda vetëm me një prokuror

Prokuroria e Apelit të Krimeve të Rënda tashmë ka mbetur vetëm me një prokuror.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) shkarkoi ditën e djeshme prokurorin e fundit të kësaj prokurorie dhe njëherësh drejtuesin e saj, Artan Bajramin.

Më herët, Prokurorja e Përgjithshme, Arta Marku komandoi në këtë prokurori Besa Nikëhasanin, e cila u shkarkua nga KPK në prill 2018. Pas kësaj, Prokuroria e Apelit të Krimeve të Rënda mbeti me vetëm dy prokurorë, Bujar Sheshin dhe Artan Bajramin.

Zoti Sheshi u zgjodh në Këshillin e Lartë të Prokurorisë (KLP) në dhjetor 2018, ndaj ai nuk mund të ushtrojë detyrën e prokurorit pranë kësaj Prokurorie.

Ndërkohë, sipas ligjit, kjo prokurori apeli ka për detyrë të ndjekë të gjitha çështjet që ankimohen nga Shkalla e parë e Krimeve të Rënda.

Në mbledhjen e 21 janarit KLP emëroi Isa Jatën prokuror pranë kësaj Prokurorie.

Prokuroria e Krimeve të Rënda, me shkallën e parë dhe të apelit, do të zëvendësohet nga Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK). KLP shtyu afatin e aplikimeve për në SPAK, si rezultat i numrit të ulët të kandidatëve. Sipas KLP, SPAK pritet të ngrihet në qershor.

 

0 komente

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme