Shkodër, vriten në një atentat dy vëllezër

Shkodër, vriten në një atentat dy vëllezër

Dy vëllezër u vranë në një atentat me armë zjarri, paraditen e sotme në Shkodër. Astrit dhe Brahim Bilali, 59 dhe 61 vjeç, u vranë rreth orës 9:45, brenda oborrit të shtëpisë së tyre, në lagjen “Guerile” në vendin e quajtur “Zooteknika”.

Astrit Bilali, është babai i Asmer Bilalit, njëri prej të arrestuarve të grupit Bajri.

Policia nuk ka mundur të identifikojë autorët, të cilët janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes dhe kanë djegur automjetin me të cilin kishin udhëtuar.

Për këtë ngjarje të rëndë reagoi dhe kryetarja e Bashkisë Shkodër Voltana Ademi, e cila i kërkoi policisë të sigurojë më shumë jetën e qytetarëve të Shkodrës:

“Sot është e shtunë dhe jemi zgjuar me një ngjarje shumë të rëndë. Kjo është shqetësuese. Mendoj se kjo duhet të tmerrojë  së pari kryeministrin dhe pastaj gjithë qeverinë. Por mesa duket ka tmerruar vetëm qytetarët e Shkodrës.  Qytetarët e Shkodrës kërkojnë nga shteti që ta marrë situatën në dorë dhe ta çojë deri në fund . Shkodra është lënë në mëshirën e larjes së hesapeve dhe të krimit.”

Muajt e fundit, Shkodra është kthyer në një prej vatrave më të egra të krimit në gjithë vendin:

Në nëntor 2018, Fatos Ferracaku, 31 vjeç u ekzekutua dhe një tregtar i rastësishëm u plagos, në një prej zonave më të populluara të Shkodrës. Ngjarja në orën 11:15 minuta, teksa Ferracaku ndodhej në hyrje të ‘Merkatës Rus’, në lagjen ‘Partizani’ në Shkodër.

Viktima është kushëri i Arjan Ferracakut, biznesmenit 30-vjeçar që u ekzekutua me breshëri teksa kalëronte, po në Shkodër, në shtator 2018, – krim i cili ende nuk është zbardhur nga policia.

Më 10 gusht 2018, Fatbardh Lici u vra me breshëri plumbash gjatë ditës në një lokal. Bici ishte kunati i Lulzim Kullës, i njohur si i forti i Shkodrës.

Më 15 korrik, Boran Bërçana, ish-polic dhe Silvana Ndoci bashkëshortja e tij, u vranë brenda makinës së tyre.

Më 18 qershor, Mehdi Kavaja, pronari i një servisi për makinat, u vra me plumb në kokë.

Të gjithë ekzekutimet janë bërë me armë zjarri dhe autorët janë kujdesur të mos lënë gjurmë. Për të gjitha rastet, policia ende nuk ka pista të qarta hetimi e të arrestuar.

1 koment

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme