28 vite për (mos)rehabilitimin e ish-të përndjekurve…

Nga Erblin Vukaj
28 vite për (mos)rehabilitimin e ish-të përndjekurve…

Njëzetë e tetë vite pas rrëzimit të shtatores së diktatorit Hoxha, ish-të përndjekurit politikë në Shqipëri ende nuk janë rehabilituar. Drejtësia e pavënë përballë krimeve të regjimit komunist dhe procesi i tejzgjatur i dëmshpërblimeve mbeten plagë për ta. Edhe pse fatura ekonomike që nevojitet për ta shlyer këtë proces është më e vogël se kostot e ndërtimit të një rruge kombëtare mungesa e vullnetit politik mbetet arsyeja se pse ende sot nuk ka një datë zyrtare se kur do të përfundojë.

Gjatë këtyre 28 viteve një nga pengjet më të mëdha për ish-të përndjekurit ka qenë drejtësia. Fatkeqësisht që prej vitit 1997 e deri më sot nuk është mbajtur kurrë një seancë gjyqësore për të gjykuar një çështje që ka të bëjë me krime të komunizmit. Por edhe gjyqet që u mbajtën më përpara nuk dhanë drejtësi. Asnjë nga përgjegjësit e mbi 5 500 të ekzekutuarve nuk u dënua. Në gjyqet e fillimviteve ’90 kryesisht u akuzua nomenklatura dhe klasa drejtuese. Akuzat nuk ishin për krime konkrete, por në tërësi, – sipas “Raportit Ruli” – për shpërdorim fondesh. Asokohe të djathtët u justifikuan duke thënë se sistemi gjyqësor dhe vetë legjislacioni ishte ende i koncepteve komuniste dhe se për këtë ishte e vështirë të ngriheshin akuza për krime konkrete. Por edhe pas miratimit të të ashtuquajturit ligji “për genocidin” situata nuk ndryshoi shumë. Edhe kur disa nga ish-drejtuesit u dënuan sërish, sistemi gjyqësor rrëzoi dënimet e tyre duke argumentuar se ata “nuk mund të dënoheshin për veprime, të cilat nuk ishin të jashtë-ligjshme në kohën kur janë kryer”. Që nga ajo kohë askush nuk u akuzua më konkretisht me ndonjë akuzë dhe askush nuk doli publikisht të kërkonte falje.

Që prej vitit 1991 e deri më sot ish-të përndjekurit kanë kërkuar hapjen e dosjeve. Në fillimvitet ’90 ata shpresonin se të dhënat e mbajtura nga Sigurimi do të mund të ndihmonin në gjetjen e të zhdukurve, në dokumentimin e përndjekjeve e krimeve të regjimit si dhe në largimin e zyrtarëve që thuhej se kishin pasur një të kaluar si bashkëpunëtorë. Sot 28 vite pas rrëzimit të komunizmit, edhe pse thuhet se hapja e dosjeve ka nisur duke qenë se është krijuar një institucion si Autoriteti i Informimit mbi dokumentat e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH), eshtrat e asnjë të zhdukuri nuk janë gjetur prej konsultimit me ndonjë dosje. Asnjë krim i dokumentuar nuk është përkthyer në ndonjë padi apo çështje gjyqësore. Sikur të mos mjaftonte kjo procesi i hapjes së dosjeve nuk e ka trazuar aspak politikën. Ligji për hapjen e dosjeve njeh vendimet e komisioneve parlamentare të mesit të viteve ’90-të ku zyrtarë të tipit kryeparlamentari aktual morën çertificata të pastërtisë së figurës dhe kërkesat për dosjet e kolegëve të tij apo zyrtarëve të tjerë janë të kufizuara për t’u bërë nga gazetarët apo qytetarët. Sipas ligjit ndaj tyre kërkesa bëjnë vetëm institucione të tipit Parlamenti, Prokuroria etj. Pra vetë ata askush tjetër…

