Vetingu në polici drejt nisjes, zgjidhen anëtarët e Komisionit të Vetingut

300 drejtues të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit të Çështjeve të Brendshme do të jenë të parët që do t’i nënshtrohen vetingut në polici.

Ministria e Brendshme bëri publik dje dhe anëtarët e Komisionit të Jashtëm të Vetingut (KJV), që do të vlerësojë drejtuesit e lartë në tre kritere: pasuria, pastërtia e figurës dhe aftësia profesionale, njësoj si vetingu në sistemin e drejtësisë.

Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit do të verifikojë punonjësit e lartë të policisë:

 – Drejtorin dhe Zëvendës-drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, drejtorët dhe zëvendës-drejtorët e drejtorive qendrore, si dhe shefat e komisariateve;

 – Komandantin e Zëvendës-komandantin, si dhe çdo oficer me gradë Major, Nënkolonel dhe Kolonel në Gardën e Republikës;

 – Drejtorin e Përgjithshëm dhe zëvendësit e tij, si dhe drejtorë e shefa sektori në Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat.

Anëtarët e KJV-së do të jenë:

 1. Ana Kapaj, avokate;

 2. Artur Baku, avokat;

 3. Marjeta Gjelaj, avokate;

 4. Sonila Kadareja, avokate;

 5. Viktor Bërdo, avokat;

 6. Ela Kërka, nga Rektorati i Universitetit të Tiranës;

 7. Elda Kuka (Balili), nga Rektorati i Universitetit të Tiranës;

 8. Elida Liko, nga Rektorati i Universitetit të Tiranës;

 9. Ledian Rusta, nga Rektorati i Universitetit të Tiranës;

 10. Mirela Ujkani (Miti), nga Rektorati i Universitetit të Tiranës;

 11. Elvira Dabërdaku, inspektor nga ILDKPKI;

 12. Adriana Meko, inspektor nga ILDKPKI;

 13. Zamira Gjini, inspektor nga ILDKPKI;

 14. Alban Laska, inspektor nga ILDKPKI;

 15. Besnik Hodo, inspektor nga ILDKPKI.

Po ashtu, janë përzgjedhur dhe anëtarët e  Sekretariatit Teknik pranë këtij komisioni, që do të ndihmojnë në procesin e hetimit administrativ.

Procesi i vetingut në polici erdhi si propozim nga Ministri i Brendshëm Xhafaj, në tetor të vitit 2017, dhe ligji për mënyrën se si do të bëhet vetingu u votua nga parlamenti.

Për më shumë rreth mënyrës se si formohen institucionet e vetingut në polici lexoni këtu.

Procesi i dorëzimit të deklarimeve të pasurisë dhe dokumenteve të tjera nga policët përfundoi në fillim të muajit maj.

Gjatë këtij procesi më shumë se 500 punonjës të policisë, nga 13 mijë në total, u dorëhoqën.