Nga Alice Elizabeth Taylor
Shqipëria meriton më mirë

Ditët e fundit fundit kam marrë një dozë të mirë kritikash për disa shkrime të miat kritike ndaj veprimeve të qeverisë, veçanërisht shkeljeve të të drejtave të njeriut. Nga këto kritika kam kuptuar se, së pari, për disa njerëz të jesh i huaj në një vend tjetër do të thotë që nuk nuk ke leje të kesh opinion për mënyrën si shkojnë gjërat në të. Së dyti, fakti që unë kam një blog popullor ku lëvdoj virtutet dhe të mirat e Shqipërisë e bëkërka tradhti ndaj këtij kontributi shprehjen e çfarëdolloj kritike që unë mund të ndjej.

Por, problemi është se Shqipëria është shtëpia ime—unë kam zgjedhur të jetoj këtu, jam e martuar në një familje shqiptare dhe do të rris një fëmijë shqiptaro-anglez këtu, në Shqipëri. Kjo gjë, si dhe fakti që unë kontriboj në mënyrë të ndershme në ekonominë e vendit dhe, më pëlqen të mendoj, në shoqëri, me jep çdo të drejtë ta thërras me emër një padrejtësi kur e shoh një të tillë.

Kjo nuk do të thotë se unë jam partizane politike, sikurse nuk do të thotë se po tradhëtoj veten apo ndokënd tjetër.

Përkundrazi!

Kur unë denoncoj korrupsionin, kur unë kritikoj një politikan apo një institucion, sepse nuk respektojnë rregullat, e bëj sepse e dua Shqipërinë dhe sepse mendoj se Shqipëria meriton më mirë.

Ajo që pashë të shtunën ishte e kundërta e menaxhimit të një proteste—pashë përdorimin e taktikave që i kam parë të zbatohen në vende të tjera—nxitjen e turmës, mos ndalimin e disa personave që kthehen në vandal, dhe pastaj reagimin me trysni të skajshme dhe të panevojshme për ta shuar zërin e saj.

Pashë një ciklon propagande përpara dhe pas protestës, të qarkulluar përmes misioneve diplomatike, agjencive të huaja, dhe llogarive anglisht-folëse shqiptare në Twitter. Dhe pastaj u bëra dëshmitare e arrestimit të egër të qytetarëve të papërfshirë në dhunë dhe përndjekjen e familjeve të tyre.

Që atëherë, propaganda ka vazhduar e pandërprerë dhe në mënyrën më të spikatur Ambasada Amerikane, misioni diplomatik i së cilës nuk ka asnjë të drejtë të ndërhyjë apo të komentojë mbi funksionet ligjore, politike apo demokratike të vendit mikpritës, ka ripërtypur në rrjetet sociale postime që tingëllojnë si të ardhura drejtpërdrejt nga administrata Rama.

Kriticizmi i Ambasadës Amerikane që shprehet se lënia e mandateve nga deputetët e opozitës është veprim “jodemokratik” tregon se sa të anshëm janë bërë ata.

Fakti se ata kanë dështuar të ngrenë zërin për shkeljen e lirisë së fjalës, lirisë së shprehjes, dhe lirisë së grumbullimit, si dhe për vazhdën pambarim të dhunimeve ligjore dhe demokratike që kanë pllakosur Shqipërinë dëshmon anshmëri—diçka që detyra e tyre nuk duhet t’ja u lejonte kur punojnë si diplomatë në një vend të huaj.

Vras mendjen cilat janë motivet e tyre për këto shpërthime? A mos vallë dështimi i tyre për të ngritur zërin për një sërë çështjesh dhe protestash të tjera qytetare vjen nga mungesa e informacionit dhe sundimi i padijes? Apo mos thjesht janë vënë në rrjesht si pasojë e një marrëveshje me qeverinë? Seriozisht, kjo kërkon vrarje mendje.

Ndërsa, prokurorët e Tiranës u hodhën në veprim me efikasitet të paparë mbasditen e së shtunës, duke arrestuar protestues (të pafajshëm dhe të pfajshëm për vandalizëm), ata po zvarrisin dhe vonojnë akuzat për ata që bashkëpunuan me kriminelet për vjedhjen e votave në zgjedhjet e fundit.

Për mua nuk ka asnjë rëndësi cila parti është në pushtet, dhe nuk më bëhet vonë fare se kush bëri çfarë javën e shkuar, vitin e shkuar, 5 vjet të shkuara apo 20 vjet të shkuara. Ajo që mua më intereson është çfarë po ndodh tani dhe çfarë do ndodhë në të ardhmen e afërt.

Pikërisht tani, ajo që po shohim, pra mënyra si vendi po tërhiqet zvarrë drejt shkatërrimit është e patolerueshme. Pas më shumë se 30 vijet “liri”, Shqipëria e gjen veten përsëri nën zgjedhën e një pushteti të kudondodhur dhe të gjithëfuqishëm që ushtron pushtet të pakontrolluar dhe shtyp çdo shenjë qendrese me mjete të paligjshme.

Ndoshta, mund të mendoni se kjo tingëllon dramatike, por si një vëzhguese nga jashtë, e paprekur nga ndikimi shumëvjeçar partiak, kjo është ajo çfarë unë shikoj dhe ajo së cilës unë i trembem.

Shteti Ligjor dhe të drejtat e njeriut po shkelen në çdo nivel të shtetit dhe mu më vret në zemër kur dëgjoj padrejtësitë e vazhdueshme që ju ndodhin miqtë të mi, kolegëve, pjesëtarëve të familjes sime, madje edhe qytetarëve që nuk i kam takuar kurrë.

Shqipëria meriton më shumë! Ky është një e vërtetë përtej çdo ideologjie apo besnikërie politike. Shqipëria meriton qendrueshmëri, fundin e pandëshkueshmërisë, dhe mundësinë të gjejë dhe përmbushë potencialin e saj, pa paguar çmimin e të qënit thjesht instrument për krimin dhe korrupsionin.

Vendi ka nevojë të jetë në dorë të njerëzve që e duan dhe që kanë në zemër interesat e tij, jo të atyre që kërkojnë të mbushin xhepat me sa më shumë të munden, përpara se t’u iki karrigia e pushtetit.