Akuzat për abuzimin e Nashi Shehapit me fëmijën përforcohen nga rrjedhja e një regjistrimi Nashi Shehapi duke votuar, Nashi Shehapi me ministren Ogerta Manastirliu

Gjatë disa muajve të fundit, Exit.al ka raportuar për rastin e një djali trevjeçar, AH, i cili akuzoi Drejtoreshën e Kopshtit të tij, Nashi Shehapi, se e ka goditur dhe mbyllur atë në një dollap nën shkallët e njohur si “vrima e miu”.

Në një kthesë të çuditshme, Exit.al i është dërguar një regjistrim, që duket se konfirmon një numër akuzash të ngritura kundër Drejtoreshës së Kopshtit Nr.1 në Tiranë.

Për të ndihmuar vendosjen e drejtësisë kemi vendosur të publikojmë informacione në lidhje me disa fragmente nga një bisedë e regjistruar që iu dha shkrueseve të këtij artikulli. Biseda zhvillohet mes disa individëve, që lidhen drejtpërdrejt me të akuzuarën, viktimën dhe Kopshtin Nr.1.

Tani për tani kemi vendosur të mos zbulojmë identitetin e njerëzve në regjistrim, me shpresën se ata do të japin dëshmi vullnetare dhe të ndershme para autoriteteve.

— Diskutohet deklarimi pranë policisë gjyqësore i njërës prej edukatoreve se Shehapi nuk ka qenë në kopësht ditën kur mendohet të jetë dhunuar fëmija A.H. Në fakt, del se ajo që nuk ka qenë në kopësht ka qenë edukatorja që ka bërë deklarimin, e cila ka qenë në plazh ditën në fjalë. Nga përgjimi lihet të kuptohet se Nashi Shehapi jo vetëm ka qenë e pranishme, por në një moment ajo është takuar për një kafe miqësore me nënën e fëmijës te “ Beng-Bengu”, gjë që ia ka pohuar edhe vetë stafit.

— Diskutohet se si fëmija A.H nuk pranon të takohet më me edukatoret e vjetra me frikën se “kanë ardhur ta çojnë te Nashi”.

— Njëra prej bashkëbisedueseve pohon se e di që fëmijën e ka rrahur Nashi Shehapi, se “ Nashi më rrihte dhe mua, jo më…”, por ajo i ka në dorë se i heq nga puna. Vazhdon me një debat se kush ka në dorë kë.

— Biseda shkon në kohën që drejtoresha e dënonte fëmijën duke e dërguar për te “vrima e miut”, stafi ka ndërhyrë për ta “shpëtuar”.

— Se si persona që kanë dalë në mbrojtje të Shehapit herë janë njerëz të cilëve ajo u ka siguruar punë, herë janë njerëz të cilët nuk dijnë gjë, por i ka keqinformuar.

— Se si punonjëset frenohen të denoncojnë publiksht me frikën se dëmtojnë imazhin e qeverisë, pasi rasti do të “politizohet” nga pala tjetër, duke rrezikur vendin e tyre të punës, pasi ato janë “të së majtës”. Privatisht, pohojnë se kanë tentuar të denoncojnë Shehapin në strukturat e Partisë Socialiste dhe kanë marr mbrapsht premtimin se nuk e ka të gjatë.

— “E dijnë të gjithë që e ka bërë ajo!”- pohon një pjestare e stafit në njëfarë pike.

— Dikush thotë se ka rënë numri i fëmijëve që kërkojnë të jenë pjesë e Kopshtit nr.1 qysh prej publikimit të denoncimit.

— “Ka dhënë lekë ajo. Duhet të kishin marr deponim në kopësht që atë ditë (ditën e padisë). Ditën që erdhi Prokurorja na mbylli në grup…”

— Diskutohen për persona të ndryshëm, të përmendur edhe më parë në artikujt e Exit.al, se cili mund të jetë prej tyre që ka mbajtur Shehapin në punë, pavarësisht karakterit dhe akuzave ndaj saj.

