Mjekët në protestë kundër dhunës ndaj tyre

Mjekët e Qëndrës Spitalore Universitare (QSUT) protestuan kundër dhunës së ushtruar ndaj mjekëve.

Duke marrë shkas nga rastet e ditëve të fundit ku një specializante në Tiranë dhe një mjek në Lezhë u goditën nga pacientët dhe të afërmit e tyre, mjekët deklaruan se ndihen të pasigurtë në vendin e punës dhe nën presion të vazhdueshëm.

Një prej specializanteve u shpreh:

“Jemi gjithmonë nën kërcënimin e familjareve. Ne i kuptojmë , por nuk jemi ne ata që duhet të vuajmë këto pasoja. Ne jemi këtu për të ofruar ndihmën tonë me të gjitha mundësitë që kemi. Kryejmë veprime 24 orë pranë urgjencës.”

Një tjetër specializante pranë QSUT deklaroi se, ndër të tjera dhuna e pasiguria fizike me të cilët përballen mjekët në punën e tyre të përditshme i ka bërë që të largohen nga vendi.

Nga ana tjetër mjekët ngritën dhe shqetësimin e pagave të tyre, ku theksuan se jo të gjithë specilizantët paguhen, pasi kjo varet nga kontrata që shteti u ofron.

Dhuna ndaj mjekëve është një fenomen që po shpeshtohet. Vetëm ditët e fundit janë shënuar tre raste të dhunimit të tyre nga pacientët. Rasti më i fundit është ai i mjekut në Lezhë Zef Doda , i cili u dhunua nga një pacient në ambientet e spitalit të Lezhës, i cili kërkontë të vizitohej pa pritur radhën.

Si masë për të shmangur dhunën ndaj mjekëve, Ministria e Shëndetësisë ka nxjerrë një udhëzim që ndalon familjarët në urgjencë, ndërsa cakton orare fikse kur mund të vizitojnë të afërmit e tyre.