Departamenti amerikan i Shtetit: në Shqipëri sundon trafiku i drogës dhe krimi i organizuar

Departamenti amerikan i Shtetit: në Shqipëri sundon trafiku i drogës dhe krimi i organizuar

Një raport i fundit i qeverisë amerikane paraqet gjendjen më të rëndë të krimit të organizuar, trafikut të drogës dhe pastrimit të parave që ka qenë ndonjëherë në Shqipëri.

Raporti i Strategjisë për Kontrollin e Trafikut Ndërkombëtar të Narkotikëve që Departamenti i Shtetit i paraqitur dje Kongresit amerikan, përmban një seksion edhe për Shqipërinë, i cili mbulon gjendjen gjatë vitit 2018.

Konkluzionet kryesore të tij janë: është rritur trafiku i kokainës dhe heroinës dhe grupet shqiptare tashmë kontrollojnë trafikun nga burimi deri në Europë; janë rritur rrjetet e grupeve të krimit të organizuar në Shqipëri; Shqipëria tashmë shërben si bazë për operacionit e krimit të organizuar në Amerikën e Veriut dhe të Jugut dhe në Europë; Shqipëria është një vend i rëndësishëm i pastrimit të parave.

Raporti shprehet se Shqipëria është “një vend prodhimi dhe trafikimi të kanabisit dhe gjithnjë e më shumë një vend tranziti për kokainën dhe heroinën, trafiku i të cilave komandohet më së shumti nga elementë të krimit të organizuar, të cilit lëvizin drogën nga vendet e origjinës në vendet europiane”.

Departamenti i Shtetit konfirmon faktin, e pohuar fillimisht nga Agjencia Kombëtare e Krimit e Britanisë së Madhe, se grupet kriminale shqiptare tashmë furnizohen direkt nga prodhuesit e kokainës në vendet e Amerikës Latine dhe të heroinës në vendet prodhuese të Azisë dhe kryejnë trafikimin e saj nga vendet burim në vendet e Europës perëndimore.

Raporti vë në dukje, gjithashtu, zbulimin e laboratorëve për përpunimin e heroinës dhe kokainës në Shqipërinë qendrore dhe veriore.

Raporti pohon se ka patur një rritje të sasisë së kokainës së kapur e cila kalon tranzit nga Shqipëria për në Europë, si dhe të arrestimeve në lidhje me trafikun e drogës, por ai thekson se këto kapje dhe arrestime “janë shtyrë në masën më të madhe nga bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtare, trysnia në rritje ndërkombëtare dhe përpjeket për anëtarësim në BE.”

Raporti ngre shqetësimin se shkatërrimi i infrastukturës të trafikimit të drogës të ngritur gjatë dy dekadave është një sfidë serioze.

Sipas Departamentit të Shtetit, “niveli i lartë i papunësisë dhe zbatimi i dobët i ligjit kanë krijuar një mjedis ideal për grupet e krimit të organizuar që shkakton probleme për kontrollin e drogës”.

Raporti vë në dukje se “eksporti i kanabisit dhe i drogërave të tjera në tregjet europiane është një sipërmarrje shumë fitimprurëse për trafikantët e drogës”.

Duke theksuar gjendjen e pandëshkueshmërisë që sundon në Shqipëri ai shprehet se “gjendja e tanishme, ku rrallë ka dënime apo burgime, nuk i shkurajon kriminelët.”

Duke theksuar rëndësinë dhe duke nxitur zbatimin e reformës në drejtësi, qeveria amerikane thekson se është kritike që të bëhen përpjekje për të ulur ndikimin e krimit të organizuar në Shqipëri.

Për të tretin vit rresht, Departamenti i Shtetit e cilëson Shqipërinë “vend kryesor i pastrimit të parave në botë”. Raporti thekson se qeveria shqiptare nuk ka bërë asnjë përparim në drejtim të pengimit të pastrimit të parave dhe të krimeve financiare.

Sipas qeverisë amerikane, Shqipëria mbetet vend i pambrojtur nga pastrimi i parave për shkak të korrupsionit, shtimit të rrjeteve të krimit të organizuar, dhe mjedisit të dobët ligjor dhe institucional qeveritar.

Krimet kryesore që prodhojnë produkte të pista janë trafiku i drogës, evazioni fiskal dhe kontrabanda. Të rëndësishme janë gjithashtu falsifikimi, trafiku i armëve dhe trafiku i qenieve njerëzore.

Kontrabanda dhe trafiqet lehtësohen nga kontrolli i dobët kufitar dhe doganor.

Në mënyrë alarmante raporti thekson se “Shqipëria shërben si bazë operacionale për organizatat e krimit të organizuar që veprojnë në SHBA, Europë, Lindjen e Mesme dhe Amerikën e Jugut.” Në raportin e vjetshëm theksohej se Shqipëria ishte bazë për krimin e organizuar rajonal, por tani duket se konfirmohen edhe gjetjet e shërbimeve britanike, të cilat kanë theksuar më parë faktin se Shqipëria shërben si bazë për krimin e organizuar shqiptar në Europë.

5 komente

    Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

    Lajme te ngjashme