— “ E dini cfarë thotë ajo? Asgjë s’më bëni! Këtu më keni!”

Një pjesë e mirë e pohimeve të mësipërme mund të mos jenë të reja për kë ka ndjekur hap pas hapi kërkimet tona mbi rastin, por përforcojnë faktin se Shehapi besohet gjerësisht se është fajtore për këto krime dhe po mbrohet.

Nga këto komente, si dhe muaj të tëra të hetimit nga Exit.al, duket se abuzimet e kryera nga Shehapi nuk janë të kufizuara në abuzimin e djalit trevjeçar në fjalë, por përkundrazi shtrihen tek stafi, prindërit dhe potencialisht edhe te fëmijët të tjerë.

Që nga fillimi, hetimi ka qenë i zhytur në gabime dhe parregullsi procedurale dhe ligjore, duke arritur kulmin me pushimin e çështjes nga Prokurorja Eriselda Bala, duke përmendur si motiv mungesën e provave.

Përveç faktit se hetimi në të vërtetë nuk filloi derisa babai i fëmijës dhe gazetarët e Exit-it ekspozuan rastin dhe sfiduan mosveprimin e Balës, u vërejtën edhe një numër çështjesh të tjera shqetësuese. Këto përfshinin dokumente që tregonin se dëshmia prej dy orësh e fëmijës ishte reduktuar në pesë rreshta tekst, duke përfshirë përgjigjen e fëmijës “Nuk kam asgjë tjetër për të thënë”, kur u pyet nëse Shehapi e kishte goditur.

Kjo është e habitshme, jo vetëm për shkak se është një shprehi shumë e pazakontë për t’u thënë nga një trevjeçar, por gjithashtu për shkak të denoncimeve të shumta të fëmijës të bëra në praninë e dëshmitarëve. Për më tepër, ka pasur një mungesë serioziteti në marrjen në pyetje të dëshmitarëve kryesorë, të zëvendësuar me deklarata që shpallin pafajësinë e Shehapit. Këto deklarata janë marrë nga individë të tillë si rojet e natës, një grua, fëmija i të cilës as nuk ka frekuentonte kopshtin, si dhe një zyrtar i qeverisë.

Përveç kësaj, emri dhe fotografia e fëmijës u zbuluan qëllimisht në media dhe zonja Bala i tha nënës së fëmijës se çështja e tij ishte “dëmtuar” nga publikimi i rastit në media. Ajo nuk sqaroi se pse apo se si ishte dëmtuar çështja.

Pas konfirmimit të abuzimeve të sugjeruara nga regjistrimi, i lutemi atyre që janë të përfshirë të bëjnë gjënë e duhur dhe të tregojnë të vërtetën para autoriteteve. Regjistrimi dhe deklarimi i një numri individësh të afërt me situatën konfirmojnë versionin e ngjarjeve të fëmijës dhe tregojnë qartë Shehapin si individin që e ka sulmuar atë.

Ne e konsiderojmë si detyrë të atyre që punojnë në institucionet publike që të flasin dhe të mbrojnë ata individë, kujdesi i të cilëve iu është besuar, veçanërisht në rastin e një fëmije si A.H.

Politika nuk duhet të jetë kurrë më e rëndësishme se ndjekja e të vërtetës apo drejtësisë dhe ne e quajmë turp për këdo që e vë besnikërinë politike përpara mirëqenies së një fëmije. E vërteta duhet të mbizotërojë gjithnjë dhe ne shpresojmë që kush është përfshirë të dalë dhe të bëjë gjënë e duhur, pa u frikësuar në heshtje për arsye politike apo për humbjen e punës.

Le të shpresojmë që çështja e të miturit të rrahur dhe të traumatizuar, i cili ende sot thotë se Shehapi e ka keqtrajtuar, do të trajtohet me seriozitetin dhe do të ketë procesin ligjor që meriton.