5,7 milionë euro për rehabilitimin e Bulevardit Zogu I, 600 metra i gjatë

5,7 milionë euro për rehabilitimin e Bulevardit Zogu I, 600 metra i gjatë Bulevardi Zogu i Parë

Bashkia Tiranë do të shpenzojë rreth 5,7 milionë euro për të rehabilituar Bulevardin Zogu I, 600 metra i gjatë, nga Sheshi Skënderbej deri në unazën pranë ish-Stacionit të Trenit. Për këtë qëllim ajo ka hapur një tender më 12 mars 2019, për përzgjedhjen e kompanisë ndërtuese, i cili do të mbyllet më 11 prill 2019.

Nuk ka asnjë dokument, studim, analizë apo projekt teknik të publikuar për këtë ndërhyrje, dhe për të nuk është bërë asnjë njoftim zyrtar nga Bashkia Tiranë. Projekti është përmendur vetëm një herë kalimthi nga Kryebashkiaku Veliaj, në nëntor të 2018-ës, në një takim në Njësinë 9 në kryeqytet gjatë paraqitjes të projekt-buxhetit 2019:

“Ambicja jonë është që Bulevardi “Zogu I”, nga ish-Stacioni i Trenit deri tek Sheshi Skënderbej të transformohet në një rrugë shopingu, siç kemi bërë me pjesën e Pazarit të Ri.

Për këtë do të rregullojmë të gjitha fasadat, do ta zgjerojmë akoma më shumë trotuarin, do të kemi 4 sheshe dhe 4 ‘piaceta’. Do të jetë një nga rrugët më të bukura në Tiranë, pa dalluar shumë nga Bulevardi i Ri.”

Në prill 2018, Bashkia Tiranë ka zhvilluar tenderin për hartimin e studimit dhe projektimit të rehabilitimit të Bulevardit Zogu I. Kontrata, me vlerë rreth 90 mijë euro, iu dha studios “I RI” në pronësi të firmës 51N4E—kompania kryesore kliente e Kryeminisitrit Rama, e cila ka projektuar rindërtimin e Sheshit Skënderbej—dhe arkitektit Gent Agollit, gjithashtu pjesë e stafit të 51N4E në Tiranë dhe koordinator i projektit të rindërtimit të Sheshit Skënderbej.

Studimi prej 124 faqesh i hartuar nga “I RI” nuk ka një plan të plotë të projektit, por vetëm specifikime teknike të punimeve. Në të nuk ka asnjë sqarim se ku do të vendosen shatërvanet, mini-sheshet apo kioskat.

Në faqen zyrtare të Bashkisë Tiranë, po ashtu nuk ka asnjë projekt të publikuar.

Nga studimi i “I RI” kuptohen vetëm disa nga punimet që do të kryhen, të cilat janë:

— shkatërrimi i sistemit aktual dhe ndërtimi i një sistemi të ri të ujërave të zeza, rrugëve të makinave dhe trotuarëve;

— ndërtimi i katër shesheve të vogla (Fortuzi, Pocket, Village dhe University) dhe mbjellja e pemëve dhe shkurreve dekorative në to; vendosja e stolave të betonit njësoj si në Sheshin Skënderbej; vendosja e kioskave;

— ndërtimin e shatërvanëve – njëri prej të cilëve do të jetë tek sheshi Pocket, vendndodhja e qartë e të cilit nuk dallohet;

— shtrimin me gurë natyrorë të rrugës ku kalojnë makinat, sheshet, trotuaret;

— rikualifikimi i fasadave të ndërtesave buzë rrugës.

Bulevardi Zogu i Parë u rikonstruktua në vitin 2006, kur Edi Rama ishte kryebashkiaku i Tiranës.

3 komente

    Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

    Lajme te ngjashme