Diaspora e zhgënjyer i rekomandon ndryshime Kryeministrit

Diaspora e zhgënjyer i rekomandon ndryshime Kryeministrit

Shqiptarë të diasporës i janë drejtuar sot Kryeministrit Rama për të shprehur zhgënjimin me punën e deritanishme të qeverisë me diasporën, si dhe shqetësimet dhe rekomandimet e tyre.

Në një peticion të hapur për nënshkrim, 25 anëtarë të organizatës “Komuniteti Shqiptar Global” shprehen se Samiti i Dytë i Diasporës ishte në funksion të qeverisë, pa shumë vlerë, me vetëm dy orë diskutime, me harxhime tronditëse, të papranueshme, dhe me përfitues kryesorë ata që u paguan për organizimin e samitit. Madje ky samit nuk pati as një deklaratë përmbyllëse për planet në vijim.

Sipas tyre, në kundërshtim me shpresat dhe dëshirën e diasporës për të bashkëpunuar, qeveria ka dështuar për t’i përfshirë ata në forcimin e marrëdhënieve mes diasporës dhe qeverisë.

Anëtarët e diasporës vlerësojnë disa hapa të ndërmarra nga qeveria si Samitin e Parë të Diasporës, krijimin e ministrisë dhe hartimin e disa ligjeve. Ata vlerësojnë se qeveria i ka realizuar këto rezultate pa e angazhuar në mënyrë serioze diasporën dhe pa treguar “kulturë bashkëpunimi”, pavarësisht gatishmërisë së diasporës.

Sipas tyre, qeveria ka miratuar një strategji dhe plan veprimi pa përfshirë asnjë grup pune nga diaspora për hartimin e tyre, ashtu siç edhe nuk ka bashkëpunuar me diasporën për organizimin e dy samiteve.

Në peticion, anëtarët e komunitetit shqiptar në botë thonë se ndihen të fyer dhe e quajnë të papranueshëm cilësimin e Kryeministrit Rama si “kazan” për një pjesë të komunitetit të diasporës që ka pasur kritika ndaj punës së qeverisë.

Ata thonë se, ndryshe nga çfarë ka treguar Kryeministri, ata besojnë se diaspora nuk është e paaftë për të ofruar ide dhe plane dhe nuk duhet të jetë vetëm audiencë përballë fjalimeve të qeverisë.

Në këtë peticion, diaspora i paraqet Kryeministrit pesë rekomandime dhe shprehet e gatshme për bashkëpunim, nëse qeveria do të vendosë të përfshijë edhe diasporën në vendimet që merr për ta. Përndryshe, hartuesit shprehen se do ta ngrenë zërin ndaj politikave të pakonsultuara të qeverisë.

Rekomandimet e Diasporës për Kryeministrin Rama

 – Ministri për Diasporën të mos i injorojë letrat e diasporës, por t’u përgjigjet me shkrim.

 – Samitet e ardhshme të mos i organizojë qeveria, por vetë diaspora, me mbështetjen e qeverive ku jetojnë shqiptarë.

 – Të krijohet një grup pune me përfaqësues të diasporës dhe qeverive të shteteve me shqiptarë për të nxjerrë në pah çështjet më shqetësuese dhe për t’u dhënë zgjidhje.

 – Të merret mendimi i diasporës për strategjinë tashmë të miratuar dhe të ketë një strategji të përbashkët për të gjtha vendet e rajonit.

 – Këshilli Koordinuar i Diasporës, që tani mbulon vetëm diasporën e Shqipërisë, duhet të përshijë edhe vendet e tjera me shqiptarë etnikë.

0 komente

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme