Nga Desada Metaj
Dosja 339–fundi i makthit të Ramës

Edhe pse retorika e disa politikanëve por dhe e ndërkombëtarëve rreket ta përçojë krizën në Shqipëri si pjesë të  betejave politike dhe ta gjejë zgjidhjen e saj në një tryezë, një vështrim me i thellë i gjendjes të bën të kuptosh se zgjidhja duhet kërkuar tek zanafilla. Pikërisht tek zgjedhjet e vitit 2017, procesi tashmë i deligjitimuar jo vetëm moralisht por dhe juridikisht. Denoncimet e herepashershme të opozitës ranë në vesh të shurdhër deri kur media nisi të publikojë përgjime të dosjes së famshme 339 të Prokurorise së Krimeve te Renda.

Sigurisht që 3-4 fletë janë asgjë përpara pirgut të madh me përgjime, që tregojnë  drejtues të lartë të shtetit qe flasin serbes me banditë, të cilët për shkak të përfshirjes së tyre në krime ishin objekt hetimi dhe përgjimi i shërbimeve të një vendi anëtar të BE-së. Etiketimi “kazan” për Zërin e Amerikës sigurisht që nuk e zbehu tronditjen e qeverisë dhe të një pjese të publikut kur panë qartë se Kryetari i Bashkisë së Durrësit kompromentohej qartazi në shitblerjen e votës në qarkun që PS ja kishte lënë në ngarkim për të drejtuar.

As propaganda herë herë pa finesë e një pjese të mazhorancës me sulme ndaj atyre që publikuan disa fletë të dosjes nuk e zbehu dot frikën se të tjera përgjime apo një dosje me një numër tjetër rendor mund të publikohet së shpejti dhe “kazanit” vendas apo të huaj vetëm do t’i rriten klikimet, ndërsa qeverisë problemet. Sulmet ndaj gazetarëve, duke i etiketuar ata si të përdorur nga prokuria apo nga ish-Ministri i Brendshëm Xhafaj janë shenjë e qartë se kur nuk i bën dot gjë gomarit i bie samarit. Asnjë gazetar në botë nuk paguhet për të mbajtur sekrete dhe kushdo qoftë burimi, nëse informacioni ka interes për publikun atëherë vetëm nëse pranon të blihet nga qeveria mund të mos t’i publikojë faktet. Aq më tepër, kur bëhet fjalë për një hetim të ngecur prej më shumë se një viti e gjysëm në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.

Dosja 339 dhe ndonjë tjetër e ngjashme me të, vështirë se do e shohin dritën e gjykimit për sa kohë mungon vullneti për t’i hetuar. Nëse përgjimet datojnë në vitin 2017 janë thuajse dy vjet në dispozicion për të patur të paktën një ide se sa dhe si janë të përfshirë zyrtarë apo ish zyrtarë të lartë të mazhorancës në shitblerjen e votës. Nëse ata janë të pastër, atëherë prokuroria mund të njohë publikun me këtë fakt dhe të çlirojë nga ankthi i arrestimit ata që frikësohen nga kjo dosje. Jam e sigurt që zonja Prela do ta çlironte me dëshirë mazhorancën nga përgjegjësia dhe përfshirja në këtë dosje, por mesa duket e ka të vështirë apo të pamundur.

Një nga arsyet mund të jetë se pa dëshirën e saj dosjen e kanë parë dhe shfletuar edhe persona të tjerë. Ish-ministri i brendshëm Xhafaj madje nuk u druajt fare të paralajmëronte arrestime të bujshme… edhe pse kjo i kushtoi postin e rëndësishëm në qeveri. Me ose pa dëshirën e ish shefit të tij, i ndodhur përballë ndonjë presioni të brendshëm apo të jashtëm, i xhelozuar ndoshta nga shokët e partisë, Fatmir Xhafaj u tregua i gatshëm të pastrojë imazhin e tij të njollosur prej të vëllait, Agron-Geronit, duke njoftuar arrestime që nuk u bënë kurrë.

Në këtë logjikë, ish hartuesi i reformës në drejtësi, njeriu më i rëndësishëm i pushtetit pas kryeministrit, u detyrua të largohej me ceremoni por dhe me informacione të mjaftueshme me të cilat mund të vinte në bankën e të akuzuarve shokë të rëndësishëm të grupit të tij parlamentar. Nuk e di se sa mund t’i dhembë ish hartuesit të reformës në drejtësi fakti që sot hetimet kanë ngecur pa asnjë shpjegim serioz dhe zyrtar. Por pa dyshim, si ish prokuror i regjimit famëkeq, Fatmir Xhafaj i njeh më mirë se magjistratët e demokracisë, metodat komuniste të marrjes dhe shfrytëzimit të informacionit.

Dosja 339 dhe ndonjë tjetër ende e panjohur për publikun, por jo për ish zyrtarët e lartë të qeverisë, janë dhe do të mbeten gjatë si emblematika e krizës por që nëse shfletohen apo hetohen mund të jenë dhe zgjidhja e saj. Edi Rama do i bënte nder vetes por dhe të vetëve nëse do t’i kërkonte së paku publikisht prokurorisë së krimeve të rënda të përfundonte sa më shpejt hetimet për to. Une besoj se një pjesë e publikut do t’ja falte kryeministrit nëse do ta bënte këtë kërkesë duke mos ja konsideruar si ndërhyrje në punët e drejtësisë.

Madje do ta vlerësoja të sinqertë edhe nëse do t’i kërkonte drejtësisë të mos kursente askënd, madje as atë vetë nëse  mund të jetë përfshirë në përgjime me banditë ku shiten e blihen votat. Të paktën publikisht ky mund të ishte një akt që do t’i shtonte disa pikë Edi Ramës, ndoshta më  shumë se përdorimi i gazit dhe humorit të sforcuar të krizës. Por dhe nëse kjo ndodh, prapë topi mbetet në fushën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, dosjet e pahetuara apo të palexuara të së cilës rëndojnë mbi mazhorancën dhe krizën politike në vend.

Nëse nuk i shkohet deri në fund hetimit të këtyre dosjeve është ëndërr vere të mendosh se do të ketë proces normal elektoral në Shqipëri. Dhe ata që janë të interesuar që proceset elektorale të mos zhvillohen siç duhet, sot më shumë se ditës së zgjedhjeve i druhen bisedave të zbardhura, ku vështirë të dallosh politikanin nga banditi.