DASH: Shqipëria probleme me korrupsionin, zgjedhjet, drejtësinë – Pikat kryesore të raportit

DASH: Shqipëria probleme me korrupsionin, zgjedhjet, drejtësinë – Pikat kryesore të raportit

Dy ditë më parë Departamenti Amerikan i Shtetit publikoi raportin e përvitshëm për zbatimin e të drejtave të njeriut në Shqipëri.

Në raportin e vitit 2018, DASH ndër të tjera ndalet tek probleme si korrupsioni, shit-blerja e votës, ngërçi që ka shkaktuar reforma në drejtësi në sistemin gjyqësor, pandëshkueshmëria e zyrtarëve të lartë, liria e medias, etj.

Më poshtë Exit.al rendit pikat kryesore të raportit:

Korrupsioni dhe mungesa e ndëshkimit:

– Pandëshkueshmëria e zyrtarëve të lartë vazhdon të jetë problem. Hetimi dhe në veçanti dënimi, i zyrtarëve të cilët kanë abuzuar ishte i rastëssishëm dhe i paqëndrueshëm.

– Zyrtarë, politikanë, gjyqtarë dhe personat me interesa të fuqishme biznesi shpesh i kanë shpëtuar hetimit.

– Ish-Ministri i Brendshëm Tahiri mbetet nën hetim për lidhje të forta me krimin e organizuar dhe abuzim me postin.

– Pavarësisht se qeveria ka pasur mekanizma për të hetuar dhe ndëshkuar abuzimin dhe korrupsionin, numri i denoncimeve për korrupsionin në polici është 3,832 denoncime përmes telefonatave në linjën jeshile për antikorrupsionin deri në gusht 2018 dhe 6439 ankesa në 2017. Po ashtu janë marë 1,217 ankesa të shkruara deri në gusht 2018 dhe 1,048 ankesa me shkrim për vitin 2017.

– Nisma e qeverisë për të luftuar korrupsionin dhe vetingu në polici kanë ngecur për shkak të mungesës së fondeve.

– Policia jo gjithmonë e ka zbatuar ligjin në mënyrë të barabartë. Lidhjet personale, politike dhe kriminale, infrastruktura e dobët, mungesa e pajisjeve dhe monitorimi i papërshtatshëm shpesh kanë ndikuar zbatimin e ligjit.

– Ligji parashikon dënime penale për zyrtarët e përfshirë në korrupsion, por qeveria nuk e zbaton në mënyrë efektive, dhe vazhdimisht zyrtarët janë të përfshirë në praktika korrupsioni të pandëshkueshme.

– Prokurorët kanë pasur sukses në dënimin e rasteve të korrupsionit në nivele të ulat, ndërsa në nivele të larta të qeverisë ndëshkueshmëria mbetet e rrallë si pasojë e frikës nga ndëshkimi, mungesa e përgjithshme e burimve njerëzore, dhe korrupsioni në vetë radhët e gjyqësorit.

Zgjedhjet politike:

– Sipas raportit të OSBE-ODIHR, vazhdon politizimi i institucioneve zgjedhore, si dhe ka denoncime për blerjen e votës. Presioni mbi votuesit minon besimin e publikut në procesin zgjedhor.

– Gjatë zgjedhjeve, procedurat e rëndësishme nuk u respektuan tërësisht në një numër të konsiderueshëm qendrash votimit të monitoruara.

Për reformën në drejtësi dhe vetingun:

– Si rezultat i vetingut, Gjykata Kushtetuese ka ngelur me dy nga 9 anëtarë, të tjerët janë shkarkuar ose kanë dhënë dorëheqjen përpara nisjes së vetingut. Gjykata Kushtetuese nuk mund të formojë kuorumin e nevojshëm.

– Deri më 24 tetor, Komisioni i Posaçëm i Vetingut ka shkarkuar 25 gjykatës dhe prokurorë, dhe ka konfirmuar në detyrë 28, ndërsa 16 magjistratë janë dorëhequr përpara fillimit të procesit të vetingut. Nga janari deri në qershor 2018, Prokuroria e Përgjithshme regjistroi 83 hetime të reja për korrupsion të magjistratëve.

Për lirinë e shprehjes dhe e medias

– Ka raportime se qeveria, biznesi dhe grupet kriminale kanë influencuar mediat në mënyra të papërshtatshme.