Dekomunistizimi mbetet ende tabu. Eshtë ironike, por ende sot Mehmet Shehu, përgjegjës kryesor për pushkatimin pa gjyq të dhjetra e qindra personave, nderohet me emrin e një rruge në Mallakastër. Simbolet komuniste nuk janë ndaluar ende me ligj. Propaganda e regjimit që u ndërfut rëndë në kinematografi, muzikë apo letërsi gjen pa problem kohë për transmetim në televizionin publik. Aspak qartësi për të shkuarën nuk ka në librat e shkollave. Po pa problem, herë pas here, të ashtuquajtur “nostalgjikë” shfaqen me portretin e diktatorit për të kujtuar ato data që dikur qytetarët detyroheshin t’i kalonin duke parakaluar shesheve me parada.

Gjatë këtyre 28 viteve një nga kalvaret më të mundimshme për ish-të përndjekurit ka qenë marrja e dëmshpërblimeve. Procesi nisi në vitin 1993 dhe deri në vitin 1997 pushteti i të djathtëve shpërndau pak, por megjithatë diçka. 17.5 milionë euro (2.2 miliardë lekë). Më pas deri në vitin 2005 vendin e drejtuan të majtët. Ata nuk shpërndanë asgjë. Të majtët bllokuan për 8 vite procesin e dëmshpërblimeve me argumentin kryesor “buxheti nuk mjafton”. Vetëm pas rikthimit në pushtet të të djathtëve në vitin 2005 procesi rinisi. Përmes ndryshimeve dhe rishikimeve të shumta ligjore ata e rihapën procesin në vitin 2007. Deri në vitin 2013 shpërndanë 75 milionë euro (9.3 miliardë lekë). Qeveria e majtë që erdhi më pas, fatmirësisht nuk e bllokoi më procesin. Nga 2013-ta e deri më sot janë shpërndarë edhe 76 milionë euro (9.5 miliardë lekë) të tjera, por që nuk mjaftojnë.

Kështu gjatë 28 viteve për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve janë shpërndarë 168.5 milionë euro (12 miliardë lekë), por dhe sa duhen? Sipas studimit “(Mos)Rehabilitimi i ish-të përndjekurve politikë” – mbështetur nga Instituti për Demokraci Media dhe Kulturë (IDMC) – që i referohet të dhënave të Kontrollit të Lartë të Shtetit, procesit i duhen edhe 240 milionë euro (30 miliardë lekë) të tjera. Kjo shumë është e përafërt me koston e ndërtimit të 74 kilometrave të rrugës së Arbërit. Zyrtarisht nuk ka një datë zyrtare se kur ky proces do të përmbyllet, por nëse mbahet i njëjti ritëm lëvrimi dhe shpërndarjesh fondesh, do të duhen edhe 14 vite të tjera për t’u shlyer krejtësisht. Pra dëmshpërblimet duhet të jenë shlyer rreth vitit 2033.

Kështu ata ish-të përndjekur politikë, të cilët kur fituan pafajësinë në vitin 1991 ishin mesatarisht 40-vjeçarë, dhe që sot pas 28 vitesh janë tek të 70-at, do ta kenë marrë tërësisht shumën e dëmshpërblimit në moshën 80-vjecare, gjithmonë nëse jeta nuk do të tregohet më mizore se tranzicioni dhe vullneti i klasës së mefshtë politike që ka drejtuar vendin gjatë kësaj kohe.

Për të liruar barrë nga fatura e procesit rehabilitues dhe për ta mbyllur sa më shpejt këtë proces, qeveria e majtë nuk ka menduar t’i shtojë fondet duke shkurtuar kohëzgjatjen, por krejt e kundërta. Ajo vendosi vitin që shkoi që të përjashtonte nga dëmshpërblimi familjarët e rrethit të dytë për rastet kur bashkëshortët dhe fëmijët nuk jetojnë më. Kështu sot nipi/mbesa i/e një ish-të përndjekuri, i cili nga regjimi u dënua familjarisht, nuk mund të përfitojë më asnjë shumë dëmshpërblimi që i takonte prej gjyshërve nëse prindërit nuk i jetojnë më. A quhet ky rehabilitim, sipas të majtëve po.

0 komente

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme