Çfarë po ndodh në Qafën e Pazarit në Gjirokastër?

Çfarë po ndodh në Qafën e Pazarit në Gjirokastër?

Prej disa ditësh në media po qarkullojnë pamje të zonës historike të njohur si Qafa e Pazarit në Gjirokastër, ku duket heqja e pllakave të kalldrëmit. Duke qenë zonë kulturore e mbrojtur dhe duke pasur në mend se çfarë po ndodh në Durrës, ku ndërtimet me sheshin Veliera po shkatërrojnë trashëgiminë kulturore, fotot e Qafës së Pazarit me kalldrëmet e hequra shkaktuan panik tek qytetarët e Gjirokastrës dhe mbrojtësit e trashëgimisë kulturore.

Por çfarë po ndodh në Gjirokastër?

Prej më shumë se një viti, zona historike e Pazarit të Vjetër, Qafës së Pazarit dhe Sheshit Çerçiz Topulli po rikonstruktohet me qëllim rijetëzimin e zonës historike dhe zhvillimin e bizneseve në të.

Projekti është një punë e përbashkët mes Fondacionit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit (AADF) dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit (FSHZH).

AADF ka planifikuar të shpenzojnë rreth 5,5 milionë euro në projektin e Qafës së Pazarit. Projekti i financuar nga AADF ndahet në dy faza. Faza e parë e projektit, restaurimi i fasadave të ndërtesave të vjetra në Zonën e Pazarit ka kushtuar rreth 2 milionë dollar, dhe faza e dytë,  mbështetja bizneseve të zonës dhe promovimi i zonës në vitet e ardhshme do të kushtojë rreth 3,5 milionë dollarë.

Ndërsa Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka marrë përsipër të restaurojë rrugët me kalldrëm, gjashtë sheshet, shkallët e qytetit, të ndërtojë rrjetin e kanalizimeve për ujërat e shiut dhe ujërat e zeza, instalimin e tubave për të furnizuar me ujë ndërtesat, si dhe të instalojë një sistem të mbrojtjes ndaj zjarrit. Kjo pjesë e projektit financohet nga Banka Botërore.

I gjithë projekti është hartuar me këshillimin e ICOMOS, Këshillit Ndërkombëtar për Monumentet dhe Sitet, shoqata që punon për ruajtjen dhe mbrojtjen e vendeve të trashëgimisë kulturore anembanë botës dhe ofron këshilla për UNESCO-n në vendet ku ka site të Trashëgimisë Botërore.

Më specifikisht, në zonën e Qafës e Pazarit, ku dhe po punohet aktualisht, sipas projektit, kalldrëmi është shtruar gjatë viteve 70-të dhe që prej atyre viteve nuk ka pasur anjë ndërhyrje për restaurimin e pjesëve të dëmtuara.

Sheshi ne hyrje te Qafes se Pazarit

Sipas planit të menaxhimit të bërë publik nga FSHZH, pas kryerjes së punimeve nëntokësore, i njëjti kalldrëm do të rivendoset sipër. Parashikohet të ketë ndërhyrje të vogla në zonat ku kalldrëmi është dëmtuar në atë pikë sa është i papërdorshëm. Po ashtu në plan është dhe zëvendësimi  me kalldrëm i disa pllakave prej betoni në zonën e njohur si “Shkallët e Enverit”, por nuk dihet ende nëse  do të arrihet kjo ndërhyrje.

Sipas specialistëve, procedura e heqjes së kalldrëmit, kryerjes së punimeve të nevojshme poshtë dhe rivendosja e tij është një procedurë standarde, por që sigurisht duhet të kryhet me kujdes dhe mbikëqyrje nga specialistët, veçanërisht në zona të mbrojtura si Gjirokastra.

Qëndrimet kundër

Njëri prej kundërshtarëve të heqjes së kalldrëmit është eksperti i trashëgimisë dhe restaurimeve, Kreshnik Merxhani, sipas të cilit rezultati përfundimtar i këtyre punimeve në Zonën e Qafës së Pazarit do të jetë “një turp”.

Përmes një postimi në Facebook, ai shkruan:

“Duket se zbatuesit, si gjithnjë, janë në shkelje të hapur dhe të plotë të projektit! Personalisht nuk kam pse pres gjatë për “rezultatin”; ai do jetë një turp!

Kalldrëmet në Pazarin e Gjirokastrës -ata që u hoqën- janë kryesisht të viteve 60-74. Dhe motivi i prishur së fundmi i kësaj periudhe ishte. Këto kalldrëme, të ngjashme në materiale dhe teknikë, kishin fituar qytetari dhe ishin pjesë e arkitekturës së ansamblit.

Ende nuk kuptohet që në situata si Gjirokastra historike “ndryshimi” është konservimi dhe kjo është ndërhyrja kryesore. Çdo përmirësim në infrastructure, kur është i nevojshëm, duhet të kryhet me maksimumin e përpjekjes për të ruajtur materialin autentik dhe teknikën autentike.”

Sot, për të sqaruar mbarëvajtjen e projektit,  në Gjirokastër po zhvillohet një takim mes këshilltarëve bashkiakë të qytetit dhe hartuesve të projektit.

0 komente

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme