Shqipëri, 22 % e adoleshenteve dhunohen nga partneri

Nga Alice Elizabeth Taylor
Shqipëri, 22 % e adoleshenteve dhunohen nga partneri

Rrjeti Shqiptar i Fuqizimit të Grave (AWEN) ka zbuluar se 22 për qind e adoleshentëve deri në 19 vjeç janë dhunuar nga partneri.

Raporti i AWEN që mori në vëzhgim 1036 burra dhe gra të moshës 16 deri 19 vjeç, (pothuaj 50 për qind e të vëzhguarve ishin nga zona urbane dhe 50 për qind nga zona rurale), gjeti këto shifra, të cilat duhet ngrejnë alarmin tek insitucionet dhe shoqëria.

Rezultatet e vëzhgimit zbulojnë se ata që janë të ekspozuar ose përjetojnë dhunën në familje kur janë fëmijë ose adoleshentë, kanë tri herë më shumë shanse që të bien pre e dhunës në familje kur rriten. Raporti e quan këtë dukuri “cikël dhune” dhe tregon se 43 përqind e të rinjve që kanë qenë viktima të dhunës në familje janë gjithashtu viktima të dhunës nga partnerët e tyre, ndërsa vetëm 16 për qind e atyre që nuk kanë përjetuar dhunë në familje, bien pre e dhunës nga partneri.

Në mënyrë të habitshme, 89 për qind e burrave dhe grave të anketuara besojnë se dhuna  ndaj grave dhe vajzave është një “çështje serioze në komunitetin e tyre” dhe pothuajse 40 për qind prej tyre njohin një femër që ka qenë viktimë e dhunës.

Një tjetër përfundim shqetësues: 64 për qind e të anketuarve besojnë se kontrollimi i Facebookut ose i emailit të partnerit të tyre është i pranueshëm dhe 52 për qind besojnë se është në rregull që partneri të vendosë se me kë duhet të shoqërohet partnerja e tyre. Shembuj të mëtejshëm të abuzimit emocional dhe psikologjik si bërtitja ndaj njëri-tjetrit apo injorimi konsideron dukuri të tolerueshme në çift nga respektivisht 38 për qind dhe 28 për qind e të intervistuarve.

Një sërë vendesh evropiane, përfshirë Irlandën, Mbretërinë e Bashkuar dhe Francën, po bëjnë përpjekje për të cilësuar si vepra penale dhunën psikologjike dhe madje edhe ngacmimet në rrugë në të njëjtën mënyrë siç cilësohet dhuna fizike dhe ajo seksuale.

Në një vend si Shqipëria ku sipas Kombeve të Bashkuara, mbi 50 përqind e grave mund të dhunohen nga partneri në jetën e tyre, është shqetësuese të shohësh statistika dhe mendime të tilla nga brezi i ri.

Departamenti Amerikan i Shtetit ngriti disa shqetësime në Raportin e Fundit për të Drejtat e Njeriut, duke kritikuar qeverinë shqiptare për mungesën e mosveprimit lidhur me dhunën me bazë gjinore.

Për shembull, megjithëse përdhunimi bashkëshortor është i paligjshëm, raporti i DASH pohon se institucionet nuk ndoqën penalisht ata që janë denoncuar për këtë gjë, pasi autoritetet nuk e konsiderojnë atë si krim. Raporti deklaroi se “dhuna në familje ndaj grave ka mbetur një problem serioz” dhe përmendi shembujt e Xhisiela Malokut dhe Gjyqtares Fildez Kasemi.

Deri më tani në muajt e parë të 2019-ës, shtatë viktima, kryesisht gra janë vrarë në Shqipëri nga familjarët e tyre . Në vitin 2018, 4 mijë urdhëra mbrojtjeje janë lëshuar nga policia për mbrojtjen e grave nga dhuna në çift.

Në tre muaj e parë të vitit 2019, qindra qytetarë manifestuan me qellim ndeërgjegjesimin e qeverise për të marrë seriozisht denoncimet për përdhunime, dhunime dhe abuzime, si dhe të ndëshkojnë autorët. Qytetarët ngritën zërin për një sërë rastesh ku megjithëse autorët e krimit janë bërë publikë, institucionet nuk kanë marrë asnjë masë. Në shumë prej këtyre rasteve kanë qenë gratë, viktimat, ato që janë sulmuar publikisht, veçanërisht në median sociale. Grupe të shoqërisë civile gjithashtu kanë kritikuar vazhdimisht mediat për fajësimin e viktimave të prekura nga dhuna dhe referimit të disa vrasjeve të grave si “krime pasioni” dhe jo thjesht krim.

 

3 komente

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme