Ambasada e Japonisë dhuron 155 mijë euro për mbrojtjen e mjedisit në Berat dhe Korçë

Ambasada e Japonisë dhuron 155 mijë euro për mbrojtjen e mjedisit në Berat dhe Korçë Kryetari i Bashkise Berat Petrit Sinaj dhe Ambasadori i Japonise Makoto Ito

Ambasada e Japonisë në Shqipëri dhuroi javën e shkuar dhjetëra mjete për të ndihmuar punën e Bashkive të Beratit dhe Korçës. Ambasadori i Japonisë Makoto Ito nënshkroi me kryebashkiakët përkatës ndihmën prej 75 mijë euro për blerjen e një automjeti zjarrfikës në Berat, si dhe 80 mijë euro për 89 makineri dhe mjete që do të përdoren për mirëmbajtjen e hapësirave të gjelbra në Korçë. Gjatë vitit 2018, Japonia dhuroi edhe një kamion për pastrimin e mbetjeve në Tiranë, si dhe 50 kazanë për mbledhjen e mbeturinave.

Krahas Tiranës, Berati dhe Korça janë ndër qytetet që kanë tërhequr veçanërisht vëmendjen e Ambasadës së Japonisë. Vetë Japonia ka 22 zona të trashëgimisë botërore të njohura nga UNESCO, ndaj edhe Berati si trashëgimi e Shqipërisë në UNESCO është në mënyrë të natyrshme në vëmendjen e ambasadës japoneze. Sigurisht që edhe turistët japonezë që vijnë në Shqipëri e kanë Beratin në krye të qyteteve për t’u vizituar. Zjarrfikësja është një ndihmë e vyer për një qytet si Berati, i cili përballet vit për vit me zjarre dhe vërshime të lumit Osum.

Nga ana tjetër, në Korçë gjendet Muzeu i Artit Oriental “Bratko”, i cili ka disa punime japoneze, që në Shqipëri vështirë të të bjerë ndryshe rasti për t’i pare. Po ashtu, në Korçë është duke u ndërtuar edhe kopshti i parë japonez në Shqipëri. Kopshti është njëra nga traditat më të njohura të Japonisë, që lidhet ngushtësisht me kulturën, fenë dhe botëkuptimin shpirtëror të popullit japonez.

Ambasada e Japonisë në Tiranë u hap në vitin 2017. Në këto dy vite ka pasur disa vizita të niveleve të larta midis dy vendeve apo edhe takime në forume ndërkombëtare.

Ambasada e Shqipërisë në Japoni u hap në vitin 2005. Në shenjë vlerësimi për punën e tij, Ambasadorit Ito i dorëzoi ish-Ambasadorit Bujar Dida në emër të qeverisë japoneze dekoratën perandorake “Urdhri i Artë dhe i Argjendtë i Diellit në Lindje” në vitin 2018.

Shkëmbimi tregtar midis dy vendeve mbetet ende në nivele modeste, mirëpo vetëm gjatë vitit 2018 Japonia ka dhënë donacione në mbi 5 milionë dollarë për projekte të ndryshme në Shqipëri. Vitin e shkuar, Agjencia Japoneze për Bashkëpunimin Ndërkombëtar (JICA) nisi një projekt bashkëpunimi teknik në vlerën e 4.6 milionë dollarëve për të përmirësuar gjendjen ekonomike të mbi 40 mijë familjeve në fshatrat e vendit.

Por, përveç donacioneve të qeverisë japoneze, është ndoshta kultura, në kuptimin e gjerë të fjalës, aty ku Japonia shfaqet më qartë në sytë e shqiptarëve.

Ambasada japoneze organizon përvit festivale apo shfaqje të kulturës japoneze në Shqipëri, përfshi edhe pjesëmarrjen në panaire që organizohen këtu. Gjatë vitit 2018, ndër të tjera ambasada bashkëpunoi për të sjellë një shfaqje të kërcimit tradicional japonez butoh në Festivalin e Resë në Tiranë, artistë me instrumente japoneze morën pjesë në Festivalin Multikulturor në Tiranë, një artist japonez mbajti në Tiranë një koncert me instrumentin tradicional japonez shakuhaçi.

Aktivitete që sjellin më pranë të dy vendet janë zhvilluar edhe në fushën e sportit, me vizita sportistësh nga të dyja vendet. Japonia organizon Lojërat Olimpike Tokio 2020 dhe pritet që bashkëpunimi në këtë fushë të zgjerohet. Disa sportistë të Federatës Shqiptare të Mundjes zhvilluan një stërvitje të përbashët në Japoni gjatë periudhës 11-18 shkurt 2019 me Federatën Japoneze të Mundjes.

Japonia ka një program (Programi MIRAI) për shkëmbimin e studentëve, ku vitin e shkuar morën pjesë 18 studentë nga Ballkani Perëndimor (3 nga Shqipëria). Gjithashtu, ajo ofron përvit bursa për studentë shqiptarë për të studiuar në universitetet japoneze (Bursa Monbusho). Nga ana tjetër, Japan Foundation ofron bursa për Studime Japoneze, ndërsa së fundmi, në Universitetin Politeknik të Tiranës gjendet edhe një laborator për mësimin e gjuhës japoneze.

Përpara një viti Japonia inauguroi “Nismën e Bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor” për të mbështetur reformat sociale dhe ekonomike në Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe Serbi. Mbetet ende për t’u parë se në ç’masë do të jetë e aftë Shqipëria të përfitojë nga fondet e kësaj nisme.

0 komente

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme