Durrës- Rreth 12 mijë persona me aftësi të kufizuar, asnjë mjet transporti publik i përshtatur

Personat me aftësi të kufizuara në Durrës vuajnë përditë mungesën e mjeteve që mundësojnë lëvizjen e tyre në qytet duke e bërë shumë të vështirë lirinë e tyre në të ecur.

Durrës- Rreth 12 mijë persona me aftësi të kufizuar, asnjë mjet transporti publik i përshtatur

Qyteti i Durrësit është një nga qytetet më të mëdha në Shqipëri. Në të jetojnë rreth 11.883 persona me aftësi të kufizuara. Në një qytet i cili ka një transport publik prej 6 linjash të autobusëve dhe 39 autobusë, pothuajse asnjë nga këta nuk është i përshtatur dhe i aksesueshëm nga personat me aftësi të kufizuar.

Personat që jetojnë në këtë qytet shprehen për Citizens Channel se gjejnë vështirësi në përditshmërinë e tyre në qytetin e Durrësit dhe për ta është pothuajse e pamundur që të jenë të pavarur kur lëvizin dhe udhëtojnë.

Mungesa e rampave dhe elementëve të tjerë 

“Urbanët janë pa rampë. Autobusët totalisht të papërshtatura. Furgonët janë po ashtu të papërshtatura. Taksi të posaçme për njerëzit me aftësi ndryshe në qytetin e Durrësit nuk ka dhe as në Shqipëri”, thotë për Citizens Stories Flamur Bala, aktivist për aftësinë e kufizuar, i cili e vuan çdo ditë këtë problem.

Por, edhe në ndonjë rast kur rampat janë ato nuk janë funksionale dhe nuk mund të përdoren nga qytetarët me aftësi ndryshe të Durrësit.

“Është vetëm një urban në qytetin e Durrësit me rampë, dhe ai atë rampë e kanë gozhduar domethënë me vida dhe nuk është e përdorshme nuk hapet fare dhe në rast se do ta hapnin është e pamundur që të përdoret sepse në asnjë vend në qytetin e Durrësit urbani nuk ka vendin e posaçëm që të ndalohet”, vazhdon më tej Flamur Bala.

Me të njëjtin problem përballen çdo ditë edhe personat e verbër. Jonuz Meta rrëfen se është i varur nga faturinot e autobusëve apo nga qytetarët e zakonshëm për të mësuar se ku ndodhet dhe për t’u orientuar për ku do të shkojë.

“Ne na bëhet zemra mal ndonjëherë kur faturinot thonë që ndodhemi në filan stacion dhe aty ne e ndjejmë veten të sigurt sepse dimë se ku jemi”, tregon Jonuz Meta i cili drejton dhe Shoqatën e të verbërve në Durrës.

Por, ka edhe raste jo të këndshme!

“Transporti publik…ne duke ecur nuk e dimë vendin ku ndodhemi dhe shpeshherë ne kalojmë destinacionin, do të thotë nuk zbresim aty ku kemi destinacionin  për të zbritur, por kalojmë stacion më tutje ose edhe zbresim stacione pa arritur në destinacion”, shprehet me keqardhje Jonuz Meta.

Për Flamur Balën, zgjidhja e problemit të mungesës së rampave në autobuzat e qytetit të Durrësit nuk është e pamundur dhe e paarritshme.

“Mungesa e rampave nuk është një gjë e paarritshme, është thjesht një  element material që duhet të instalohet aty”,shprehet ai.

Ligje që mbeten në letër

Ligji për transportin e aftësisë së kufizuar në Durrës është një nga shembujt tipikë i rasteve kur ligjet miratohen, por nuk zbatohen.

Janë 4 Vendime të Këshillit të Ministrave (VKM) të cilat “sigurojnë” transportin e lirë të personave me aftësi të kufizuara, që kanë nisur miratimin që në vitin 2008.

Citizens Channel realizoi një vëzhgim në qytetin e Durrësit për të kuptuar nëse ligjet e aksesueshmërisë janë zbatuar. Por ajo që u vu re në çdo rast ishte mungesa apo mos funksionimi i rampave, asnjë informacion i afishuar për autobusët e përshtatur, mungesa e sinjaleve zanore dhe elementëve të tjerë të orientimit.

Ky artikull u botua më parë nga Citizens Channel.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme