Policia shoqëron në komisariat banorët e Astirit

Të paktën 6 banorë të zonës së Astirit, të cilët prej 5 muajsh protestojnë kundër projektit të Unazës së Madhe, janë marrë nga policia në komisariatin Nr. 6 në Tiranë.

Policia shoqëroi banorët në komisariat pasi dje në mbrëmje ata bllokuan rrugën për rreth 4 orë, si përshkallëzim të protestës që kanë nisur prej muajsh.

Njëri prej banorëve të shoqëruar në komisariat tha se drejtori i policisë në komisariatin Nr.6 i kishte thirrur banorët për një takim, i cili më pas nuk është zhvilluar. Banorët shprehen se këto janë forma presioni për tu tërhequr nga protestat:

“Kërkuam shpjegime për arsyen e takimit me drejtorin e policisë, por takimi është thjesht për presion, për shantazh. Zotëria në fjalë ka marrë përsipër ta mbyllë këtë protestë.”

Por pavarësisht ndërhyrjes së policisë, banorët shprhen të vendosur për të vazhduar me protestat e përditshme.

“Ne do përshkallëzojmë protestat dhe nuk dorëzohemi. Do bllokohet 24 orë ajo rrugë dhe ju kërkojmë ndjesë përdoruesve, por kjo është rruga e vetme. Vetëm me protesta mund të fitojmë. Protesta nuk mbyllet as me ndalime, as me arrestime, as me asnjë mënyrë tjetër. Protesta mbyllet kur të anulohet projekti”, u shpreh njëri prej banorëve.

Që prej nëntorit, banorët e Astirit protestojnëkundër projektit të Unazës së Madhe, zbatimi i së cilit kërkon prishjen e më shumë se 300 shtëpive dhe biznesve në atë zonë.