Deputeti gjerman Schmidt për Shqipërinë: Qeveria mban përgjegjësi për krizën politike

Ndërsa Ambasada Amerikane kritikon opozitën për bojkotin e parlamentit, raportuesi për Shqipërinë në Komisionin e Jashtëm, Christian Schmidt mendon se edhe qeveria ka përgjegjësi për krizën.

“Kjo nuk është normale. Parlamenti jeton nga debati. I takon qeverisë që të garantojë bashkëpunimin parlamentar”, – u shpreh Schmidt për median gjermane Deutsche Welle.

Schmidt është që nga fillimi i vitit 2019 raportuesi për Shqipërinë në Komisionin e Jashtëm në Bundestag, njëri nga komisionet që vendos për çeljen e negociatave në BE.
Schmidt tha se së shpejti planifikon të vizitojë Shqipërinë për t’u informuar vetë për situatë në vend.

“Veçanërisht dua të shoh se sa përfshihet opozita në procedurat parlamentare”, theksoi ai.

Vendimi i Gjermanisë dhe i gjithë vendeve të BE-së për çeljen e negociatave me Shqipërinë do të varet nga progres-raporti i Komisionit të Bashkimit Evropian që do të publikohet më datën 29 maj. Por për të dhënë miratimin përfundimtar në Këshillin e BE-së, më 19 qershor, Gjermanisë do t’i duhet që të marrë mbështetjen e deputetëve të Bundestagut.