Prokuroria ka dështuar hetimet për Ardit Gjoklajn 17-vjeçari Ardit Gjoklaj, i cili humbi jetën në landfillin e Sharrës në gusht 2016.

Dy personat e akuzuar nga prokuroria e Tiranës për vdekjen e 17 – vjeçarit Ardit Gjoklaj në Landfillin e Sharrës u shpallën të pafajshëm. Sipas Gjykatës, prokuroria nuk ka zbuluar vendin, kohën dhe personat përgjegjës, duke shkelur detyrimin kushtetues të saj dhe duke shkatërruar hetimet.

Ardit Gjoklaj u vra në 7 gusht 2016, si pasojë e goditjeve të rënda në Landfillin e Sharrës. Prokuroria akuzoi si përgjegjës për vrasjen Dëfrim Hakramën, mbikëqyrës i punonjësve në landfill, dhe Edmond Kallarin, shofer i ekskavatorit – të dy pa kontratë pune, ashtu si Arditi.

Në vendim shkruhet se përpara gjykatës duhet të ishin persona të tjerë, që janë direkt përgjegjës dhe jo Dëfrim Hakrama dhe Edmond Kallari.

“Nga analiza e provave shkresore dhe atyre me dëshmitarë rezulton se kanë qenë persona të tjerë ata që kanë pasur përgjegjësinë e informimit, trajnimit të punëmarrësve dhe zbatimit të rregullave të sigurimit teknik në këtë landfill.

Por, për sa kohë këta subjekte apo persona nuk janë pjesë e këtij procesi penal, që po shqyrtohet sot nga gjykata, kjo e fundit nuk mund të shprehet për përgjegjësinë e tyre.”

Prokuroria asnjëherë nuk e gjeti se kush ishte shkaktari i vërtetë i vrasjes së Ardit Gjoklajt. Edmond Kallari u akuzua nga prokuroria si përgjegjës, por sipas pamjeve filmike Kallari nuk ka qënë me ekskavatorin e tij në zonën ku është gjetur trupi i Ardit Gjoklajt. Ndërsa Dëfrim Hakramën, mbikëqyrës i punonjësve në landfill, prokuroria e akuzoi si përgjegjës për mostrajnim të personelit teknik, por nga ana tjetër nuk mori parasysh që shoferi i ekskavatorit nuk kishte kontratë pune, njësoj si Ardit Gjoklaj.

Por, pavarësisht këtyre fakteve, prokuroria këmbënguli në fajësinë e tyre dhe nuk hetoi persona të tjerë përgjegjës apo faktet e mësipërme.

Në lidhje me vendin ku 17-vjeçari Gjoklaj ka humbur jetën, ekspertja e thirrur nga gjykata u shpreh se ai mund të jetë vrarë në një vend tjetër dhe trupi i tij është sjellë në Landfillin e Sharrës. Sipas gjykatës, rezulton se prokuroria dhe policia nuk kanë ndërmarrë veprime të tjera për të hetuar këtë fakt.

“Fakti si më sipër duhet të kishte shkundur Policinë dhe Prokurorinë për të kryer hetime të thella dhe të specializuara…”

Kjo tregon, së paku, papërgjegjshmërinë e prokurorisë dhe policisë për të gjetur fajtorët e vërtetë, si dhe vullnetin e prokurorisë për ta mbyllur sa më shpejt çështjen e vdekjes së Ardit Gjoklajt, pa gjetur shkaktarët e vërtetë të saj.