– Pronarët e mediave përdorin lirshëm mediat për të fituar favore dhe për të promovuar interesat e tyre lidhur me partitë politike.

– Presioni politik, korrupsioni dhe mungesa e fondeve kufizuan mediat e pavarura dhe gazetarët thuhet se praktikonin vetëcensurim për të mos i shkaktuar probleme pronarëve të tyre, që përdorin median për të përfituar ekonomikisht dhe politikisht. Ky fenomen ndodh dhe për faktin se shumica e gazetarëve punojnë pa kontrata dhe janë të pasigurtë për vendin e punës.

– Ka pasur raportime të shumta për dhunë dhe kërcënime ndaj gazetarëve, si dhe presion ndaj tyre për hir të interesave politike dhe ekonomike.

– Në prill, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë shprehu shqetësimin se gjatë katër muajve të parë të vitit 14 gazetarë ishin paditur nga gjyqtarë dhe politikanë. Ndërsa në shtator, Unioni njoftoi se 12 gazetarë kishin kërkuar azil në vendet e BE-së për shkak të kërcënimeve të marra në Shqipëri gjatë punë si gazetarë.

Dhuna në familje

– Qeveria nuk zbaton ligjin në mënyrë të efektshme, dhe zyrtarët nuk hetojnë rastet e përdhunimit martesor. Koncepti i përdhunimit të bashkëshortes nuk kuptohet mirë, dhe autoritetet shpesh nuk e konsiderojnë krim. Në raport përmendet rasti i Xhisiela Malokut, vajzës së dhunuar nga djali i deputeti të PS Rrahman Rraja.

– UNDP ka gjetur se 53 përqind e vajzave dhe e grave në vend kanë qenë të paktën një herë në jetë viktima të dhunës.

Arsimimi

– Prindërit duhet të blejnë libra, uniforma dhe ngrohëse për shkollat publike; këto janë kosto të shtuara për familjet shqiptare, në veçanti për familjet e komunitetit rom dhe minoriteteve të tjera. Shumë familje kanë cituar të gjitha këto kosto si arsye për të mos dërguar vajzat në shkollë.

– Qeveria dha urdhër që fëmijët nga klasa e parë deri në të katërtën do të marrin libra falas nëse ata i dorëzojnë të padëmtuar në fund të vitit, por nuk sqaron nëse këto prindërit duhet të paguajnë ndonjë gjobë nëse librat dëmntohen.

– Vëzhguesit besojnë se është rritur abuzimi ndaj fëmijëve, në veçanti në shkollë. Sipas raport të Ëorld Vision, 70 për qind e fëmijëve në vend kanë rënë viktimë e rasteve të dhunës në shtëpi dhe në shkollë.

– Fëmijët në moshën 14 vjeç, të cilët janë të përjashtuar nga dënimet për veprat penale, përdoren nga bandat kriminale për të vjedhje.

– Shqipëria nuk ka vend të posaçëm për qendrimin e fëmijëve 17 vjeçarë në paraburgim. Sipas Terre de Hommes, nga 17 fëmijë të mbajtur në paraburgim vetëm 9 prej tyre u dënuan.

– Numri i fëmijëve të përfshirë në punët e rrugës si lypja ose shitja rritet gjatë muajve të verës, veçanërisht përqark zonave turistike.

Kushtet dhe të drejtat e të punësuarve

– Qeveria nuk ka asnjë standard për periudhën minimale të pushim gjatë javës dhe shumë rrallë zbaton ligjin për maksimunin e orëve të punës, punën jashtë orarit apo pagesat për orët e jashtët orarit në sektorin privat.

– Kushtet e punës në sektorin e manifakturës, ndërtimit dhe në miniera janë minimale, dhe në disa raste të rrezikshme. Shkelja e pagës dhe e standardeve të sigurisë në punë ndodhin shpesh në sektorin e tekstileve, prodhimit të këpucëve, ndërtim dhe në miniera.

– Punëtorët shpesh e kanë të vështirë të kërkojnë përmirësimin e kushteve të rrezikshme të punës dhe sigurinë e tyre pa vënë në rrezik vendin e punës. Punëdhënësit nuk i mbrojnë në mënyrë të efektshme punëtorët.

 

 

 

4 komente

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme