BBC, reportazh për protestën në mbrojtje të Teatrit

BBC, reportazh për protestën në mbrojtje të Teatrit

Rrjeti britanik BBC ka transmetuar një reportazh mbi protestën e qytetarëve për të mbrojtur godinën e Teatrit Kombëtar nga plani i Qeverisë dhe Bashkisë Tiranë për ta shembur atë. Gazetari i BBC Jon Lorensen ka intervistuar Kryeministrin Rama, deputeten e PD-së Albana Vokshi dhe arkitektin Kreshnik Merxhani.

Më poshtë mund të lexoni një përmbledhje të reportazhit të BBC.

Kryeministri i Shqipërisë nuk është një politikan i zakontë, ai është politikan-artist. Ai është piktor dhe skulptor. Por, gjatë muajve të fundit ai është përfshirë në një skandal. Artistët e vendit po protestojnë kundër tij për të mbrojtur një godinë arti. Kjo protestë po rrezikon imazhin dhe karrierën politike të Kryeministrit.

Kryeministrit Edi Rama, djali i një skulptori të famshëm, i cili ka bërë disa skulptura të rëndësishme të regjimit të Enver Hoxhës, vazhdon të pikturojë gjatë intervistës. Ai thotë se pikturon edhe gjatë takimeve. Muret e zyrës së tij janë të veshura me letër muri me vizatime shumëngjyrëshe, që ai i quan doodles, të pikturuara prej tij.

“Arti më ndihmon të jem i shëndoshë mendërisht, të përqendrohem në biseda”, thotë Edi Rama.

Ai e nisi karrieren si basketbollist profesionist. Rama ka qenë pjesë e skuadrës kombëtare të basketbollit. Por edhe kur merrej me sport, gjithçka kishte lidhje me artin. Të merrreshe me sport në kohën e regjimit ishte e vetmja mënyrë për të dalë jashtë vendit, për të parë pikturat e shekullit 20 në muzetë perëndimore. Kur u bë kryebashkiak i Tiranës, ai leu të gjitha fasadat e pallateve të kohës së komunizmit me ngjyra të kuqe, blu, jeshile, rozë, lejla, e të tjera. Ndaj është e çuditshme që Edi Rama është tani personi më i kundërshtuar nga artistët.

Çdo ditë, për më shumë se sa një vit, artistë, shkrimtarë, aktorë, piktorë kanë protestuar në qendër të Tiranës kundër projektit të Ramës për të shembur Teatrin Kombëtar të ndërtuar nga italianët në vitin 1939. Ai është ndërtuar me anë të një sistemi formash druri të parafabrikuara brenda të cilave hidhej çimento (ndoshta të lehtësuar me tallash druri).

Njëri nga protestuesit është edhe arkitekti Kreshnik Merxhani, i cili thotë:

“Për mua është shumë e rëndësishme të mbroj këtë ndërtesë, jo vetëm për vlerat historike dhe arkitekturore, por edhe për vlerat urbane. Godina ndodhet në zonën historike të Tiranës dhe, nëse ne lejojmë të prishet kjo godinë, atëherë kjo do të krijojë një efekt domino për të prishur të gjithë zonën historike të qytetit.”

Organizata e Evropiane për Trashëgiminë Kulturore “Europa Nostra”, Presidenti i Shqipërisë dhe Ambasadori i BE -së në Shqipëri janë shprehur se kjo ndërtesë ka vlera historike dhe arkitekturore, ndërsa për Kryeministrin Edi Rama ndërtesa nuk është më me vlerë se brekët e aktores shqiptare Violeta Manushi, e cila ka ndërruar jetë.

“Nuk mund t’ia lejojmë vetes të mbajmë këtë varr të historisë në mes të qytetit dhe ne duhet të ndërtojmë një teatër të ri aty. Siç ndodh kudo, jo çdo gjë e vjetër ka vlerë të mbahet”, thotë Edi Rama.

Kompania daneze Big është kontraktuar për të projektuar ndërtesën, e cila do të kushtojë shumë para, por qeveria nuk do të paguajë asnjë lek. Kompania private Fusha do të paguajë për të gjithë ndërtimin. Në shkëmbim të ndërtimit të godinës së teatrit të ri, kompania Fusha do të marrë nga shteti 5000 metra katrorë tokë publike në qendër të Tiranës dhe 2000 metra tokë në pronësi të Bashkisë Tiranë, përmes një ligji të posaçëm. Të gjitha problemet janë tejkaluar përmes ligjit të posaçëm.

Albana Vokshi, Kryetare e Komisionit të Medias dhe Kulturës në Kuvend thotë:

“Aty do të ndërtohen 6 kulla të larta dhe do të përfitohen 205 milionë euro. Sigurisht që ka diçka që e lidh qeverinë me kompaninë Fusha.”

Ka pasur aludime për procedura të paregullta në lidhje me ndërtimin dhe shembjen e teatrit. Por Kryeministri Rama shprehet se:

“Ne e kemi bërë në përputhje me ligjin dhe me procedurat e BE-së. Është projekt i partneritetit publik-privat dhe bazohet në bashkëpunim me shtetit dhe me privation, dhe ka një procedurë të pastër të bazuar në ligjet që duhet të ndiqen për këto raste.”

A do t’i mbijetojë Edi Rama skandalit të teatrit, apo një ndërtesa e artit e ndërtuar me tallash do të shënojë rënien e kryeministrit-artist?

0 komente

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme