Gjergj Kastrioti nuk ishte Skënderbeu

Gjergj Kastrioti nuk ishte Skënderbeu

Nuk mund të rrija pa shkruar kur dëgjoj shumë nga miqtë e mi në kulm të të dyzetave, që më thonë: “Ja, iku Rama, po kush do vijë?”

Nuk ka Skënderbe. Mos e prisni Skënderbeun që do të shpëtojë Shqipërinë, se nuk do të vijë kurrë. Edhe Gjergj Kastrioti në kohë të tij kishte të pakënaqur, armiq, dyshues, dashamirës, kundërshtarë, madje edhe për çështje thelbësore, siç ishte kundërvënia ndaj Perandorisë Otomane apo marrëdhënie të mira diplomatike e tregtare me ta. Edhe Gjergj Kastrioti gabonte ose vinte veton mbi ca vendime, bënte aleanca e prishte të tjera dhe natyrisht që ka pasur përplasje pa fund, se natyrën njerëzore nuk ka shekull që e ndryshon.

“Skënderbe” ose jo e përcakton ajo që lë pas, pasi ke marrë pushtetin në dorë, dhe për këtë kemi prova pa fund nga mbarë historia e botës.

Kanë 29 vjet shqiptarët që presin Skënderbeun dhe provojnë zhgënjime pa fund nga politikanët, për shkak se Skënderbeu nuk vjen kurrë. Në fakt, ky është rasti i pastër kur zhgënjimi lind nga pritshmëritë e gabuara.

Nuk mund të ketë Skënderbe në politikë, për një mori arsyesh:

1. Skënderbeu me gjithë tiparet e larta morale, nuk është njerëzor, është superhero legjendar, ndaj një i tillë nuk ka ekzsituar e nuk mund të ekzistojë.

2. Një njeri që politikën e ka zgjedhur si profesion, për të bërë karrierë politike, në çdo skutë të botës dhe jo vetëm në Shqipëri e jo vetëm në në botën e sotme, po në çdo kohë, ka bërë kompromise apo ka mbyllur gojën në rrugëtimin e tij, se heroi politik nuk ekziston (ai “vdes” rrugës).

3. “Skënderbeu” është një konstatim post-pushteti dhe, sipas shprehjes së vjetër, njeriu provohet kur i jep pushtet, ama pushtet “të plotë”—pas viteve ’90-të, njerëzit që kanë pasur pushtet të plotë në Shqipëri kanë qenë Sali Berisha, Fatos Nano, Ilir Meta dhe Edi Rama. Në varësi të ushtrimit të pushtetit “të plotë” prej tyre, duke peshuar punët që kanë bërë, shkallën e demokracisë që kanë garantuar, mirëqenien ekonomike që kanë sjellë dhe integritetin e tyre individual kemi kuptuar se “nuk paskemi pasur Skënderbe”.

Shqipëria dallon nga vendet e përparuara se, pavarësisht se flasim gjithë ditën për politikë, ne nuk kuptojmë thelbin e saj. Ofertat për ardhmërinë politike që kemi sot nuk janë të përkryera dhe kurrë s’do të jenë, ndaj mjaft me këto “po kush do të vijë”.

Nëse s’na pëlqejnë ata që janë në politikë, kemi dy mundësi: ose të hyjmë vetë në gji të partive dhe me vlerat tona të tregojmë që mund të bëhet më mirë, ose si qytetarë të përgjegjshëm t’u kërkojmë në mënyrë konstante llogari atyre që votojmë ose nuk votojmë dhe të tregojmë që pushteti varet nga vota dhe kërkesa jonë e llogarisë. Kjo kërkon kohë e guxim, po asnjë shtet i fortë modern s’është bërë brenda natës.

Të gjithë kanë të drejtën të votojnë atë që u duket më i përshtatshëm, në varësi të alternativave që u ofron, dhe ta zbresin nga pushteti nëse s’i mban premtimet e bëra. Kaq e thjeshtë është. Fatalizmi “po kush do të vijë”, kur je në krizë të thellë demokracie, morale, financiare e identiteti, siç është Shqipëria sot, nuk zgjidh gjë, përkundrazi.

Mbase edhe Trampi (po marr shembullin e Trampit, meqë s’ka shqiptar që s’flet për të, edhe pse mua më duket gjëja më shterpë në botë të merremi me hallet e Amerikës, kur Shqipëria është në flakë) s’ishte alternativa më bindëse për amerikanët, nuk ishte “Skenderbeu” i tyre, por ata i dhanë mundësinë premtimeve të tij. Nëse Trampi do të jetë Ruzvelt a Nikson, kjo do të jetë konstatim post-pushteti, se kështu funksionon bota, politika, historia dhe mbarë njerëzimi.

Ka ardhur koha t’i qasemi ndryshe politikës, të mos kërkojmë më Skënderbe, po njerëz me të mira e të meta, ekuilibrin e të cilave mund ta caktojmë vetë përmes kërkesës së llogarisë. Ka ardhur koha të kuptojmë që shteti s’është pronë 8-vjeçare partish, po na takon neve, dhe ne ta rrëzojmë nëse gënjen. Ka ardhur koha, shokët e mi dyzetë e ca vjeçarë, të lëvizim nga vendi e të mos mbërthehemi nga apatia karshi politikës, karakteristike për prindërit tanë.

Skënderbeu janë moria e të mirave që ka secili prej nesh dhe që mund t’ia imponojmë politikës e shtetit. Çështja është, a jeni gati të zgjoni Skënderbeun brenda vetes?

Alba Mborja

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme