Luks dhe korrupsion: spektakli gjysëm milionë euro për prezantimin e rikandidimit të Veliajt

Luks dhe korrupsion: spektakli gjysëm milionë euro për prezantimin e rikandidimit të Veliajt

Partia Socialiste do të mbajë nesër një tubim për shpalljen e rikandidimit të Erion Veliajt për kryabashkiak të Tiranës në Zgjedhjet Vendore 2019. Për këtë qëllim, në Sheshin Nënë Tereza do të zhvillohet një aktivitet që socialistët e kanë quajtur Kongres Zgjedhor, por që në të vërtetë do të jetë një spektakël vetëlëvdues-mobilizues, plot ngjyra, shkëlqim dhe hare, i cili do transmetohet drejtpërsëdrejti nga të gjitha mediat kryesore të vendit.

Krybashkiaku Veliaj kërkon të demonstrojë se ai është udhëheqës popullor dhe i rëndësishëm, i dyti më i rëndësishëm pas Ramës dhe drejtuesi i padiskutueshëm i ardhshëm i saj. Prandaj ai po punon me çdo lloj mjeti për të siguruar pjesëmarrje masive nesër për të dëshmuar se ka mbështetje të madhe, të zjarrtë, dhe entuziaste.

Të gjithë drejtuesit e Partisë Socialiste, veçanërisht vetë Veliaj kanë ndërmarrë këtë javë një fushatë të ethshme për mobilizimin e pjesëmarrjes në aktivitetin e nesërm, sikurse kemi raportuar më herët. Të njejtën fushatë kanë zhvilluar edhe drejtuesit dhe punonjësit e Bashkisë Tiranë përmes njoftimeve në faqet e tyre në rrjetet sociale—edhe pse ata janë punonjës civilë dhe e kanë të ndaluar të promovojnë në mënyrë aktive aktivitete partiake.

Një spot televiz dhe njoftime të ngjitura nëpër qytet gjithashtu bëjnë thirrje për pjesëmarrje, sikurse bëri sot përmes një mesazhi në Facebook edhe vetë kryeministri Rama.

Në manifestim e nesërm priten të marrin pjesë rreth 25-30 mijë anëtarë, mbështetës apo simpatizantë të partisë socialiste, një pjesë e të cilëve do të vinë nga e gjithë Shqipëria. Një rol të madh në pjesëmarrje do të marrë administrata publike, pasi pjesëmarrja e punonjësve është bërë e detyrueshme në shumë institucione. Kujdes është bërë për mobilizimin e fëmijëve të shkollave të mesme dhe rinisë në përgjithësi.

Për të dëshmuar entuziazëm dhe siguri, vecanërisht për të demosntruar se nuk ka krizë politike, Rama dhe Veliaj kanë planifikuar një spektakël luksoz, të ndërtuar e përshtatur veçanërisht për transmetim televiziv, ndaj i kanë dhënë përparësi përdorimit të teknologjisë dhe skenografisë së aktivitetit. I gjithë planifikimi dhe organizimi është realizuar me konsulencë të huaj dhe duke anagazhaur ekspertët më të mirë vendas.

Prej dy ditësh, Sheshi Nënë Tereza dhe bulevardi nga sheshi deri në kryqëzimin e Presidencës janë bllokuar për të përgatitur infrastrukturën e aktivitetit, duke krijuar probleme serioze trafiku, veçanërisht duke bllokuar krejtësisht aksesin e mjeteve të transportit në zonën pas stadiumit kombëtar.

Rreth 10 mijë pjesëmarrës do të ulën në karriket e vendosura në pjesën qendrore të Sheshit Nënë Tereza, kurse pjesa tjetër do të qendrojë në këmbë pas tyre përgjatë Bulevardit Dëshmorët e Kombit.

Në ballë të sheshit është vendosur një tribunë, si sfond i së cilës shërben një ekran i stërmadh LED, me përmasa 15×5 metra, i cili do të transmetojë materialet propagandistike dhe dekorative të spektaklit.

Për të lehtësuar pjesëmarrësit që janë larg tribunës të ndjekin në detaje ceremoninë, përqark sheshit  dhe përgjatë bulevardit deri afër kryqëzimit të ndërtesës së Kryeministrisë janë vendosur 7 pika përcjellje të zërit dhe imazhit, përmes ekraneve LED me përmasa 5×3 metra.

Nga burimet e Exit.al nga persona që po merren me ofrimin e shërbimeve dhe në bazë të çmimeve të tregut ne kemi llogaritur se kostoja e aktivitetit të nesërm kalon gjysëm milionë euro. Një pjesë e madhe e pajisjeve të marra me qira është marrë për 3-4 ditë, por ne po llogarisim minimumin për dy ditë.

Marrja me qira e pajisjve të ndriçimit, fonisë dhe ekranëve ka kushtuar rreth 80-100 mijë euro. Qiraja e karrikeve të vendosura në shesh është konfirmuar se ka kushtuar 4 milionë lekë ose 32 mijë euro—qiraje e një karrike kushton 200-400 lekë në ditë, në varësi të llojit. Skena dhe të gjitha platformat ndihmëse kushtojnë rreth 30 mijë euro.

Prodhimi i spotit reklamues të aktivitetit dhe transmetimi i tij intensiv, prej tre ditësh, në të gjitha mediat e vendit është mësuar se ka kushtuar rreth 60-70 mijë euro.

Regjia, kamerat dhe transmetimi i sinjalit për televizionet gjatë ceremonisë kushton të paktën rreth 25 mijë euro, ndërsa blerja e rreth 90 minutave kohë televizive për transmetimin e drejtpërdrejtë në televizionet e vendit do të kushtojë rreth 100-150 mijë euro—tarifa e transmetimit në televizionet informative luhatet nga 10-20 mijë euro për një orë transmetim ndërsa në ato kombëtare është rreth dy herë më e lartë).

Kostot e tjera kanë kushtuar minimalisht rreth 50 mijë euro.

Në total, kostoja e manifestimet, në një vlerësim të përmbajtur, do të shkojë rreth 400-500 mijë euro.

Manifestimi i nesërm është aktivitet partiak që paguhet nga Partia Socialiste. Kostoja e lartë e tij është përtej burimeve të deklaruara zyrtarisht nga PS dhe është e sigurt që ajo nuk do të raportohet në deklarimet e saj. Sikurse është e sigurtë që shumica e shërbimeve do të faturohen nën vlerën reale apo nuk do të faturohen fare. Në këto kushte një pjesë e madhe e kostos po përballohet ose nga burime jo ligjore ose do të kompensohet me favore kontratash publike.

Në një artikull të mëparshëm ne kemi argumentuar pikërisht këtë fakt. Ilustrimi kryesor është se edhe në këtë manifestim, i gjithë shërbimi video dhe audio po realizohet nga kompania ProSound shpk, të cilën ne e kemi quajtur “Ministria e Zërit” për shkak se ajo është thuajse kontraktori ekskluziv i qeverisë me paratë publike.

4 komente

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme