EURALIUS shkel detyrimin për transparencë

EURALIUS shkel detyrimin për transparencë

Komisioni Europian gjithnjë e më tepër po shton përpjekjet për të mbrojtur nga detyrimi për transparencë me publikun, misionin e asistencës teknike ligjore URALIUS V, i cili po zbatohet nga një korsorcium organizatash i përbërë nga Fondacioni Gjerman për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar, Agjencia për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, Qendra për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar dhe Këshilli Superior i Magjistraturës.

Konsorciumi i organizatave që zbaton misionin e EURALIUS V është i njëjtë me atë të Euralius IV, i cili ishte përgjegjës për opinionin ligjor antikushtetues, se nuk nevojitej një shumicë e cilësuar, për zgjedhjen e Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme, Arta Marku.

Si Delegacioni i BE-së në Tiranë, ashtu dhe misioni EURALIUS janë vendosur haptazi në krah të qeverisë Rama, e në të njëjtën kohë ato u bënë gjithnjë e më pak transparente me qytetarët. Ndryshe nga faqja e tyre e mëparshme, faqja e re zyrtare e EURALIUS-it nuk përmban një organigramë me emrat e punonjësve të angazhuar me reformën në drejtësi.

Që EURALIUS përdoret nga qeveria si terren mbarështimi i njerëzve mund të kuptohet që nga emërimi i Darian Pavlit në postin e gjyqtarit shqiptar në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Pavli ka qenë ekspert ligjor pranë misionit EURALIUS V.

Duke qenë se EURALIUS është një konsorcium privat, praktikat e punësimit nuk janë transparente apo të hapura, pavarësisht ndikimit të jashtëzakonshëm që EURALIUS ka në drejtësinë shqiptare. Për më tepër, përfaqësuesit e tij ndjekin rregullisht mbledhjet e institucioneve të reja të drejtësisë pa qenë e qartë se si ato ndikojnë tek vendimarrja e anëtarëve të tyre.

Për më shumë, në faqen e tyre zyrtare nuk gjendet më raporti fillestar i projektit, duke parandaluar hetimin dhe analizën e thelluar nga qytetarët dhe mediat të udhëzimeve dhe kufizimeve sipas të cilave punon Euralius. Sikurse tregohet në shkrimin tim të mëparshëm, anëtarët e komitetit drejtues të EURALIUS IV ishin, ish-ministri Xhafaj, Maksim Haxhia Kryetar i Dhomës së Avokatëve, njëkohësisht avokati i ish-Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, dhe ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja, të cilët ishin të dy vëzhgues. Fatmir Xhafaj u detyrua të japë dorëheqjen, Tahiri po hetohet për korrupsion dhe trafik droge, ndërsa Dedja nuk e kaloi vetingun.

Duke pasur parasysh faktin se publikimi i këtij informacioni padyshim ka dëmtuar “pavarësinë” dhe “deklaratat e paanshme” të EURALIUS-it, nuk është habi që kërkesa ime për informacion drejtuar Komisionit Europian për të bërë publik “Raportin Fillestar të EURALIUS V” u refuzua pas këshillimit me “anëtarët e ekipit të konsorciumit të cilët kanë fituar grantin”.

Por ky nuk ishte dokumenti i vetëm që ata refuzuan ta bëjnë publik nën maskën e “mbrojtjes së interesave tregtare, duke përfshirë pronësinë intelektuale”. Ata refuzuan të më japin edhe aneksin e kontratës, e cila përcakton aktivitetet specifike që EURALIUS V do të ndërmarrë. Këto dokumente, megjithëse në shumë vende të mbuluara më të zezë, EURALIUS IV i bëri publike. Me sa duket, atëherë “interesat e tyre tregtare, duke përfshirë pronësinë intelektuale”, nuk kishin nevojë të mbroheshin!

Prandaj, jo vetëm Komisioni Evropian është i paqëndrueshmë me llojin e dokumenteve që zgjedh për të “mbrojtur”, por ato gjithashtu dëmtojnë interesin publik. Qytetarët shqiptarë meritojnë të dinë se kush është anëtar i komitetit aktual drejtues të EURALIUS V, çfarë lloj veprimesh i lejohet EURALIUS V  të ndërmarrë dhe cilat janë udhëzimet specifike me të cilat ai këshillon qeverinë shqiptare.

EURALIUS ndikon shumë në legjislacionin shqiptar, i cili, në emër të demokracisë dhe sundimit të ligjit, duhet të jetë një proces transparent. Duke mos publikuar dokumentet kryesore që kanë të bëjnë me funksionimin e EURALIUS-it, vetë Komisioni Evropian po kërcënon demokracinë dhe sundimin e ligjit në Shqipëri.

3 komente

    Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

    Lajme te ngjashme