3 vjet pas reformës: drejtësia një ngrehinë që nuk prodhon drejtësi

3 vjet pas reformës: drejtësia një ngrehinë që nuk prodhon drejtësi

Qytetarëve shqiptarë iu premtua se reforma në drejtësi do ishte zgjidhja për problemet e Shqipërisë: drejtësia e reformuar do të nxirrte para drejtësisë politikanët e korruptuar dhe kriminelët, dhe si rezulat Shqipëria do të kishte shpejt qeverisje të ndershme dhe shoqëri pa krim.

Me këtë premtim u gatua dhe imponua reforma në drejtësi, nën mbështetjen entuziaste të qytetarëve. E ndërsa reforma filloi të zbatohej shumë ngadalë dhe entuziazmi fillestar i publikut filloi të zbehej, flamurtarët e reformës filluan të premtonin në publik se së shpejti reforma do të jepte rezultatet konkrete për të cilat ishtë kryer. Në thuajse tre vjet të zbatimit të reformës, ambasadorë të huaj, politikanë endas e të huaj kanë premtuar shumë herë se “peshqit” e mëdhenj do të binin shpejt në rrjetën e drejtësisë së reformuar, pra shumë shpejt do të kishte arrestime politikanësh të lartë apo kriminelësh të mëdhenj.

Pandëshkueshmëria e politikanëve dhe kriminelëve vazhdon

Asgjë nuk ndodhi. Nuk ka asnjë “peshk të madh” në burg, ndryshe nga ç’ju premtua qytetarëve shqiptarë. Me sa duket për të mbuluar rrjetat bosh të reformës, propaganda zyrtare dhe përfaqësitë e huaja në Tiranë po përpiqen të shesin si suksese përparimet apo statistikat burokratiko-administrative të reformës — sa institucione janë ngritur, sa mbledhje janë bërë, sa magjistratë janë përjashtuar nga vetingu, etj. Në një zhvillim tipik të dështimit institucional, vetë institucioni është bërë qëllim në vetvete dhe jo përmbushja e qëllimit për të cilin ai është krijuar.

E gjitha kjo gjë po ndodh kur krimi, korrupsioni dhe bashkëpunimi krim-politikë ka arritur nivelet ku po vihet në rrezik rendi politik dhe shoqëror në vend.

Përgjimet e prokurorisë të rrjedhura në media treguan se Vangjush Dako, socialisti më i rëndësishëm dhe pushtetshëm në qarkun e Durrësit, i dyti për nga rëndësia politike dhe ekonomike pas Tiranës, kishte bashkëpunuar me një organziatë kriminale të trafikut të drogës për të blerë votat në zgjedhjet e vitit 2017. Por Vangjush Dako është i lirë dhe jo vetëm prokuroria nuk ka nisur asnjë hetim formal ndaj tij, por ai vazhdon të jetë kryebashkiak i qytetit të Durrësit dhe drejtuesi socialist i gjithë qarkut të Durrësit.

Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri vazhdon të mbrohet hapur nga Kryeministri Rama dhe po hetohet i lirë, ndonëse të gjithë personat e tjerë të ngarkuar nga prokuroria me të njëjtën akuzë si ai janë mbajtur gjithmonë, pa asnjë përjashtim, në burgim pa afat.

Asnjë punonjës shtetëror, qendror apo lokal, asnjë drejtues apo oficer policie nuk është nxjerrë para drejtësisë për krjimin e Shqipërisë në plantacion droge, edhe pse ky fakt është pranuar edhe nga Kryeminsitri, ndërsa ish-ministri Xhafaj pranoi përfshirjen e policisë në trafikun e drogës.

Asnjë punonjës shtetëror nuk është hetuar dhe nuk ka dalë para drejtësisë për skandalet e shumta korruptive, nga koncesionet tek kontratat publike me kompani fantazma.

Ndërkohë, çdo gazetar i huaj arrin të gjejë dhe lidhet lehtësisht me kriminelët dhe trafikantët në çdo cep të Shqipërisë, të marrë intervista, të vizitojë e filmojë plantacionet dhe magazinat e drogës, por sistemi ynë i zbatimit të ligjit dhe rendit publik nuk arrin të zbulojë asnjërin prej tyre.

Në fakt, kriminelët e shumëkërkuar nga policitë e shumë vendeve të huaja, veç asaj tonës, shëtisin dhe të qetë nepër Tiranë, madje vriten me njëri-tjetrin në lokalet në qendër të kryeqytetit, të cilat frekuentohen edhe nga qeveritarët më të lartë të vendit, por policia shqiptare nuk arrin t’i gjejë dhe t’i arrestojë.

