Nga Gerard Gega
RTSH Kuvendi transmetoi piratisht klasiken Barcelona-Real Madrid

Të mërkurën Kuvendi i Shqipërisë nuk kishte seancë parlamentare, por në trasnmetimet e saj RTSH Kuvend tërhoqi mjaft vëmendjen e publikut. Në vend të programit tematik të sajin, ky kanal përcolli direkt ndeshjen Barcelona-Real Madrid, të vlefshme për gjysmë-finalet e Kupës së Mbretit.

E pagëzuar si një nga duelet më të shikuara në planet, e ashtuquajtura “Klasikja” e futbollit spanjoll u përcoll direkt nga një prej kanaleve të televizionit publik shqiptar, përmes sinjalit të televizionit publik spanjoll “La 1”. Nuk kishte asnjë lajmërim në guidën elektronike (EPG). Komenti ishte i televizionit spanjoll, po kështu edhe reklamat.

Paketa programore e Radio-Televizionit publik Shqiptar ka 3 kanale gjeneraliste dhe 5 të tjerë tematikë, ku mes tyre janë RTSH Sport dhe RTSH Kuvend.

RTSH Sport përcjell eventet sportive, të cilat televizioni publik u gëzon të drejtën e transmetimit. Ndërsa RTSH Kuvend përcjell seancat e Kuvendit dhe gjithmonë si objektiv ka pasur pasqyrimin e aktivitetit të ligjvënësve, duke synuar që në të ardhmen të transmetohen edhe punimet e Komisioneve Parlamentare, intervista apo dhe përmbledhje të zhvillimeve të Kuvendit. Në ditët kur nuk ka seanca plenare, përgjithësisht RTSH Kuvend mbetet pa transmetim duke pasqyruar vetëm një spot njoftues të kanalit.

Kjo gjë ndryshoi të mërkurën mbrëma. Në kanalin e RTSH Kuvend u përcoll sinjali i televizionit “RTVE La 1” me një rezolucion 576p, që për nga cilësia e dobët nënkupton se është me burim nga një transmetim live-streaming interneti. RTVE , njëjtë si RTSH, transmeton live-streaming programet e veta në web-in e saj.

Kjo ndeshje nëse do të ishte me të drejtë transmetimi do të përcillej në RTSH Sport dhe do të ishte me cilësi figure dyfish më të lartë pasi sinjali do të merrej përmes satelitit. Gjithashtu, ajo do të ishte e njoftuar në guidën e kanalit dhe do të ishte me koment shqip. Por nuk ndodhi kështu pasi RTSH nuk i ka të drejtat e transmetimit të Kupës së Mbretit.

Faktikisht deri vitin e kaluar të drejtat e Kupës së Mbretit i ndanin paketat dixhitale Tring (raundet kualifikuese) dhe Digit-Alb (finalen). Por këtë sezon e vetmja që ka të drejta për transmetim të Kupës së Mbretit është Digit-Alb (finalen). Ndeshja Barcelona – Real Madrid e së mërkurës ishte e gjysmë-finales, pra praktikisht RTSH nuk i ka shkelur në kallo askujt, por sidoqoftë ka piratuar duke transmetuar një material të drejtat e së cilës nuk i ka.

Të drejtat televizive janë një nga të ardhurat më të majme të klubeve. Forbes llogariti se për sezonin 2017/18, Barcelona dhe Reali i Madridit arkëtuan 324 milionë dollarë vetëm nga ky sektor (176 milionë Barcelona dhe 148 milionë Reali i Madridit).

RTSH gëzon të drejtat e transmetimit vetëm për garat në Formula 1 dhe Moto-GP, për turneun e Roland-Garros në tenis, për kompeticionet Euro 2020, Europa League dhe Kupa e Gjermanisë në futboll.