Përkundrazi, drejtësia e reformuar shqiptare po liron dhe ata që janë dënuar nga drejtësia e vjetër. Disa ditë më parë, Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda vendosi ta zbresë në 25 vite burg dënimin me burgim të përjetshëm për Dritan Dajtin, krimineli që ndër të tjera vrau katër oficerë policie, i cili taniduhet të lirohet pas pak vitesh për shkak të përllogaritjes së kohës së paraburgimit. Gerd Gjenerali i dënuar me burgim të përjetshëm u lirua para pak javësh, sikurse para tij janë liruar anëtarë të bandës Hakmarrja për Drejtësi, të bandës së Lushnjës, apo janë lënë të lirë trafikantë dhe kriminelë të shumëkërkuar në botë. Një gazetare e rëndësishme në vend lajmëroi para pak ditësh se një tjetër figurë e rëndësishme e krimit e dënuar me burgim të përjetshëm do të lirohet në ditët e ardhshme nga drejtësia e reformuar.

Drejtësi e paralizuar ose e kontrolluar

Reforma synonte të depolitizonte sistemin e drejtësisë dhe të krijonte një sistem me gjyqtarë dhe prokurorë të ndershëm. Por prej thuajse një viti e gjysëm kemi një Prokurore të Përgjithshme të zgjedhur me votat e shumicës, në shkelje të Kushtetutës, e cila ka shkjelur çdo ligj të mundshëm duke transformuar krejtësisht përbërjen e sistemit të prokurorisë edhe pse nuk e ka këtë kompetencë.

Kemi gjyqtarë dhe prokurorë të konfirmuar nga vetingu edhe pse u bënë publike dyshime serioze mbi pasurinë dhe të shkuarën e tyre, por që kanë “meritën” e shërbimit ndaj qeverisë në të shkuarën.

Kemi prokurorë dhe gjyqtarë që nuk i janë nënshtruar ende vetingut, por janë të sigurtë se do të shkarkohen që po shfrytëzojnë çdo mundësi që u jepet për të shitur drejtësinë që kanë në dorë, deri minutën e fudnit që do të jenë në sistem. Dhe shumë prej tyre do të jenë gjatë, pasi vetingu do të kërkojë të paktën nëntë vjet të përfundohet.

Më kryesorja, askush nuk e di se çfarë mekanizmash dhe garancish ka që që do të ndalojnë gjyqtarët dhe prokurorët që e kanë kalaur vetingun te korruptohen.

Nga ana tjetër, prej një vitit e gjysmë, Shqipëria është praktikisht pa Gjykatë Kushtetuese, çfarë i ka lënë dorë të lirë qeverisë dhe shumicës socialiste të shkelë Kushtetutën dhe çdo lloj standardi ligjor në vend, deri në ligjërimin e vjedhjes së pronës publike me ligje të posaçme. Pë rmë shumë, mungesa e kësaj gjykate, që është edhe ruajtësja e Kushtetueshmërisë, ka cenuar kontrollin dhe balancimin reciprok të pushteteve, duke dëmtur një nga parimet themelore të demorkacisë, dhe duke i lënë dorë të lirë pushtetit ekzekutiv të kontrollojë cdo pushtet tjetër.

Shqipëria nuk ka as Gjykatë të Lartë funksionale, e cila ka mbetur me një të shtatën e anëtarëve që duhet të kishte. Mbi 27 mijë dosje të qytetarëve presin të shqyrtohen, një kapicë, që pa llogaritur cështjet e reja që vinë cdo ditë, do të dojë të paktën 3-5 vjet që të shqyrtohen. Edhe sikur të bëhen përpjekjet maksimale për të plotësuar vendet bosh në këtë gjykatë, mosfunksionimi i saj ka krijuar tashmë destabilitet për sistemin e drejtësisë, i cili do të ndihet për shumë vite. Mbi të gjitha ajo ka prodhaur pasoja të rënda për shumë qytetarë dhe ka shkelur të drejat e tyre themelore pasi drejtësia e vonuar është drejtësi e munguar.

Nga ana tjetër, edhe vetë institucionet e reja të drejtësisë nuk janë të qëndrueshme. Anëtarët e KLGJ-së dhe KLP-së janë akoma në pritje të një vendimi përfundimtar, sepse me përjashtim të dy anëtarëve nga 20 të tillë vendimet e shkallës së parë të vetingut janë apeluar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit (KPA).

E gjithë kjo gjendje e rëndë e sistemit të drejtësisë nuk mund të fshihet më me optimizmin e rremë se së shpejti çdo gjë do të bëhet mirë dhe do të ketë drejtësi europaine. Sot është e qartë se nuk do të ketë të tillë, jo edhe për shumë vite dhe jo pa korrigjuar problemet e thella që ka shkaktuar një reformë e hartuar në mënyrë diletante dhe në mënyrë arbitrare.

Tani për tani, përfituesit e vetëm të kësaj reforme janë politikanët e korruptuar dhe kriminelët.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme